• Kreu
  • /
  • Blog
  • /
  • Kur vijnë mundimi ose përndjekja…

Kur vijnë mundimi ose përndjekja…

Nga: Skerdi11 Prill, 2019 0 komente |

Dhe ai që ka marrë farën nëpër gurishte, është ai që dëgjon fjalën dhe e pranon menjëherë me gëzim; por, nuk ka rrënjë në vete, dhe është për pak kohë; dhe kur vijnë mundimi ose përndjekja për shkak të fjalës, skandalizohet menjëherë.

Mateu 13:20-21

Tek vargu i mësipërm është e veçantë dhe të bie në sy, fjala: “skandalizohet”. Është një fjalë që nuk përdoret dendur e del në pah veçmas të tjerave…

Në versione të tjera përkthimi të Biblës, fjala origjinale në greqisht “skandalizetai” mund të gjendet e përkthyer edhe “ofendohet”, si edhe “largohet”. Në fjalorin e gjuhës shqipe, fjala “skandalizohem” ka përkufizimin: “Zemërohem dhe e ndiej veten të fyer para ngjarjesh a veprimesh që janë në kundërshtim me normat morale e me rregullat e shoqërisë”.

Pra, vihet një paralelizëm mes skandalizimit, ofendimit, fyerjes së pësuar nga ne dhe largimit nga Perëndia, burimi jetëdhënës i çdo gjallese…. Ky ofendim mund të na largojë nga Zoti. “Në qoftë se ju nuk ua falni njerëzve gabimet e tyre, as Ati juaj nuk do t`jua falë juve gabimet tuaja”. (Mateu 6:15)

___________________________________________________________________

Në një prizëm tjetër meditimi, duam ose nuk duam ne, të gjithë kemi apo vendosim disa parime, rregulla, norma e ndoshta edhe pritshmëri në lidhje me jetën tonë. Mos ndoshta kemi ndër këto parime tonat, se tani që besojmë dhe ndjekim Krishtin, kundër nesh nuk do të vijnë mundime a persekutime? Dhe më pas, kur ndeshemi me to, ose ndoshta kur zhgënjehemi, ne fyhemi e zemërohemi nga këto sulme?

Thirrja e Jezusit në këtë varg është që ne të mos skandalizohemi kur të vijnë mundimet dhe përndjekjet të cilat këtu përshkruhen si të pashmangshme e që duhen pritur nga ne. Dhe kjo thirrje e Zotit merr edhe më tepër forcë nga fakti që Jezusi jo vetëm që na ftoi të mos e humbisnim toruan kur këto mundime e përndjekje të vinin, por edhe e zbatoi vetë këtë qëndrim. Duroi fyerje e tallje, përqeshje dhe turpërim, kamxhikë e gozhda, i paofendueshëm nga asnjëra prej tyre. Asnjë braktisje nuk e lëndoi aq fort në zemrën e Tij, asnjë gozhdë nuk e shpoi aq thellë në mishin e Tij e asnjë përçmim nuk e depërtoi aq shumë në shpirtin e Tij, sa ta ndalonte Jezusin që të thoshte: “O Atë, fali ata sepse nuk dinë ç’bëjnë!”. (Luka 23:34)

Thirrja dhe ftesa e Tij për ne sot është që të kemi të njëjtin qëndrim të përulur si Krishti dhe më lejoni ta ritheksoj: “të jemi të paofendueshëm” nga shtizat që hidhen kundër nesh e me të cilat përballemi vazhdimisht. Të mos skandalizohemi e të kemi pritshmëri të ulura për atë që na sjell jeta. Do kemi mundime, do kemi përndjekje … edhe siç thuhet këtu “për shkak të fjalës” – për shkak të Jezusit që banon tek ne. Por pikërisht për shkak të Tij, për shkak të përkrahjes së Tij, edhe fitorja jonë do jetë shumë më e madhe. Ai që e ka mposhtur vdekjen, patjetër që na ndihmon kur vijnë këto sulme.

Mendo për gëzimin e fitores kur ti iu reziston e iu qëndron pa u thyer këtyre mundimeve! Mendo për fitoren e madhe që ke përpara dhe inkurajohu që Krishti banon brenda në zemrën tënde! Me Të mund t’ia dalim mbanë!

Le të japim fryte faljeje, fryte paqeje e të qëndrojmë të paofendueshëm sot e në vazhdim! Zoti na ndihmoftë që të rezistojmë deri në fund duke ia dorëzuar Atij çdo sfidë!

Skerdi Hoxha

Skerdi

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}

Etiketa


Gjithashtu mund të lexoni

Doktrina e Mësimit të Begatisë

Pesë solat e Martin Luther-it dhe Reformacioni Protestant

Halloween – Dita e Reformimit

Vlerësimi i shëndetit shpirtëror sipas pesë qëllimeve, nga 1 deri 5 nga Altin Kita

Review Your Cart
0
Add Coupon Code
Subtotal

 
>