Realiteti Parësor

Nga: Skerdi18 Gusht, 2022 0 komente |

Kështu Esau shpërfilli parëbirninë e tij… (Zanafilla 25:34)

Më ka bërë përshtypje vazhdimisht kjo histori e dy vëllezërve binjakë.

Besoj se e mbani mend si ngjarje: Esau dhe Jakobi janë bijtë e Isakut dhe Rebekës. Në pak vargje ndodhia na jepet në Bibël tek kapitulli 25 i Zanafillës. Të dy fëmijët janë fryt i lutjes drejtuar Perëndisë nga prindërit e tyre. Por ata nuk kanë të njëjtin qëndrim në jetë. Siç shkruhet: Dy fëmijët u rritën dhe Esau u bë një gjahtar i sprovuar, një njeri fshatarak, ndërsa Jakobi ishte një njeri i qetë, që jetonte në çadra. Por Isaku e donte Esaun, sepse mishin e gjahut e pëlqente; Rebeka nga ana e saj donte Jakobin. Një herë që Jakobi gatoi për vete një supë, Esau erdhi nga fusha krejt i lodhur. Dhe Esau i tha Jakobit: “Të lutem, më lër të ha pak nga kjo supë e kuqe, sepse jam i lodhur”. Për këtë arsye e quajtën Edom. Por Jakobi iu përgjegj: “Më shit më parë parëbirninë tënde”. Esau tha: “Ja unë jam duke vdekur, ç’dobi kam nga parëbirnia?”. Atëherë Jakobi tha: “Më parë betomu”. Dhe Esau iu betua dhe i shiti Jakobit parëbirninë e tij. Pastaj Jakobi i dha Esaut bukë dhe supë me thjerrëza. Dhe ai hëngri dhe piu, pastaj u ngrit dhe iku. Kështu Esau shpërfilli parëbirninë e tij.

…i parëlinduri, Esau, që “mendoi me bark” dhe e shpërfilli bekimin që zotëronte. Për shkak të një nevoje imediate dhe i nisur nga kërkimi i ethshëm e i menjëhershëm i asaj që i duhej, ai la pas dore një të ardhme të përjetshme.

Dhe për ta sjellë në rrethanat tona, një pyetje pason në mënyrë të pashmangshme: Po ne si besimtarë të krishterë, a e dimë se cili është realiteti parësor, pikëvështrimi nga i cili duhet të nisemi për të zgjedhur rrugën dhe destinacionin tonë në jetë?

…………………………………………………………………………………………………………………………………

Tek Letra Drejtuar Hebrenjve, 11:3, shkruhet: “Me anë të besimit, ne kuptojmë se bota është ndërtuar me fjalën e Perëndisë, sa që ato që shihen nuk u bënë prej gjërave që shihen”.

Realiteti themelor, pra, ai me të cilin është ndërtuar bota, është fjala e Perëndisë, diçka që edhe pse nuk shihet, ka ndërtuar çdo gjë të dukshme dhe konkrete – dhe këtë gjë, ne e kuptojmë me anë të besimit, një tjetër gjë e cila nuk shihet… Dallojmë kështu me sytë e besimit, se realiteti parësor është ai frymëror dhe kuptojmë se pikërisht prej këtij realiteti frymëror duhet të nisemi për të ndërmarrë vendimet dhe hapat tona të mëtejshme.

Sa prej nesh i ngjajmë Esaut në qëndrimet tona dhe vendimet që marrim? Sa prej nesh jemi kaq të fokusuar tek ato gjërat imediate dhe të prekshme saqë mendojmë me mënyrën e jobesimtarëve dhe harrojmë realitetin thelbësor e të pashmangshëm të fjalës së Perëndisë?  Sa prej nesh e lemë pas dore realitetin frymëror, shenjtërinë, dashurinë, guximin, besimin (për të cilat flitet pikërisht në këtë fragment tek Letra e sipërpërmendur) i cili na ndihmon që të kuptojmë dhe të dallojmë atë që kemi përpara? Sa prej nesh e shpërfillim në këtë mënyrë bekimin e Zotit?

Skerdi

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}


Gjithashtu mund të lexoni

Doktrina e Mësimit të Begatisë

Vlerësimi i shëndetit shpirtëror sipas pesë qëllimeve, nga 1 deri 5 nga Altin Kita

“Për Zotin!”, “O Zot i madh!”, “O Perëndi!”

Sepse dikush u lut për ty. Sepse ti lutesh për dikë

>