Category: Materiale historike

  • Teksa i afrohemi Pashkës…

    Teksa i afrohemi Pashkës…

    Para disa kohësh, këtu në albkristian.com, kam paraqitur poezinë e Nolit (botuar më 1930), “Moisiu në Mal” (Klikoni këtu). Për këtë poezi, Lasgush Poradeci thoshte se ishte një poezi e përsosur – e përsosur se i kishte të gjitha thosh ai: edhe përmbajtje, edhe formë, edhe stil. Në fakt është shumë e bukur e disi kriptike në vetvete.

    Ka disa mënyra se si mund të shpjegohet ajo vetë në lidhje edhe me autorin e saj, edhe me ato që ai po përjetonte në kohën kur e shkroi. Kini parasysh që në këtë periudhë që u shkrua poezia, ai ishte i mërguar dhe nuk kthehej dot në Shqipëri. Megjithatë ndoshta edhe shpjegimi i mëposhtëm nga pikëpamja biblike (sidomos në kohën e Pashkës, së cilës po i afrohemi) në paralelizëm me ne, si shqiptarë, a si besimtarë, mund të jetë i vlefshëm.

    Janë vetëm dy personazhe ata me të cilët përballemi. Në një mjedis shkretëtire, majë një mali dhe përballë Tokës së Premtuar, Moisiu, trimi me fletë, i lodhur e i frikësuar nga ajo që i thotë zemra se mund të dëgjojë, shkon të bisedojë me Perëndinë për truallin që tashmë, pas 120 vjetësh jetë, e ka vetëm një hap larg – atë tokë të cilën për dyzet vjet hebrenjtë e dalë nga toka e robërisë nuk po e zotëronin dot, të detyruar që të jetonin në humbëtirën prej rëre.

    Kur dëgjon verdiktin e Zotit:

    “Tokën e Shenjtë kurrë s’e shkelni

    Skllevër, bij-skllevësh,

    s’e meritoni . . .”

    aq të rreptë e të tmerrshëm për atë, Liberatorin e popullit të Hyjit, si dhe për brezin e bashkëkohësve të tij, të argumentuar me këtë shprehjen e shkurtër:

    “. . . Se liri s’doni!”  

    të kujtohet shprehja e njohur: “Ishte një gjë të nxirrje Izraelin nga Egjipti, por diçka krejt tjetër të nxirrje Egjiptin nga Izraeli”.

    Sa e vështirë që është të çrrënjosen zakonet e mësuara në gjendje skllavërie, të shkulet mendësia shekullore e robërimit, për të nisur një jetë prej njeriu të lirë – të lirë nga shtypja e një shteti tjetër, por mbi të gjitha, të lirë nga mëkati – një jetë prej krijese të re, të lindur nga Perëndia vetë…

    Kërkesa për mëshirë e Moisiut, më pas ngre para nesh, dëshmitarëve të këtij takimi mbresëlënës, një “Pse?”, krejtësisht legjitime, nga përgjigjja e së cilës të gjithë mund të nxjerrim mësim.

    Zoti i tregon nga larg, (dhe vërtet që Moisiu kurrë nuk e shkeli atë dhè) vendin e aspiratave të një jete për çlirimtarin e kombit të tij: 

    Ja Nazareti, ja Bethlehemi,

    Lum’ i Jordanit, Jerusalemi,

    Mal’ i Sionës, Bethsaidaja,

    Dhe Golgothaja

    Pikërisht renditja e këtyre vendngjarjeve të rëndësishme në Tokën e Premtuar, mendoj se nuk është e paqëllimtë nga ana e Nolit. Tregohen me radhë, nisja e Kumtimit të Ardhjes së Shpëtimtarit në Nazaret, lindja e Tij në Bethlehem, pagëzimi i Jezusit në lumin Jordan që shënoi nisjen e misionit të Mesias, Jerusalemi, Sioni dhe Bethsaida, vendet e mrekullive, shërimeve, predikimeve dhe të gjyqit qesharak që Krishti pësoi, si dhe në fund Golgota e kryqëzimit, e sakrificës së tij unike e të papërsëritshme për të gjithë ne, për të na çliruar nga mëkatet tona – Pashka jonë – në bazë të së cilës është besimi ynë për shpengimin. Kjo strofë kriptike të kujton pikërisht Mateun 16:24-25: “Në qoftë se dikush don të vijë pas meje, ta mohojë vetveten, ta marrë kryqin e vet dhe të më ndjekë. Sepse ai që do të dojë ta shpëtojë jetën e vet, do ta humbasë; por ai që do ta humbasë jetën e vet për hirin tim, do ta gjejë atë”.

    Rrugët e ndjekjes së Perëndisë nuk kanë ndryshuar. Në rast se nuk nisim procesin e pendimit, duke e analizuar dhe shqyrtuar thellë veten, për ta dalluar mëkatin tonë dhe për ta hedhur poshtë të ligën brenda nesh, nëse nuk e mohojmë vetveten, duke marrë secili kryqin e tij, madje deri në vdekje të vetes sonë të vjetër, nuk do të mundemi kurrë që ta ndjekim Zotin e të ndërtojmë ndonjë gjë të qëndrueshme. Në qoftë se do të më falni për ilustrimin pagan: Kështjellat tona do të jenë Rozafa të shembura, Rozafa të shkatërruara, po qe se nuk do të sakrifikojmë duke hequr dorë nga mëkati dhe e liga e botës… Më lejoni gjithashtu edhe një krahasim nga ligjet e fizikës – duke parafrazuar lirisht Ligjin e Tretë të Njutonit për Lëvizjen: “Duhet të shtysh diçka prapa, në mënyrë që të ecësh përpara”. Por sidoqoftë duhet thënë se ky dallim i mëkatit tonë, ky mohim i vetes dhe kjo marrje e kryqit duhet të jenë të orientuara nga vetë Perëndia; ne duhet të ecim në shtigjet e perëndishmërisë, të kthjelltësisë dhe të shenjtërisë; duke parë përtej interesit tonë të ngushtë, për të dalluar të mirën për të gjithë bashkëkombasit dhe për vendin tonë (Letra Drejtuar Filipianëve 2:4).

    Për disa studiues të letërsisë shqipe, dy strofat përmbyllëse të poezisë janë një paralelizëm i qartë mes asaj që përjetoi Moisiu, me atë çka u ballafaqua vetë Noli në vitet 1930. Nga ana tjetër, nuk ka arsye përse këto nota pikëlluese të duhet të aplikohen për çdokënd që i lexon vargjet, shqiptar a besimtar qoftë. Sidomos tani që kuptojmë (nga Fjala e Zotit) se cila është rruga për t’u ndjekur. Pyetja që shtrohet është: A duam ta ndjekim Jezusin, me këtë mënyrë vetëmohuese që na parashtrohet, në këtë Pashkë që kemi përpara e në vazhdim?

    “Le të kremtojmë festën…”, siç thotë Pali te 1 Korintasve 5:8, “… jo me maja të vjetër, as me maja ligësie dhe keqësie, por me bukë pa maja të sinqeritetit dhe të së vërtetës” dhe le të ndjekim shtegun e Krishtit të gjallë, gjithmonë!

    Nga zemra,

    Skerdi Hoxha

  • Halloween – Dita e Reformimit

    Halloween – Dita e Reformimit

    artikull

    31 Tetori ishte dita para “all hallowed’s day” apo dita e përkujtimit të të vdekurve që katoliket e kishin adoptuar nga shekulli VI-IX duke e levizur nga Maji në 1 Nëntor kur Keltët mbaronin festën e tyre të çuditshme Samhain të 31 Tetorit, mbushur me fantazma dhe takime e shmangie takimesh me të vdekurit që në këtë ndërrim stine dukej se ishin më afër se kurrë… ndoshta afrimi i dimrit dhe i shkretimit ishte si afrimi i vdekjes… mbarimi i korrjeve dhe mbledhja e zaireve të dimrit ishte përpjekja e jetës kundër ftohtësisë së vdekjes. Në këtë përballje kujtoheshin për të vdekurit dhe mobilizimi për të patur dashamirësinë e tyre dhe shmangur dashakeqësinë e disave midis tyre i bënte të maskoheshin për të mos u njohur dhe për të frikësuar ato shpirtra të padëshiruar ndërsa shkonin tek varri i të dashurve të vdekur që sigurisht nuk do frikësoheshin meqë kishin vdekur tashmë. Kjo do jetë kthyer edhe në një lloj loje pastaj siç ndodh me ekzagjerimin e natyrshëm të frikës dhe shpresës që përplasen në zemren njerëzore mbushur me bestytni.

    Kur Keltët u bënë të krishterë duket se kuptimi i lutjes apo meshës për të vdekurit që i supozon në purgator do lidhej me këtë festë të mëparshme pagane dhe kisha e adoptoi datën për meshën e “gjithë shpirtrave”. Luteri qëllimisht e gozhdoi letren e 95 tezave në këtë datë sepse kisha do mbushej plot për meshën e të vdekurve ditën tjetër (1 Nentor) dhe kështu filloi edhe reformimi. Eventualisht protestantët erdhen në besimin që nuk ka nevojë për lutjen për të vdekurit (“soul cakes” që kërkoheshin nga të varfrit ishin për t’u “paguar” me thënjen e lutjeve për të vdekurit) pasi nuk besojnë në purgator, por katolikët akoma vazhdojnë këtë traditë. Ishin katolikët nga Irlanda në 1850 që e sollën këtë traditë në USA nga u përhap edhe në Kanada (1920-1930 “trick or treat”) dhe mori ato forma që e shohim sot. Ama reformimi thotë që nuk duhet të kemi frikë nga vdekja, sepse nga hiri me besim në Krishtin jemi të shpëtuar me vdekjen dhe ringjalljen e Krishtit. Ata që besojnë nuk janë të vdekur, por shpirtërisht të gjallë dhe ata që vdiqëm pa besim janë të burgosur pa shpresë dalje për të na frikësuar, por demonët duan të na mbajnë në frikë nëse i lejojmë duke i ndihmuar me këto festime makabre.

  • Kredoja e Nikesë

    Kredoja e Nikesë

    Unë besoj në një PERËNDI, ATIN e gjithëpushtetshëm; Krijuesin e qiellit dhe të tokës, dhe të të gjitha gjërave të dukshme dhe të padukshme.

    Dhe në një ZOT, JEZU KRISHTIN, Birin e vetëm-lindur të Perëndisë, të lindur nga ATI para të gjitha botëve. Perëndi prej Perëndie, Dritë prej Drite, Perëndi i vërtetë prej Perëndie të vërtetë, i lindur, jo i krijuar, i së njëjtës substancë me Atin; me anën e të cilit u bënë të gjitha gjërat; i cili, për ne njerëzit dhe për shpëtimin tonë, zbriti nga qielli, dhe u mishërua prej Frymës së Shenjtë dhe Virgjëreshës Mari, dhe u bë njeri; dhe, gjithashtu, u kryqëzua për ne në kohën e Ponc Pilatit; Ai vuajti dhe u varros; dhe ditën e tretë u ringjall, sipas Shkrimit të Shenjtë; dhe u ngjit në qiell, dhe qëndron në anën e djathtë të Atit; dhe do të vijë përsëri me lavdi, për të gjykuar të gjallët dhe të vdekurit; dhe Mbretëria e Tij nuk do të ketë mbarim.

    Dhe besoj në  FRYMËN E SHENJTË, ZOTIN DHE JETËDHËNËSIN; i cili dërgohet nga ATI dhe BIRI; i cili adhurohet dhe përlëvdohet bashkë me ATIN dhe BIRIN; i cili foli me anë të Profetëve. Dhe besoj në një Kishë të Shenjtë Universale dhe Apostolike. Njoh një Pagëzim për faljen e mëkateve; dhe pres ringjalljen nga të vdekurit, dhe jetën e botës së ardhshme. Amen.

  • Moisiu në Mal (poezi nga Fan Noli)

    Moisiu në Mal (poezi nga Fan Noli)

    Moisiu në Mal (poezi nga Fan Noli)

    Ngjitet përpjetë Malit të shkretë

    Krye-Profeti, trimi me fletë,

    Të bisedonjë me Perëndinë

    Për Palestinë.

     

    Arrin në majë lart i kapitur,

    Qëndron me frikë, pret i tronditur,

    Dhe Jehovaj i flet prej një reje

    Me zë rrufeje:

     

    “Ti dhe të tjerët pleq do të ngelni,

    Tokën e Shenjtë kurrë s’e shkelni

    Skllevër, bij-skllevësh, s’e meritoni

    Se liri s’doni!”

     

    Krye-Profetit dita i ngryset

    Dhe shpirt-këputur përdhe përmbyset

    Me lot në sy, me zemër të ngrirë

    I lyp mëshirë.

     

    Pse kaqë gjatë, Zot, m’arratise,

    Pse më përplase, më përpëlise,

    Pse shpresën dyzet vjet ma ushqeve,

    Dhe sot ma preve?

     

    “Nëm Dhen’ e Lirë! Zot ku ma ke?”

    “Shiko, i tha, dhe ja ku e pe.”

    Së largu Zoti ia pasqyron,

    Dhe e shikon.

     

    Ja Nazareti, ja Bethlehemi,

    Lum’ i Jordanit, Jerusalemi,

    Mal’ i Sionës, Bethsaidaja,

    Dhe Golgothaja,

     

    Sheh gasn’ e pritmë për djalërinë

    Dhe shkretëtirën për pleqërinë,

    Atje sa bukur, këtu sa zi,

    O Moisi.

     

    Këtej ka dimrin, andej pranverën,

    Kërkon parajsën, vdes në Skëterrën;

    Ajme, sa vrer, sa keq e sa zor,

    Liberator!

  • 95 Tezat e Martin Luterit

    95 Tezat e Martin Luterit

    95 Tezat e Martin LuteritAutor: Dr. Femi Cakolli, pastor

    Gjithmonë kur flitet për kishën protestante në përgjithësi assesi s’mund t’i kalosh pa i përmendur 95 tezat e kryereformatorit të krishterimit Martin Luteri, i cili lindi në vitin 1486 në Eisblen, dhe vdiq në vitin 1546. Fundamentalisht kisha protestante u shfaq në horizont me bërjen publike të këtyre tezave të cilat u vunë në derën e kishës së Vitenbergut më 31 tetor 1517. Prandaj edhe sot festohet 31 tetori si Dita e Reformacionit.

    Reformatori, Martin Luther
    Reformatori i madh, Martin Luther

    Praktikisht kishte edhe më përpara disa figura të shquara të teologjisë krishtere, të filozofisë dhe të rilindjes evropiane të cilët me një mënyrë ose tjetrën i kishin shfaqur protestat e tyre kundër dogmatizmit katolik të asaj kohe, por ishte vetëm Martin Luteri ai i cili me anë të 95 tezave të tij të famshme doktrinalisht po jepte përgjigje për të gjitha devijimet e krishterimit mesjetar. Martin Luteri pasi i vendosi këto teza në kishën e qytetit të Vitenbergut, atëherë la porosinë se do të kthehej pas tri ditësh që do t’i mbronte publikisht këto teza. Tri ditët ishin simbolikë biblike, dhe kishte kuptimin e ditëve të ringjalljes së Krishtit, me këtë anologjia ishte në ringjalljen e kishës së vërtetë krishtere në parimet ungjillore dhe në parimet e kishës së hershme krishtere, para se ajo të romanizohej (katolocizmi) ose të helenizohej (ortodoksizmi).

    Kërkesat dhe vizioni i Luterit në këtë kohë nuk ishte që të bënte një kishë të re, por që të reformohej kisha ekzistuese, pra kisha romano-katolike. Doli se kjo ishte një përpjekje dhe një proces i kotë pasi menjëherë pas mbrojtjes publike sulmet dhe ekskomunikimi erdhën nga papati. Prandaj kështu u përgatit Kuvendi i Mirënjohur i cili përfundimisht e shpalli Kishën Protestante në vitin 1524. Kishte edhe shumë figura të tjera të njohura që e vazhduan reformacionin evropian dhe filozofinë e tezave të Luterit, si p.sh. Gj. Kalvini, U. Cvingli, K. Grebel, M.V. Iliriku, F. Melanhton, Xh. Hus, J.A.Komenski, H. Bullinger. Sipas historianit anglez Noel Mallkom, në vitin 1580 në Kosovë ishte një reformator luteran i cili erdhi dhe predikoi mes shqiptarëve ungjillin e Krishtit si dhe shpalosi doktrinën protestante. Kur jemi këtu në të vërtetë aq sa mund ta dokumentojmë deri tash është vetëm viti 1887 kur themelohet kisha e parë protestante ndër shqiptarët, dhe kjo filloi në Manastir, dhe pastaj në Korçë më 1892 në krye me predikuesin e popullit shqiptar Gjerasim Qiriazi.

    Tani t’i shikojmë shpejtas problemet themelore që kapen nga tezat e famshme të Luterit. Gjëja e parë që na bie në sy si një lexues modern i këtij materiali është evidentimet e problemeve teologjike të cilat ishin aktuale në kishën katolike gjatë fillimit të shek. XVI, dhe këto ishin:

    • indulgjencat (shitblerja e letrave që garantonin faljen e mëkateve) e që Luteri këtë e quan pendesa sakramentale;
    • prifti nuk mund të shërbejë si ndërmjetësues për faljen e mëkateve;
    • shpikja e purgatorit;
    • komercalizimi i finesave shpirtërore (nëse jep paranë do të dalësh nga purgatori);
    • autoriteti jo biblik i papës qoftë si pozitë e funksion por edhe si ndërhyrje në pushtetin frymor të Zotit – në një tezë Luteri thotë se nëse papa i dashur paska aq shumë autoritet e dashuri pse ai nuk i zbraz njerëzit nga purgatori por i kërcënon që t’i dërgojë atje vazhdimisht – ose përse kurrë papa, megjithëse është njeriu më i pasur në botë kurrë nuk ndërton vetë një kishë;
    • heshtja e Fjalës së Perëndisë nëpër Kisha nga ndërhyrja e papës dhe e surrogateve të tij;
    • në vend të ceremonive të këtë 100 herë më shumë ungjill kujtdo, dhe shton se thesari më i madh i kishës duhet të jetë ungjilli dhe jo paratë, sepse përmes parave pasurohen të pasurit kurse përmes ungjillit pasurohen të varfrit;
    • keqpërdorimi i kryqit sikur në rastin se kryqi i indulgjencave barazohej nga papa me kryqin e Krishtin, dhe për këtë teologu dhe mjeshtri Luter thotë se është blasfemi;
    • të krishterët parajsën e kanë të sigurt më shumë në bazë të vetëmohimeve të tyre personale në Krishtin sesa nëpërmjet sigurisë së paqes që predikohet nga kleri;
    • Luteri thotë se dashuria mund të rritet vetëm me veprat e dashurisë dhe jo përmes veprave të lëmoshës, letrave të faljes etj.

    Për t’i përmbledhur teologjikisht dhe doktrinalisht të gjitha tezat e Luterit në pesë postulate të reformimit të kishës ato duken kështu:

    Sola fide (Vetëm besimi)

    Shpëtimi vjen vetëm nga besimi në Zotin, dhe njeriu nuk është i detyruar të bëjë vepra të mira për t’u shpëtuar. Në Bibël (tek Letra e Palit drejtuar Romakëve 4:5 thuhet: “Kush pranon se nuk ka asnjë punë (merituese) për të treguar, por i beson Atij që i fal plotësisht fajtorët, del i pafajshëm me anë të pranimit të faljes”.

     

    Sola gratia (Vetëm hiri)

    Shpëtimi, dhe jeta si besimtarë, vjen vetëm nga hiri i Perëndisë, dhe njeriu nuk mund ta fitojë as ta meritojë. Tek Letra e Palit drejtuar Efesianëve 2:8 thuhet: “Jeni të shpëtuar me anë të hirit, nëpërmjet besimit, dhe kjo nuk vjen nga ju, po është dhurata e Perëndisë….”

     

    Sola Christus (Vetëm Krishti)

    Shpëtimi vjen vetëm nga Jezus Krishti, dhe nuk nevojitet asnjë ndërmjetës tjetër. Në Bibël tek libri Veprat e Apostujve 4:12 thuhet: “Vetëm Jezus Krishti mund t’ju sjellë shpëtim….”

    Sola Scriptura (Vetëm Shkrimi i Shenjtë)

    Fjala e Zotit është fjala e fundit në jetën tonë si besimtarë. Po të mos i përputhesh Fjalës së Shenjtë asnjë këshillë tjetër nuk është e drejtë. Tek Vep. 17:11 thuhet: “Ata ishin… duke shqyrtuar çdo ditë Shkrimet për të parë nëse këto gjëra ishin ashtu”.

     

    Soli Deo Gloria (Lavdia vetëm Zotit)

    Lavdia nuk na takon neve. Synimi i jetës sonë nuk është ai që duhet të jemi të suksesshëm, të pasur, të zotët, ose që do t’i plotësojmë nevojat tona. Zoti na ka krijuar dhe na ka shpëtuar me anë të forcës dhe dashurisë së Tij. Ai ka kryer gjithçka në jetët tona, dhe gjithashtu meriton lavdi nga tërë popujt e botës. Tek Efes. 1:11-12 thuhet: “Në të (Zotin) edhe kemi qenë zgjedhur… që ne të jemi për lëvdim të lavdisë së Tij….”

    Kisha protestante i dha njeriut pavarësinë ndaj dogmës krishtere 12 shekullore. Kisha shkarkohet nga autoriteti i saj, duke kaluar tek individi, si koncept për besimin dhe shpëtimin. Kjo e bëri individin e përgjegjshëm dhe të vlefshëm duke krijuar raportin e drejtpërdrejtë: Perëndi-njeri.

    Këta përbërës të Reformacionit, ndikuan në zhvillimin e lirisë shpirtërore, politike, kulturore, artistike dhe ekonomike, për t’iu vënë bazat e shoqërisë moderne evropiane. Erih Fromi, ka hetuar se me protestantizmin janë arritur zhvillimet më të rëndësishme psikologjike që kanë ndodhur ndonjëherë. Ky psikolog bashkëkohor, thotë: “protestantizmi është përgjigje për nevojat njerëzore të individit të frikësuar dhe të izoluar, të shkëputur nga rrënja, i cili në botën e re duhej të gjendej dhe të lidhje me të”. Pra, sipas Fromit, kisha protestante e përgatiti njeriun psikologjikisht, edhe për fillet e punës, si dhe për rolin e njeriut që do të luajë në sistemin industrial”. Një filozof tjetër i quajtur Maks Veber në veprën e tij “Etika protestante dhe shpirti i kapitalizmit” pasqyron thellësisht ndikimin e protestantizmit në zhvillimin ekonomik dhe në diplomaci. Ky rol u jetësua, sepse protestantizmi shemb autoritetet tjera për individin, dhe forcon vetëm me Zotin Perëndi. Përfundimet e këtij psikologu janë se protestantizmi e shpëtoi njeriun shpirtërisht, ndërsa kapitalizmi politikisht. Kisha protestante filloi procesin e atillë që njeriun e detyroi të ballafaqohet personalisht me Zotin, dhe jo përmes hallkave të tjera. Hegeli, për Luterin, tha se më të fillon fryma e lirisë. Luteri u cilësua si luftëtari i arsyes dhe i vetëdijes së lirë.

    Sot në botë dëshmojnë se janë më shumë 600 milionë njerëz të krishterë protestantë, kurse shumicën e tyre e përbëjnë këto shtete: Amerika, Britania e Madhe, Gjermania, Holanda, Zvicra, Çekia, Suedia, Danimarka, Norvegjia, Finlanda, Koreja e Jugut etj.

    Edhe në Kosovë Kisha Protestante është prezente, së paku prej vitit 1884. Aktualisht, falë Zotit Krisht, intelektualëve dhe rinisë shqiptare, që i di rrënjët dhe identitetin e tij, tani komuniteti protestant në Kosovë mund të numërohet me mijëra besimtarët dhe ithtarët e krishterë protestantë.

    ——————–

    Shënim: Ky material nuk mund të kopjohet, përdoret apo shpërndahet pa lejen e vetë autorit apo Shtëpisë Botuese TENDA.