• Kreu
  • /
  • Blog
  • /
  • Ndjehesh i Lënduar? Ka ngushëllim për ty!

Ndjehesh i Lënduar? Ka ngushëllim për ty!

Nga: Mirgen Dhima28 Dhjetor, 2018 0 komente |

ndihesh i lenduar
Burimi i fotos: unsplash.com

A do që të tregosh anën tënde të ngjarjes?

Të rikujtohet vazhdimisht lëndimi i së shkuarës?

Të ka humbur shpresa për shkak të asaj që të kanë bërë?

A i mban shënim në zemrën tënde lëndimet që t’i kanë shkaktuar?

Nëse po, atëherë armiku ka krijuar një të çarë në armaturën tënde.

Kjo e çarë quhet lëndim.

Pse u lëndove?

Ti doje të merrje dashuri pa kushte dhe të të pranonin kështu siç je. Doje që të ishe i veçantë për ta. Prisje të të kuptonin. Dëshiroje të të toleronin kur gaboje. Shpresoje të të respektonin dhe të shihnin sa i vlefshëm je. Kërkoje të besonin në ty dhe të duartrokisnin ëndrrat e tua.

Por ata nuk e bënë. Përkundrazi, shumë të paragjykuan, disa ndoshta u kthyen kundër teje, dikush të hodhi përtokë, të tjerë të lanë në baltë dhe shumica as që e vuri re se ti ekziston.

Të lënduan, të fyen, të ofenduan. Tani ndjehesh i pavlerësuar dhe i tradhtuar. Si është e mundur që të trajtojnë ashtu?

Sa do të doje që t’u tregoje vendin dhe t’u provoje se kush je. Madje do që të gjesh dikë që t’i tregosh sa të dhemb, si u keqtrajtove dhe kush e shkaktoi këtë.

Tani je mbyllur në vetvete dhe nuk do që të besosh më te askush! Mendon se askush nuk është më i denjë që ti t’i hapësh zemrën. Sepse nëse do ta bëje këtë, ke frikë se do të të quajnë budalla dhe do të tallen me ty.

Pse lëndohem kaq lehtë?

Ne lëndohemi sepse presim nga njerëzit atë që ata s’na e japim dot. Pastaj i mbajmë inat gjithë jetën, sepse nuk na japim atë që mendojmë se e meritojmë.

Si t’ja bëj?

Faktikisht, ti ke nevojë për ngushëllim dhe sot ka ngushëllim për ty. Nga Ati i çdo ngushëllimi dhe nga Jezusi që është i njëjti dje, sot e përgjithmonë. Ai do të lidhë plagën e zemrës tënde të thyer. Me vajin dhe verën e Tij, Ai do të të japë përsëri shpresë. Ka plot dashuri sot për ty.

Mrekullia e parë

Kur ti vjen te Jezusi, Ai e shëron zemrën tënde me dashurinë dhe pranimin e Tij.

Mrekullia e dytë

Jezusi nuk do ndryshojë njerëzit rreth teje që të të trajtojnë siç të pëlqen. Por Ai do të ndryshojë ty! Që të mos e vendosësh shpresën te njeriu, por te Perëndia.

Njeriu nuk është burimi yt!

Profeti Jeremia shkroi: “Mallkuar qoftë njeriu që ka besim te njeriu dhe e bën nga mishi krahun e tij, dhe zemra e të cilit largohet nga Zoti! Ai do të jetë si një brukë në shkretëtirë; kur vjen e mira, nuk ka për ta parë. Do të banojë në vende të thata në shkretëtirë, në një tokë të kripur pa banorë.” (Jer 17:5,6). Pse është i mallkuar ai që beson te njeriu? Sepse po e vendos besimin në një themel të lëkundshëm. Njeriu nuk e ka fuqinë për të të ndihmuar.

Po Jezusi a e priste ndihmën nga njeriu?
Ja ç’thotë Gjoni 2:23 “… në Jeruzalem … shumë vetë besuan në emrin e tij duke parë shenjat që bënte”. Sipas nesh, kjo mund të ishte një mundësi që Jezusi të gëzohej sepse u rrethua me njerëz që besuan te Ai. Dhe kjo padyshim që duhet ta bënte të ndjehej mirë. Por faktikisht ndodhi diçka tjetër. “Jezusi nuk u zinte besë atyre, sepse i njihte të gjithë, dhe sepse nuk kishte nevojë që ndokush të jepte dëshmi për njeriun, sepse ai e dinte ç`kishte përbrenda njeriut.” (Gj 2:24,25). Jezusi e dinte ç’kishte përbrenda njeriu. E dinte që njeriu nuk kishte fuqi për ta ndihmuar. Prandaj nuk u mbështet te njerëzit. Prandaj nuk priti prej tyre. Prandaj nuk u besoi.

Bëje Perëndinë Burimin tënd!

Profeti Jeremia vazhdoi: “Lum ai njeri që beson te Zoti dhe besimi i të cilit është Zoti! Ai do të jetë si një pemë i mbjellë pranë ujit, që i shtrin rrënjët e tij gjatë lumit. Nuk do ta ndjejë kur vjen vapa dhe gjethet e tij do të mbeten të gjelbra; në vitin e thatësirës nuk do të ketë asnjë shqetësim dhe do të vazhdojë të mbajë fryte.”  (Jer 17:7,8) Bëje Perëndinë Burimin tënd! Njeriu nuk është burimi yt dhe nuk mundet të jetë kurrë i tillë. Vetëm Perëndia është burimi i vërtetë. Dashurinë për të cilën ke nevojë mund ta gjesh vetëm te Ai. Te Jezusi mund të gjesh pranimin kështu siç je, vlerësimin dhe rëndësinë, mirëkuptimin, shpresën, mbrojtjen dhe furnizimin për çdo nevojë tënden.

Gabimi i Izraelit

Shiko për çfarë e qorton Perëndia Izraelin: “Habituni, o qiej, me këtë; lebetituni dhe dëshpërohuni shumë”, thotë Zoti. “Sepse populli im ka kryer dy të këqija: më ka braktisur mua, burimin e ujit që rrjedh, për të hapur sterna, sterna të prishura, që nuk e mbajnë ujin.”  (Jer2:12,13) Le të mos bëjmë të njëjtin gabim si ata! Le të mos e braktisim Zotin që është burimi i çdo të mire që ne kemi nevojë. Në fakt, disa njerëz me buzë thonë që Zoti është burimi i tyre, por në realitet presin nga njeriu. Njerëz të tillë të mos presin gjë nga Perëndia.

Kush është Jezusi për mua?

Përgjigja ime përcakton lëndimet apo lumturinë time në të ardhmen?

A është Perëndia gjithçka për ty? A të mjafton Jezusi? Apo ke nevojë patjetër për njerëzit? Nëse Jezusi nuk është i vetmi për të Cilin ti ke nevojë, atëherë je në gjendje të mjerueshme. Për shkak se ti mendon se ke nevojë për diçka tjetër që të jesh i lumtur dhe i plotë, atëherë Satani mund të prekë apo dëmtojë pikërisht atë gjë dhe lumturia jote do të humbasë. Psh, nëse nuk mund të flesh i qetë kur familja jote nuk bie dakord të mendojë si ty. Atëherë mjafton që djalli t’i tundojë ata të bëjnë të kundërtën e asaj që ti do dhe paqja jote do të humbasë. Ose nëse ti do që njerëzit të të përshëndesin dhe të të bëjnë shokun e tyre të ngushtë, ti do ta humbasësh gëzimin kur ata do të jenë të zënë me punë dhe s’do ta kenë mendjen te ty.

“I dua” apo “kam nevojë për ta”?

Shpesh ti mund të thuash që “unë i dua njerëzit”. Por ajo që nënkupton mund të jetë “unë kam nevojë për njerëzit dhe s’bëj dot pa ata”, “unë kam nevojë që ata të më japin këtë e atë”, “unë kënaqem kur jam në qendër të vëmendjes së tyre” dhe “dua që të më trajtojnë siç e meritoj”. Ka ndryshim midis “ta duash tjetrin” dhe “të kesh nevojë për tjetrin”. Të duash do të thotë të japësh nga vetja te tjetri, kurse të kesh nevojë do të thotë që të presësh që tjetri të të japë ty.

Po Jezusi? A s’kishte nevojë për njerëzit?

Jezusi i donte njerëzit, por nuk kishte patjetër nevojë për ta. Ati ishte burimi i Jezusit. Jezusi kishte nevojë për Atin dhe jo për njeriun. “I keqtrajtuar dhe i përulur, nuk e hapi gojën. Si një qengj që e çojnë në thertore, si një dele e heshtur përpara atyre që i qethin nuk e hapi gojën.”  (Is 53:7). Jezusi mund të kishte patur të drejtë ta hapte gojën dhe të ankohej. Sepse ata ishin njerëzit që ai shëroi, i bekoi dhe u dha bukë. Madje Ai nuk e hapi gojën as kur e tradhtuan të vetët, kur e shitën, kur e mohuan dhe kur e lanë në baltë. Pse? Sepse njerëzit nuk ishin Burimi i Tij. Ati ishte Burimi i Tij. Ishte vetëm një moment kur Jezusi e hapi gojën, kur tha: “Perëndia im, Perëndia im, përse më ke braktisur?”  Pra, për sa kohë Perëndia nuk e braktiste, Jezusi nuk e kishte problem. Nëse Perëndia ishte me Të, s’kishte rëndësi nëse njerëzit ishin apo nuk ishin me Të.

Kupto që (thellësisht) ti ke nevojë vetëm për Të dhe jo për njerëzit. Shih ç’thotë psalmisti: “Cilin kam në qiell veç teje? Dhe mbi tokë nuk dëshiroj tjetër njeri veç teje. Mishi im dhe zemra ime nuk mund të ligështohen, por Perëndia është kështjella e zemrës sime dhe pjesa ime në përjetësi. Por sa për mua, e mira është t`i afrohem Perëndisë; e kam bërë Zotin tim, Zotin, strehën time, për të treguar gjithë veprat e tua.”  (Ps 73:25,26,28)

Perëndia është më shumë se i mjaftueshëm për mua

Lër që Zoti Jezus të jetë sot Pjesa Jote! Ai është El Shaddai, Perëndia më shumë se i mjaftushëm për ty. Ai të del dhe të tepron. Ngopu dhe kënaqu me dashurinë që Ai të jep. Lëre që Ai të jetë Gjithçkaja jote! Kur Jezusi të jetë gjithçka për ty, atëherë nuk ka rëndësi se si veprojnë njerëzit ndaj teje. Zemra jote nuk është në duart e tyre. Sepse sot ti e vendose zemrën tënde në duart e Jezusit! Halleluja!

* * *

Poho me zë të lartë:

+ Jezusi është Burimi im.

+ Njerëzit dhe gjërat janë thjesht mjetet që Zoti përdor për të më ndihmuar.

+ Njerëzit dhe gjërat nuk janë burimi im.

+ Shumë thonë me buzë se “besojnë” te Zoti, por unë me zemër i besoj Atij dhe mbështetem te Ai.

+ Unë nuk do t’i nënshtrohem tundimit që të heq fokusin tim nga Perëndia dhe të bëj diçka apo dikë tjetër burimin dhe thesarin tim.

+ Unë e di që Zoti është bariu i mirë, por sot unë zgjedh personalisht ta bëj Atë Bariun TIM, prandaj e di që asgjë nuk do të më mungojë.

+ Unë e di që Zoti është strehë dhe mbrojtje, por sot unë zgjedh personalisht ta bëj Atë Strehën dhe Mbrojtjen TIME, prandaj e di që asnjë e keqe nuk të më prekë.

* * *

Autori: Mirgen Dhima

Mirgen Dhima

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}

Etiketa


Gjithashtu mund të lexoni

Realiteti Parësor

Vajosja e Saulit

Teksa i afrohemi Pashkës…

“Baticat” dhe “Zbaticat” Frymërore

>