• Kreu
  • /
  • Blog
  • /
  • Teksa i afrohemi Pashkës…

Teksa i afrohemi Pashkës…

Nga: Skerdi20 Mars, 2021 0 komente |

Para disa kohësh, këtu në albkristian.com, kam paraqitur poezinë e Nolit (botuar më 1930), “Moisiu në Mal” (Klikoni këtu). Për këtë poezi, Lasgush Poradeci thoshte se ishte një poezi e përsosur – e përsosur se i kishte të gjitha thosh ai: edhe përmbajtje, edhe formë, edhe stil. Në fakt është shumë e bukur e disi kriptike në vetvete.

Ka disa mënyra se si mund të shpjegohet ajo vetë në lidhje edhe me autorin e saj, edhe me ato që ai po përjetonte në kohën kur e shkroi. Kini parasysh që në këtë periudhë që u shkrua poezia, ai ishte i mërguar dhe nuk kthehej dot në Shqipëri. Megjithatë ndoshta edhe shpjegimi i mëposhtëm nga pikëpamja biblike (sidomos në kohën e Pashkës, së cilës po i afrohemi) në paralelizëm me ne, si shqiptarë, a si besimtarë, mund të jetë i vlefshëm.

Janë vetëm dy personazhe ata me të cilët përballemi. Në një mjedis shkretëtire, majë një mali dhe përballë Tokës së Premtuar, Moisiu, trimi me fletë, i lodhur e i frikësuar nga ajo që i thotë zemra se mund të dëgjojë, shkon të bisedojë me Perëndinë për truallin që tashmë, pas 120 vjetësh jetë, e ka vetëm një hap larg – atë tokë të cilën për dyzet vjet hebrenjtë e dalë nga toka e robërisë nuk po e zotëronin dot, të detyruar që të jetonin në humbëtirën prej rëre.

Kur dëgjon verdiktin e Zotit:

“Tokën e Shenjtë kurrë s’e shkelni

Skllevër, bij-skllevësh,

s’e meritoni . . .”

aq të rreptë e të tmerrshëm për atë, Liberatorin e popullit të Hyjit, si dhe për brezin e bashkëkohësve të tij, të argumentuar me këtë shprehjen e shkurtër:

“. . . Se liri s’doni!”  

të kujtohet shprehja e njohur: “Ishte një gjë të nxirrje Izraelin nga Egjipti, por diçka krejt tjetër të nxirrje Egjiptin nga Izraeli”.

Sa e vështirë që është të çrrënjosen zakonet e mësuara në gjendje skllavërie, të shkulet mendësia shekullore e robërimit, për të nisur një jetë prej njeriu të lirë – të lirë nga shtypja e një shteti tjetër, por mbi të gjitha, të lirë nga mëkati – një jetë prej krijese të re, të lindur nga Perëndia vetë…

Kërkesa për mëshirë e Moisiut, më pas ngre para nesh, dëshmitarëve të këtij takimi mbresëlënës, një “Pse?”, krejtësisht legjitime, nga përgjigjja e së cilës të gjithë mund të nxjerrim mësim.

Zoti i tregon nga larg, (dhe vërtet që Moisiu kurrë nuk e shkeli atë dhè) vendin e aspiratave të një jete për çlirimtarin e kombit të tij: 

Ja Nazareti, ja Bethlehemi,

Lum’ i Jordanit, Jerusalemi,

Mal’ i Sionës, Bethsaidaja,

Dhe Golgothaja

Pikërisht renditja e këtyre vendngjarjeve të rëndësishme në Tokën e Premtuar, mendoj se nuk është e paqëllimtë nga ana e Nolit. Tregohen me radhë, nisja e Kumtimit të Ardhjes së Shpëtimtarit në Nazaret, lindja e Tij në Bethlehem, pagëzimi i Jezusit në lumin Jordan që shënoi nisjen e misionit të Mesias, Jerusalemi, Sioni dhe Bethsaida, vendet e mrekullive, shërimeve, predikimeve dhe të gjyqit qesharak që Krishti pësoi, si dhe në fund Golgota e kryqëzimit, e sakrificës së tij unike e të papërsëritshme për të gjithë ne, për të na çliruar nga mëkatet tona – Pashka jonë – në bazë të së cilës është besimi ynë për shpengimin. Kjo strofë kriptike të kujton pikërisht Mateun 16:24-25: “Në qoftë se dikush don të vijë pas meje, ta mohojë vetveten, ta marrë kryqin e vet dhe të më ndjekë. Sepse ai që do të dojë ta shpëtojë jetën e vet, do ta humbasë; por ai që do ta humbasë jetën e vet për hirin tim, do ta gjejë atë”.

Rrugët e ndjekjes së Perëndisë nuk kanë ndryshuar. Në rast se nuk nisim procesin e pendimit, duke e analizuar dhe shqyrtuar thellë veten, për ta dalluar mëkatin tonë dhe për ta hedhur poshtë të ligën brenda nesh, nëse nuk e mohojmë vetveten, duke marrë secili kryqin e tij, madje deri në vdekje të vetes sonë të vjetër, nuk do të mundemi kurrë që ta ndjekim Zotin e të ndërtojmë ndonjë gjë të qëndrueshme. Në qoftë se do të më falni për ilustrimin pagan: Kështjellat tona do të jenë Rozafa të shembura, Rozafa të shkatërruara, po qe se nuk do të sakrifikojmë duke hequr dorë nga mëkati dhe e liga e botës… Më lejoni gjithashtu edhe një krahasim nga ligjet e fizikës – duke parafrazuar lirisht Ligjin e Tretë të Njutonit për Lëvizjen: “Duhet të shtysh diçka prapa, në mënyrë që të ecësh përpara”. Por sidoqoftë duhet thënë se ky dallim i mëkatit tonë, ky mohim i vetes dhe kjo marrje e kryqit duhet të jenë të orientuara nga vetë Perëndia; ne duhet të ecim në shtigjet e perëndishmërisë, të kthjelltësisë dhe të shenjtërisë; duke parë përtej interesit tonë të ngushtë, për të dalluar të mirën për të gjithë bashkëkombasit dhe për vendin tonë (Letra Drejtuar Filipianëve 2:4).

Për disa studiues të letërsisë shqipe, dy strofat përmbyllëse të poezisë janë një paralelizëm i qartë mes asaj që përjetoi Moisiu, me atë çka u ballafaqua vetë Noli në vitet 1930. Nga ana tjetër, nuk ka arsye përse këto nota pikëlluese të duhet të aplikohen për çdokënd që i lexon vargjet, shqiptar a besimtar qoftë. Sidomos tani që kuptojmë (nga Fjala e Zotit) se cila është rruga për t’u ndjekur. Pyetja që shtrohet është: A duam ta ndjekim Jezusin, me këtë mënyrë vetëmohuese që na parashtrohet, në këtë Pashkë që kemi përpara e në vazhdim?

“Le të kremtojmë festën…”, siç thotë Pali te 1 Korintasve 5:8, “… jo me maja të vjetër, as me maja ligësie dhe keqësie, por me bukë pa maja të sinqeritetit dhe të së vërtetës” dhe le të ndjekim shtegun e Krishtit të gjallë, gjithmonë!

Nga zemra,

Skerdi Hoxha

Skerdi

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}

Etiketa


Gjithashtu mund të lexoni

Doktrina e Mësimit të Begatisë

Pesë solat e Martin Luther-it dhe Reformacioni Protestant

Halloween – Dita e Reformimit

Vlerësimi i shëndetit shpirtëror sipas pesë qëllimeve, nga 1 deri 5 nga Altin Kita

>