Category: Meditime

  • Realiteti Parësor

    Realiteti Parësor

    Kështu Esau shpërfilli parëbirninë e tij… (Zanafilla 25:34)

    Më ka bërë përshtypje vazhdimisht kjo histori e dy vëllezërve binjakë.

    Besoj se e mbani mend si ngjarje: Esau dhe Jakobi janë bijtë e Isakut dhe Rebekës. Në pak vargje ndodhia na jepet në Bibël tek kapitulli 25 i Zanafillës. Të dy fëmijët janë fryt i lutjes drejtuar Perëndisë nga prindërit e tyre. Por ata nuk kanë të njëjtin qëndrim në jetë. Siç shkruhet: Dy fëmijët u rritën dhe Esau u bë një gjahtar i sprovuar, një njeri fshatarak, ndërsa Jakobi ishte një njeri i qetë, që jetonte në çadra. Por Isaku e donte Esaun, sepse mishin e gjahut e pëlqente; Rebeka nga ana e saj donte Jakobin. Një herë që Jakobi gatoi për vete një supë, Esau erdhi nga fusha krejt i lodhur. Dhe Esau i tha Jakobit: “Të lutem, më lër të ha pak nga kjo supë e kuqe, sepse jam i lodhur”. Për këtë arsye e quajtën Edom. Por Jakobi iu përgjegj: “Më shit më parë parëbirninë tënde”. Esau tha: “Ja unë jam duke vdekur, ç’dobi kam nga parëbirnia?”. Atëherë Jakobi tha: “Më parë betomu”. Dhe Esau iu betua dhe i shiti Jakobit parëbirninë e tij. Pastaj Jakobi i dha Esaut bukë dhe supë me thjerrëza. Dhe ai hëngri dhe piu, pastaj u ngrit dhe iku. Kështu Esau shpërfilli parëbirninë e tij.

    …i parëlinduri, Esau, që “mendoi me bark” dhe e shpërfilli bekimin që zotëronte. Për shkak të një nevoje imediate dhe i nisur nga kërkimi i ethshëm e i menjëhershëm i asaj që i duhej, ai la pas dore një të ardhme të përjetshme.

    Dhe për ta sjellë në rrethanat tona, një pyetje pason në mënyrë të pashmangshme: Po ne si besimtarë të krishterë, a e dimë se cili është realiteti parësor, pikëvështrimi nga i cili duhet të nisemi për të zgjedhur rrugën dhe destinacionin tonë në jetë?

    …………………………………………………………………………………………………………………………………

    Tek Letra Drejtuar Hebrenjve, 11:3, shkruhet: “Me anë të besimit, ne kuptojmë se bota është ndërtuar me fjalën e Perëndisë, sa që ato që shihen nuk u bënë prej gjërave që shihen”.

    Realiteti themelor, pra, ai me të cilin është ndërtuar bota, është fjala e Perëndisë, diçka që edhe pse nuk shihet, ka ndërtuar çdo gjë të dukshme dhe konkrete – dhe këtë gjë, ne e kuptojmë me anë të besimit, një tjetër gjë e cila nuk shihet… Dallojmë kështu me sytë e besimit, se realiteti parësor është ai frymëror dhe kuptojmë se pikërisht prej këtij realiteti frymëror duhet të nisemi për të ndërmarrë vendimet dhe hapat tona të mëtejshme.

    Sa prej nesh i ngjajmë Esaut në qëndrimet tona dhe vendimet që marrim? Sa prej nesh jemi kaq të fokusuar tek ato gjërat imediate dhe të prekshme saqë mendojmë me mënyrën e jobesimtarëve dhe harrojmë realitetin thelbësor e të pashmangshëm të fjalës së Perëndisë?  Sa prej nesh e lemë pas dore realitetin frymëror, shenjtërinë, dashurinë, guximin, besimin (për të cilat flitet pikërisht në këtë fragment tek Letra e sipërpërmendur) i cili na ndihmon që të kuptojmë dhe të dallojmë atë që kemi përpara? Sa prej nesh e shpërfillim në këtë mënyrë bekimin e Zotit?

  • “Për Zotin!”, “O Zot i madh!”, “O Perëndi!”

    “Për Zotin!”, “O Zot i madh!”, “O Perëndi!”

    jesus

    A e ke dëgjuar përdorimin e Emrit të Zotit në biseda të tilla:

    BISEDA NR. 1:

    “Pashë një peshkaqen të zi që u afrua deri në breg. Naaa, 30 metra i gjatë!”

    “Seriozisht?”

    “Për Zotin, po.”

    BISEDA NR. 2:

    “Të të qeras me një kafe?”

    “O Zot i madh, erdhi dita të më qerasin dhe mua.”

    BISEDA NR. 3:

    “Nuk më tha ‘Mirëmëngjes’ Sanija. Bëri dhe sikur s’më pa, shëmtira.”

    “O Perëndi, o Zot, o Perëndi! Ç’njerëz që ekzistojnë në këtë botë?”

    E përdorin emrin e Zotit në reagime ose si betim për të theksuar që po thonë të vërtetën.

    Por ç’thotë Shkrimi i Shenjtë?

    “Nuk do ta përdorësh emrin e Zotit, të Perëndisë tënd, kot, sepse Zoti nuk do të lërë të pandëshkuar atë që përdor kot emrin e tij.” (Eksodi 20:7)

    “Mos u betoni fare, as për qiellin, sepse është froni i Perëndisë, as për tokën, sepse është stol i këmbëve të tij, as për Jeruzalemin, sepse është qyteti i Mbretit të madh. Mos u beto as për kokën tënde, sepse nuk ke fuqi të zbardhësh ose të nxish qoftë edhe një fije floku; Por fjala jote të jetë: Po, po; jo, jo; gjithçka më tepër vjen nga i ligu.” (Mateu 5:34-37)

    “Mos bëni be as për qiellin as për dheun, as mos bëni ndonjë be tjetër; por le të jetë ‘po’ -ja juaj ‘po’ dhe ‘jo’ -ja ‘jo’, që të mos bini nën dënim.” (Jakobi 5:12)

    Fjala e Zotit na urdhëron të tregohemi të kujdesshëm me emrin e Zotit:

    – Të mos e përdorim kot.

    – Të mos betohemi duke e përdorur.

    Ka pasoja për keqpërdorimin e emrit të Zotit:

    – “Zoti nuk do të lërë të pandëshkuar atë që përdor kot emrin e tij.”

    – “që të mos bini nën dënim.”

    Emri i Zotit është i lavdishëm! Por a është i lavdishëm në zemrën tënde?

    Jezusi tha të lutemi kështu: “Ati ynë që je në qiej, u shenjtëroftë emri yt” (Mateu 6:9)

    Dhe “Bekoni emrin e Tij” (Psalmi 100:4)

    Shenjtëro emrin e Tij në gojën tënde!

    Kështu përjeton fuqinë e Emrit të Tij për të mirën tënde!

    • “Kushdo që do ta thërrasë emrin e Zotit do të shpëtohet” (Rom 10:13)

    • “Emri i Zotit është një kala e fortë, tek ai turret i drejti dhe gjen siguri.” (Fjalët e Urta 18:10)

    • “Çdo gjë që t’i kërkoni Atit në emrin tim, ai do t’jua japë” (Gj 16:23,24)

    • “Na ndihmo, o Perëndi i shpëtimit, për lavdinë e emrit tënd, dhe na çliro dhe na fal mëkatet tona për hir të emrit tënd.” (Ps 79:9)

    Në Krishtin
    Mirgen Dhima

  • Sepse dikush u lut për ty. Sepse ti lutesh për dikë

    Sepse dikush u lut për ty. Sepse ti lutesh për dikë

    SEPSE DIKUSH U LUT PËR TY.

    SEPSE TI LUTESH PËR DIKË.

    Ti je shpëtuar se dikush u lut.

    T’u dha bukë se dikush u lut.

    Shmange aksidentin se dikush u lut.

    Ti je frut i lutjes së dikujt.

    Apostulli Pal kërkoi lutjet e vëllezërve:

    “E di në fakt, se kjo do të dalë për shpëtimin tim, me anë të lutjes suaj” (Fil 1:19)

    “… i cili na ka çliruar dhe na çliron nga një vdekje kaq e madhe, dhe tek i cili ne shpresojmë se do të na çlirojë edhe më, me ndihmën tuaj me anë të lutjeve për ne …” (2 Kor 1:10,11)

    “… duke u lutur në të njëjtën kohë edhe për ne, që Perëndia të hapë edhe për ne derën e fjalës, për të shpallur misterin e Krishtit, për shkakun e të cilit jam edhe i burgosur, në mënyrë që ta bëj të njohur, duke e folur siç duhet.” (Kol 4:3,4)

    Ka ndihmë që të jepet, vetëm për shkak të lutjes së vëllezërve.

    Ka ndihmë që u jepet vëllezërve, vetëm për shkak të lutjes tënde.

    Nga froni vjen një pyetje: “Çfarë të bëj për vëllezërit e tu?”

    Në Krishtin
    Mirgen Dhima

  • Vajosja e Saulit

    Vajosja e Saulit

    Përshkrimi i jetës së Saulit prej librit “Rrëfim për Tre Mbretër” nga Gene Edwards, si dhe roli i thyerjes në jetën e udhëheqësit.

  • Vetitë e gjakut të Krishtit – nga Genti Suli

    Vetitë e gjakut të Krishtit – nga Genti Suli

    Vetitë e gjakut të Krishtit

    Na kishte mbaruar vaji i ullirit dhe porositëm një sasi tjetër, te një i njohur që ka një pemishte ullinjsh dhe vajin e nxjerrin prej ullinjve të vet. Tani vajin e çojnë në fabrika, edhe në ato modeste, për të nxjerrë vajin e ullirit.

    Ndërkohë, m’u kujtua vite më parë se si nxirrej vaji i ullirit në kushte familjare. Duhej një thes sargji, një enë tip govate, ujë i nxehtë, dhe çizme që të mos fusnin ujë. Ullinjtë hidheshin në thes, shtohej ujë i nxehtë, dhe shtypeshin me këmbë, duke shtrydhur vajin prej ullirit. Fruti i ullirit duhej shtypej deri në fund, deri në ndarjen e bërthamës nga tuli i ullirit, për të nxjerrë sa më shumë vaj prej tyre.

    Ky vaj është flori” – tha më i moshuari i pranishëm. “Shtypeni mirë, deri në fund, shtojini ujë të nxehtë valë. Mos të mbetet asnjë pikë vaji pa u nxjerrë! Në fund mblidheni me kujdes. Mos të shkojë dëm asnjë pikë! Vajin e ullirit e kemi përdorur gjithmonë për gatim e për ilaç. Në çdo rast e për çdo gjë, ka qenë si lëngu i jetës për ne”.

    Fjalët e tij “Mos të shkojë dëm asnjë pikë!” më bënë të mendoj për Krishtin në kryq. Për gjakun që pikoi prej tij. Menduan se e shtypën në kryq, deri në fund. E tejshpuan dhe gjaku i tij u derdh. Por, asnjë pikë e gjakut të tij nuk shkoi dëm.

    • Në gjakun e Krishtit është jeta. Ai ka shumë veti.
    • Çdo pikë e gjakut sjell jetë me bollëk
    • Çdo pikë e gjakut sjell shërim
    • Çdo pikë e gjakut sjell bekim
    • Çdo pikë e gjakut sjell çlirim
    • Çdo pikë e gjakut sjell mburojë
    • Çdo pikë e gjakut sjell ….
    • Plotësoje vetë në lutjen tënde, duke shpallur me besim se gjaku i Krishtit sjell…. për ty.
    • Shpall me besim të gjitha “vetitë” e gjakut të Krishtit në jetën tënde!

    Mbaj mend! Kur Krishti dha jetën në kryq për ne, nuk tha “mbaroi”, por U KRYE!

      _________________________________

    Gjoni 19:3030 Kur Jezusi e mori uthullën, tha: “U krye!.” Dhe duke ulur kryet, dha frymën.Gjoni 10:10/b10  …por unë kam ardhur që të kenë jetë e ta kenë me bollëk.Zanafilla 15:1Mbas këtyre gjërave, fjala e Zotit iu drejtua Abramit në vegim duke i thënë: “Mos ki frikë, Abram, unë jam mburoja jote, dhe shpërblimi yt do të jetë shumë i madh”.Mateu 15:3030 Dhe iu afruan turma të mëdha që sillnin me vete të çalë, të verbër, memecë, sakatë dhe shumë të tjerë; i ulën përpara këmbëve të Jezusit dhe ai i shëroi.

    Genti Suli

    Tiranë, 4 Qershor 2021

  • “Baticat” dhe “Zbaticat” Frymërore

    “Baticat” dhe “Zbaticat” Frymërore

    … Zoti Jezus, në atë natë që po tradhtohej, mori bukën dhe, si falënderoi, e theu dhe tha: “Merrni, hani; ky është trupi im që është thyer për ju; bëni këtë në përkujtimin tim“. Gjithashtu, pas darkës, mori edhe kupën, duke thënë: “Kjo kupë është besëlidhja e re në gjakun tim; bëni këtë sa herë që të pini, në përkujtimin tim“…

    Letra e Parë Drejtuar Korintasve 11:23-25

    Këto vargjet më sipër janë vargjet klasike që shqiptohen në kishë para se të marrim Darkën e Zotit. Janë shumë aspekte mbi të cilat mund të përqendrohemi dhe të shqyrtojmë vetveten ndërkohë që e marrim këtë sakrament të dhënë nga vetë Zoti Jezus.

    Një nga fjalët që më bëri përshtypje ishte “përkujtoni”. Në qoftë se do të përkujtonim gjithë ato që Perëndia ka bërë për ne, mrekullitë, mësimet, flijimi i Tij dhe bekimet që ka derdhur mbi ne, a do mund të krahasoheshin me një vërshim të papërmbajtshëm uji, me një vrull dallgësh të pandalshme? A nuk do të mund t’i ngjanin ato një batice të furishme bekimesh frymërore që vijnë mbi tokë edhe e mbulojnë sterenë mbarë?

    … Ai mbante sëmundjet tona dhe kishte marrë përsipër dhembjet tona; por ne e konsideronim të goditur, të rrahur nga Perëndia dhe të përulur. Por ai u tejshpua për shkak të shkeljeve tona, u shtyp për paudhësitë tona; ndëshkimi për të cilin kemi paqen është mbi të, dhe për shkak të vurratave të tij, ne jemi shëruar… Isaia 53:4-5

    Këto vepra të jashtëzakonshme dhe shumë e shumë mrekulli të tjera të regjistruara në Bibël, e gjithashtu të tjerat derdhje të mahnitshme të dashurisë së Tij në jetën tonë, disa prej të cilave kanë dalë para nesh si dëshmi në ato që kemi përjetuar – e disa të tjera për të cilat nuk do jemi të ndërgjegjshëm derisa ta takojmë personalisht Perëndinë – na mbushin plot mirënjohje e falënderim të thellë për përkujdesjen e Zotit karshi nesh. Ky është aspekti hyjnor i Zotit tonë me të cilin mund të mahnitesh e të mrekullohesh sa herë që mendon për të.

    Por, në një këndvështrim tjetër, në rast se do të përqendroheshim tek Jezusi njeri, nëse të gjitha këto vepra hyjnore “do t’i zhvendosnim mënjanë”, për të parë e për t’u përqendruar tek ajo kërkesa e vetme që Jezusi përmend te këto vargje, natën kur po tradhtohej: “Bëni këtë në përkujtimin tim”, çfarë do të shikonim? Po të vazhdonim krahasimin e vërshimit të ujit më lart e të shihnim tani një ‘zbaticë frymërore’, e cila tregon haptas se mbi ç’truall mbështeten anijet pasi është tërhequr deti, çfarë do “dilte në stere”? A nuk do të ishte fare qartësisht e dukshme, njerëzorja prekëse e vetë Jezusit, Perëndia-njeri që shpaloset kaq i brishtë para nesh, me këtë kërkesë kaq të përhapur, të zakonshme e normale mes njerëzve: “Më Kujtoni”…? Sa i fuqishëm që është ky identifikim i Jezusit me ne të gjithë! Sa frymëzues për secilin nga ne është fakti që Zoti zgjodhi të njëjtësohej me njerëzit në mënyrë që secili prej nesh të ndjente afrinë me Të!

    E gjithë kjo “baticë e zbaticë” mahnitëse që na shpërfaqet e na mrekullon teksa jemi dëshmitarë të Hirit që Ai vërshon mbi ne, na udhëheq të shqyrtojmë qëndrimin e zemrave tona, vetë zemrat tona. A jemi duke vëzhguar edhe ne, mes “baticave” dhe “zbaticave” tona frymërore, gjendjen tonë, ku ndodhemi përballë Perëndisë, ku mbështeten planet dhe ambiciet tona, motivet dhe shpresat, mendimet e veprimet, gjithçka jemi e kemi? Për të cituar lirshëm fjalët e Nënë Terezës: A jemi duke bërë gjëra ndoshta të vogla, por me dashurinë madhështore të Perëndisë?

    Qofshi me bekimet e Zotit Jezus,

    Skerdi Hoxha

  • Dy fjalë… Krisht+Lindje

    Dy fjalë… Krisht+Lindje

    Është kohë ndryshe kjo që po jetojmë. Edhe Krishtlindja nuk është njëlloj sivjet. Shërbesat, ne si kishë, po i bëjmë në ambiente të hapura ose duke u parë e folur në internet. Predikimet po i regjistroj në shtëpi dhe ua dërgoj njerëzve, të incizuara. Kjo ka vështirësitë e veta… duhet shumë përgatitje të flasësh pa pasur një audiencë përpara dhe mbi të gjitha, nevojitet heshtje gjatë regjistrimit.

    Këtë të diel në mëngjes, ndërkohë që po incizoja predikimin për Krishtlindjen, u hap dera dhe në dhomën e gjumit hyri Edeni, djali im 8 vjeç. I bëra shenjë që të mos bënte zhurmë dhe ai e kuptoi se çfarë po bëja… U fut në krevatin e madh dhe po më dëgjonte.

    Ndërkohë që flisja për Krishtlindjen, m’u kujtua pikërisht diçka që kisha lexuar: Jezusi vjen tek ne, tek njerëzimi mbarë, njëlloj siç vjen një fëmijë dhe futet në krevatin e madh të prindërve të tij. Pret prej nesh që ta pranojmë e ta mirëpresim. Dhe nga ana tjetër, sa përgjegjësi që sjell kjo gjë për ne. I ngjan përgjegjësisë që kanë prindërit për fëmijën: në qoftë se ne e veshim të miturin, ai është i veshur; në qoftë se ne e ushqejmë atë, ai është i ushqyer; në qoftë se ne e mbajmë ngrohtë, ai ngrohet.

    A ndodh kështu edhe me besimin tonë? Besoj se tamam ky është një aspekt tjetër i besimit. Përveçse është një dhuratë (pak a shumë si ato dhuratat që po bëjmë këtë kohë për njëri-tjetrin), besimi ka edhe një dimension tjetër. Ai fillimisht ka nevojë që të mbillet si një farë në zemrat tona; duhet të ushqehet; ka nevojë që ne të kujdesemi për të, me qëllim që të rritet e të bëhet një fryt i pjekur mirë.

    Janë të thjeshta këto fjalë e këto nocione. Ashtu siç janë të thjeshta ushqimet me të cilat rritet e forcohet një fëmijë derisa maturohet e bëhet gati për jetën dhe për atë të cilën Perëndia ia ka vënë përpara në rrugëtimin e tij.

    Në këtë stinë, në këtë Krisht-Lindje, le ta mirëpresim Jezusin si një fëmijë… si një foshnjë që vjen në historinë e njerëzimit pikërisht në këtë formë e mënyrë. Me delikatesë e pa zhurmë, duke trokitur me durim në derën e zemrës sonë që ndoshta është e mbyllur… me nevojën për të marrë prej nesh përkujdesje dhe ngrohtësi, për t’u veshur e për t’u ushqyer. Dhe le ta rrisim po ashtu edhe besimin tonë këtë kohë. Si një fryt i dobishëm përpara Atij që e ka mbjellë, si edhe atyre, të afërmve, që u nevojitet.  

    Gëzuar Krisht-Lindjen,

    Skerdi Hoxha

  • Çfarë mbetet pas tërmetit?

    Çfarë mbetet pas tërmetit?

    Qielli dhe toka do të kalojnë, por fjalët e mia nuk do të kalojnë”

    Mateu 24:35

    Këto ditë kanë qenë tronditëse për të gjithë shqiptarët, brenda dhe jashtë vendit. Shumë njerëz kanë humbur jetën, shumë të tjerë janë plagosur e të tjerë akoma kanë humbur shtëpitë apo sende të ndryshme. Shumë mesazhe janë dhënë dhe vazhdojnë të jepen. Mësime të vlefshme dalin para syve tanë dhe përvetësohen nga ne. Të tjerë edhe harrohen a shpërfillen. Por sidoqoftë, ka prej këtyre mësimeve që mund të nxirren e të mbahen mend gjatë, qoftë edhe duke parë një foto.

    Fotoja që shihni më lart është marrë nga një mur i kishës “Asambleja e Perëndisë”, në Tiranë. Siç e vini re, dëmtime pati edhe kisha jonë. Mure të hapura, copa suvaje të rrëzuara, dëmtime për t’u riparuar. Dhe ndodh rëndom që ne të mësohemi kaq tepër me panoramat nëpër korniza, aq sa pasi kalon njëfarë kohe të mos na bëjë më përshtypje mesazhi që është brenda saj. Shohim vetëm krisjen e re të sapobërë si edhe çarjen e murit. Merakosemi për rregullimin e murit dhe jo për atë që ndodhet pak më poshtë.

    Nuk është për supersticion e as për të treguar ndonjë gjë “fatsjellëse” kjo që po shkruaj. Por kur pashë kornizën e cila nuk ishte prekur dhe as rrëzuar nga suvaja që ishte shembur rreth e rrotull saj, edhe pas secilës prej dridhjeve të njëpasnjëshme të tokës e të mureve, e lexova me një perspektivë tjetër vargun nga Mateu 24:35: “Qielli dhe toka do të kalojnë, por fjalët e mia nuk do të kalojnë”. Ne shpeshherë e harrojmë Fjalën e Perëndisë e cila i reziston të gjitha lëkundjeve, dhe merremi vetëm me krisjet nëpër mure – ato krisjet që mbulohen fare lehtë me llaç e me bojë. Harrojmë të vërtetën që kapërcen çdo dimension dhe merremi me ato që janë kalimtare dhe të përkohshme.

    _____________________________________________________________________

    Shumë ndryshime dhe shumë vite mbresëlënëse kemi parë këtë gjysmëshekulli të fundit në Shqipëri: …1985, 1990, 1991, 1997, 1999, 2000, 2019… Secili vit prej këtyre ka sjellë ngjarje si gurë kilometrikë në rrugën e vendit tonë. Dhe ne kemi parë që këto ngjarje kanë lënë gjurmë mbi këtë truall. Siç do të lërë gjurmë ky tërmet nga i cili mund të nxjerrim mësime për t’u përvetësuar e për t’i kujtuar gjatë… Tani që lëkundjet vazhdojnë akoma dhe ka të ngjarë që do vazhdojnë edhe ca kohë, sado që jo aq të fuqishme, ndoshta ka ardhur koha që të mësojmë sesi të jetojmë, të punojmë, të pushojmë e adhurojmë mes tërmeteve që sjell koha, edhe ndërkohë që toka dridhet e tundet. Të mos kërkojmë të flemë mbi dafina e të mos ndjekim më kot nga pas një rehati të cilën asnjë vend mbi tokë nuk mundet të na ofrojë. Ndoshta ka ardhur koha që të mësojmë se si të rezistojmë duke ia dorëzuar vërtet Perëndisë çdo gjë në jetën tonë dhe jo duke u arratisur si ikanakë prej problemeve. Ndoshta duhet t’ia kujtojmë vetes nxitjen e Jezusit: “Zemra juaj mos u trondittë, besoni në Perëndi dhe besoni në mua”.

    Stuhi e tërmete si ata që kemi parë e dëgjuar, kemi pasur e do vazhdojmë të kemi në rrugën që kemi përpara. Lum ai që mëson të qëndrojë përmes tyre dhe të dalë më i fortë, duke u mbajtur pikërisht tek ajo që nuk kalon: te Fjala e Gjallë … duke u dorëzuar përditë e më shumë te Ati, Biri dhe Fryma e Shenjtë.

    Gjithë të mirat,

    Skerdi Hoxha

  • Kur vijnë mundimi ose përndjekja…

    Kur vijnë mundimi ose përndjekja…

    Dhe ai që ka marrë farën nëpër gurishte, është ai që dëgjon fjalën dhe e pranon menjëherë me gëzim; por, nuk ka rrënjë në vete, dhe është për pak kohë; dhe kur vijnë mundimi ose përndjekja për shkak të fjalës, skandalizohet menjëherë.

    Mateu 13:20-21

    Tek vargu i mësipërm është e veçantë dhe të bie në sy, fjala: “skandalizohet”. Është një fjalë që nuk përdoret dendur e del në pah veçmas të tjerave…

    Në versione të tjera përkthimi të Biblës, fjala origjinale në greqisht “skandalizetai” mund të gjendet e përkthyer edhe “ofendohet”, si edhe “largohet”. Në fjalorin e gjuhës shqipe, fjala “skandalizohem” ka përkufizimin: “Zemërohem dhe e ndiej veten të fyer para ngjarjesh a veprimesh që janë në kundërshtim me normat morale e me rregullat e shoqërisë”.

    Pra, vihet një paralelizëm mes skandalizimit, ofendimit, fyerjes së pësuar nga ne dhe largimit nga Perëndia, burimi jetëdhënës i çdo gjallese…. Ky ofendim mund të na largojë nga Zoti. “Në qoftë se ju nuk ua falni njerëzve gabimet e tyre, as Ati juaj nuk do t`jua falë juve gabimet tuaja”. (Mateu 6:15)

    ___________________________________________________________________

    Në një prizëm tjetër meditimi, duam ose nuk duam ne, të gjithë kemi apo vendosim disa parime, rregulla, norma e ndoshta edhe pritshmëri në lidhje me jetën tonë. Mos ndoshta kemi ndër këto parime tonat, se tani që besojmë dhe ndjekim Krishtin, kundër nesh nuk do të vijnë mundime a persekutime? Dhe më pas, kur ndeshemi me to, ose ndoshta kur zhgënjehemi, ne fyhemi e zemërohemi nga këto sulme?

    Thirrja e Jezusit në këtë varg është që ne të mos skandalizohemi kur të vijnë mundimet dhe përndjekjet të cilat këtu përshkruhen si të pashmangshme e që duhen pritur nga ne. Dhe kjo thirrje e Zotit merr edhe më tepër forcë nga fakti që Jezusi jo vetëm që na ftoi të mos e humbisnim toruan kur këto mundime e përndjekje të vinin, por edhe e zbatoi vetë këtë qëndrim. Duroi fyerje e tallje, përqeshje dhe turpërim, kamxhikë e gozhda, i paofendueshëm nga asnjëra prej tyre. Asnjë braktisje nuk e lëndoi aq fort në zemrën e Tij, asnjë gozhdë nuk e shpoi aq thellë në mishin e Tij e asnjë përçmim nuk e depërtoi aq shumë në shpirtin e Tij, sa ta ndalonte Jezusin që të thoshte: “O Atë, fali ata sepse nuk dinë ç’bëjnë!”. (Luka 23:34)

    Thirrja dhe ftesa e Tij për ne sot është që të kemi të njëjtin qëndrim të përulur si Krishti dhe më lejoni ta ritheksoj: “të jemi të paofendueshëm” nga shtizat që hidhen kundër nesh e me të cilat përballemi vazhdimisht. Të mos skandalizohemi e të kemi pritshmëri të ulura për atë që na sjell jeta. Do kemi mundime, do kemi përndjekje … edhe siç thuhet këtu “për shkak të fjalës” – për shkak të Jezusit që banon tek ne. Por pikërisht për shkak të Tij, për shkak të përkrahjes së Tij, edhe fitorja jonë do jetë shumë më e madhe. Ai që e ka mposhtur vdekjen, patjetër që na ndihmon kur vijnë këto sulme.

    Mendo për gëzimin e fitores kur ti iu reziston e iu qëndron pa u thyer këtyre mundimeve! Mendo për fitoren e madhe që ke përpara dhe inkurajohu që Krishti banon brenda në zemrën tënde! Me Të mund t’ia dalim mbanë!

    Le të japim fryte faljeje, fryte paqeje e të qëndrojmë të paofendueshëm sot e në vazhdim! Zoti na ndihmoftë që të rezistojmë deri në fund duke ia dorëzuar Atij çdo sfidë!

    Skerdi Hoxha

  • “Fisnikëria” e Dritës

    “Fisnikëria” e Dritës

    Perëndia është dritë dhe në Të nuk ka kurrfarë errësire.

                                                                                      Letra e Parë e Gjonit 1:5

    Fisnikeria e dritesKur e lexon këtë aksiomë sublimisht të frymëzuar, në fillim mahnitesh për thjeshtësinë e konceptit të shprehur. Vetëm më pas kupton thellësinë e saj. Duket sikur Apostulli Gjon, në përfundim të një procesi kondensues të mendimit, vjen tek ne me një shprehje sa elementare, aq edhe gjithëpërfshirëse. Të ngjan me ato thëniet e gjyshërve që të tingëllojnë aq fuqishëm në vesh vite e vite më vonë për shkak se janë aq të thjeshta e aq të vërteta saqë natyrshëm bëhen pjesë e jotja.

    Drita, kjo tërësi rrezesh dhe energjie që bën gjithçka të dukshme, është në bazën e krijimit dhe të vazhdimësisë së jetës. Fjalët e para të Perëndisë të regjistruara në Bibël ishin pikërisht: “U bëftë drita” dhe në kapitullin e fundit të Zbulesës, lexojmë se Parajsa është qyteti i ndriçuar prej Atij vetë. Drita, për epoka me radhë, i ka intriguar shkencëtarët me misteret që ngërthente: drita e bardhë që zbërthehej në një ylber ngjyrash; dualizmi i natyrës së dritës: grimcë dhe valë. Por janë edhe disa aspekte të tjera të saj që më vijnë në mendje teksa meditoj për këtë përkufizim.

    Delikatesa e dritës… ose më lejoni ta quaj, “fisnikëria” e saj. Drita ia lejon njerëzve që ta kufizojnë veprimin e saj. Drita natyrale, njëlloj si Jezusi që troket në zemrat tona, nuk i shpërthen dyert apo dritaret, por pret me durim që ne ta lejojmë të hyjë në shtëpinë tonë. Drita mund të kufizohet, njëlloj si i Plotfuqishmi që e kufizon vetveten, madje e zbraz veten dhe merr trajtë shërbëtori për ne. Jezusi u akuzua për shumë gjëra në mënyrë të rreme, por asnjëherë nuk u padit se ndërhyri ku nuk i takonte, apo se ishte prepotent apo arrogant ndaj njerëzve. Ai gjithmonë priti nga Perëndia – “Biri nuk mund të bëjë asgjë prej vetvetes, përveç asaj që sheh se bën Ati” (Gjoni 5:19) dhe gjithashtu priti edhe nga njerëzit që të sigurohej se ishte i ftuar dhe i mirëpritur aty ku shkonte.

    Në pjesën e dytë të vargut: “në Të nuk ka kurrfarë errësire”, na tërhiqet vëmendja drejt shenjtërisë së Perëndisë. A mos vallë po marrim një ftesë për t’u mahnitur pas përsosmërisë së Zotit, për ta shkëputur vështrimin nga çdo lloj gjëje tokësore për të rënë (sërish) në dashuri me Perëndinë, Krijuesin tonë? Është një perfeksion çarmatosës përpara të cilit nuk mund të rrish dot asnjanës dhe natyrshëm e adhuron. Pikërisht për këtë shenjtëri flet Apostulli i Moshuar në vargjet pasuese të Letrës, kur na nxit pa shtrëngim që të kufizohemi nga e liga e të heqim dorë nga gjërat e errëta, të përmbahemi nga ato që janë të panevojshme e të tepërta në jetë – të mos ecim në errësirë e kuturu. Na kërkohet që ta orientojmë rrugëtimin tonë nga drita që është Zoti e madje të ecim në dritë. Kjo thirrje për fisnikëri e ky proces shenjtërimi për të cilin jemi të thirrur të gjithë ne, të përmendura edhe gjetkë në letrat e Palit (Filipianëve 4:8, 1 Korintasve 3:12-13), ngjasojnë me udhëtimin e një anijeje për në port pas një furtune të fuqishme. Marinarët e anijes janë detyruar që për shkak të rreptësisë së shtrëngatës të hedhin gjithçka të rëndë e të tepërt në det, në mënyrë që anija të jetë mjaftueshëm e lehtë e të mos mbytet, por ia kanë dalë mbanë që më në fund, ta sjellin në vendmbërritje thesarin e çmuar që anija mbart me vete.

    Perëndia na ndihmoftë që të jemi sa më të thjeshtë e fisnikë, që të udhëtojmë pa gjëra të tepërta në rrugëtimin tonë, të mbetemi të pashpërqendruar nga kotësirat, obsesionet e iluzionet, në mënyrë që të arrijmë të sigurt në destinacion!

    Skerdi Hoxha