• Kreu
  • /
  • Blog
  • /
  • “Baticat” dhe “Zbaticat” Frymërore

“Baticat” dhe “Zbaticat” Frymërore

Nga: Skerdi7 Shkurt, 2021 0 komente |

… Zoti Jezus, në atë natë që po tradhtohej, mori bukën dhe, si falënderoi, e theu dhe tha: “Merrni, hani; ky është trupi im që është thyer për ju; bëni këtë në përkujtimin tim“. Gjithashtu, pas darkës, mori edhe kupën, duke thënë: “Kjo kupë është besëlidhja e re në gjakun tim; bëni këtë sa herë që të pini, në përkujtimin tim“…

Letra e Parë Drejtuar Korintasve 11:23-25

Këto vargjet më sipër janë vargjet klasike që shqiptohen në kishë para se të marrim Darkën e Zotit. Janë shumë aspekte mbi të cilat mund të përqendrohemi dhe të shqyrtojmë vetveten ndërkohë që e marrim këtë sakrament të dhënë nga vetë Zoti Jezus.

Një nga fjalët që më bëri përshtypje ishte “përkujtoni”. Në qoftë se do të përkujtonim gjithë ato që Perëndia ka bërë për ne, mrekullitë, mësimet, flijimi i Tij dhe bekimet që ka derdhur mbi ne, a do mund të krahasoheshin me një vërshim të papërmbajtshëm uji, me një vrull dallgësh të pandalshme? A nuk do të mund t’i ngjanin ato një batice të furishme bekimesh frymërore që vijnë mbi tokë edhe e mbulojnë sterenë mbarë?

… Ai mbante sëmundjet tona dhe kishte marrë përsipër dhembjet tona; por ne e konsideronim të goditur, të rrahur nga Perëndia dhe të përulur. Por ai u tejshpua për shkak të shkeljeve tona, u shtyp për paudhësitë tona; ndëshkimi për të cilin kemi paqen është mbi të, dhe për shkak të vurratave të tij, ne jemi shëruar… Isaia 53:4-5

Këto vepra të jashtëzakonshme dhe shumë e shumë mrekulli të tjera të regjistruara në Bibël, e gjithashtu të tjerat derdhje të mahnitshme të dashurisë së Tij në jetën tonë, disa prej të cilave kanë dalë para nesh si dëshmi në ato që kemi përjetuar – e disa të tjera për të cilat nuk do jemi të ndërgjegjshëm derisa ta takojmë personalisht Perëndinë – na mbushin plot mirënjohje e falënderim të thellë për përkujdesjen e Zotit karshi nesh. Ky është aspekti hyjnor i Zotit tonë me të cilin mund të mahnitesh e të mrekullohesh sa herë që mendon për të.

Por, në një këndvështrim tjetër, në rast se do të përqendroheshim tek Jezusi njeri, nëse të gjitha këto vepra hyjnore “do t’i zhvendosnim mënjanë”, për të parë e për t’u përqendruar tek ajo kërkesa e vetme që Jezusi përmend te këto vargje, natën kur po tradhtohej: “Bëni këtë në përkujtimin tim”, çfarë do të shikonim? Po të vazhdonim krahasimin e vërshimit të ujit më lart e të shihnim tani një ‘zbaticë frymërore’, e cila tregon haptas se mbi ç’truall mbështeten anijet pasi është tërhequr deti, çfarë do “dilte në stere”? A nuk do të ishte fare qartësisht e dukshme, njerëzorja prekëse e vetë Jezusit, Perëndia-njeri që shpaloset kaq i brishtë para nesh, me këtë kërkesë kaq të përhapur, të zakonshme e normale mes njerëzve: “Më Kujtoni”…? Sa i fuqishëm që është ky identifikim i Jezusit me ne të gjithë! Sa frymëzues për secilin nga ne është fakti që Zoti zgjodhi të njëjtësohej me njerëzit në mënyrë që secili prej nesh të ndjente afrinë me Të!

E gjithë kjo “baticë e zbaticë” mahnitëse që na shpërfaqet e na mrekullon teksa jemi dëshmitarë të Hirit që Ai vërshon mbi ne, na udhëheq të shqyrtojmë qëndrimin e zemrave tona, vetë zemrat tona. A jemi duke vëzhguar edhe ne, mes “baticave” dhe “zbaticave” tona frymërore, gjendjen tonë, ku ndodhemi përballë Perëndisë, ku mbështeten planet dhe ambiciet tona, motivet dhe shpresat, mendimet e veprimet, gjithçka jemi e kemi? Për të cituar lirshëm fjalët e Nënë Terezës: A jemi duke bërë gjëra ndoshta të vogla, por me dashurinë madhështore të Perëndisë?

Qofshi me bekimet e Zotit Jezus,

Skerdi Hoxha

Skerdi

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}


Gjithashtu mund të lexoni

Doktrina e Mësimit të Begatisë

Pesë solat e Martin Luther-it dhe Reformacioni Protestant

Halloween – Dita e Reformimit

Vlerësimi i shëndetit shpirtëror sipas pesë qëllimeve, nga 1 deri 5 nga Altin Kita

>