A e ke dëgjuar përdorimin e Emrit të Zotit në biseda të tilla:
BISEDA NR. 1:
“Pashë një peshkaqen të zi që u afrua deri në breg. Naaa, 30 metra i gjatë!”
“Seriozisht?”
“Për Zotin, po.”
BISEDA NR. 2:
“Të të qeras me një kafe?”
“O Zot i madh, erdhi dita të më qerasin dhe mua.”
BISEDA NR. 3:
“Nuk më tha ‘Mirëmëngjes’ Sanija. Bëri dhe sikur s’më pa, shëmtira.”
“O Perëndi, o Zot, o Perëndi! Ç’njerëz që ekzistojnë në këtë botë?”
E përdorin emrin e Zotit në reagime ose si betim për të theksuar që po thonë të vërtetën.
Por ç’thotë Shkrimi i Shenjtë?
“Nuk do ta përdorësh emrin e Zotit, të Perëndisë tënd, kot, sepse Zoti nuk do të lërë të pandëshkuar atë që përdor kot emrin e tij.” (Eksodi 20:7)
“Mos u betoni fare, as për qiellin, sepse është froni i Perëndisë, as për tokën, sepse është stol i këmbëve të tij, as për Jeruzalemin, sepse është qyteti i Mbretit të madh. Mos u beto as për kokën tënde, sepse nuk ke fuqi të zbardhësh ose të nxish qoftë edhe një fije floku; Por fjala jote të jetë: Po, po; jo, jo; gjithçka më tepër vjen nga i ligu.” (Mateu 5:34-37)
“Mos bëni be as për qiellin as për dheun, as mos bëni ndonjë be tjetër; por le të jetë ‘po’ -ja juaj ‘po’ dhe ‘jo’ -ja ‘jo’, që të mos bini nën dënim.” (Jakobi 5:12)
Fjala e Zotit na urdhëron të tregohemi të kujdesshëm me emrin e Zotit:
– Të mos e përdorim kot.
– Të mos betohemi duke e përdorur.
Ka pasoja për keqpërdorimin e emrit të Zotit:
– “Zoti nuk do të lërë të pandëshkuar atë që përdor kot emrin e tij.”
– “që të mos bini nën dënim.”
Emri i Zotit është i lavdishëm! Por a është i lavdishëm në zemrën tënde?
Jezusi tha të lutemi kështu: “Ati ynë që je në qiej, u shenjtëroftë emri yt” (Mateu 6:9)
Dhe “Bekoni emrin e Tij” (Psalmi 100:4)
Shenjtëro emrin e Tij në gojën tënde!
Kështu përjeton fuqinë e Emrit të Tij për të mirën tënde!
• “Kushdo që do ta thërrasë emrin e Zotit do të shpëtohet” (Rom 10:13)
• “Emri i Zotit është një kala e fortë, tek ai turret i drejti dhe gjen siguri.” (Fjalët e Urta 18:10)
• “Çdo gjë që t’i kërkoni Atit në emrin tim, ai do t’jua japë” (Gj 16:23,24)
• “Na ndihmo, o Perëndi i shpëtimit, për lavdinë e emrit tënd, dhe na çliro dhe na fal mëkatet tona për hir të emrit tënd.” (Ps 79:9)
Në Krishtin
Mirgen Dhima