Doktrina e quajtur shpesh mësimi i begatisë, thotë se begatia materiale është shenja e bekimit të Perëndisë. Sipas disa prej mbështetësve të saj, fjala farë tek Marku 4:8 ka kuptimin e parasë, që një person jep në kishë apo në ndonjë shërbesë tjetër të krishterë. Meqenëse fara, për të cilën flet vargu: “Dha fryt që rritej, dhe shtohej dhe mbante njëra tridhjetë, tjetra gjashtëdhjetë dhe tjetra njëqind”, kjo tregon, thonë ata, se personi që jep mund të jetë tërësisht i sigurt se ky investim do t’i kthehet në vlerë monetare shumë herë më tepër.
Mësimi i “begatisë” dështon sepse ai, si shumë doktrina të tjera të rreme, mbithekson një të vërtetë në kurriz të një tjetre. Ajo është një pikëpamje e paekuilibruar dhe e shtrembëruar. Sipas Mateut 6:33, Perëndia ka premtuar se do të plotësojë nevojat e atyre që kërkojnë së pari mbretërinë e Tij. Por kjo është një çështje e cila qëndron shumë larg nga premtimi për t’i pasuruar të gjithë të krishterët me anë të standardeve të botës. Bibla dokumenton jetët e shumë burrave dhe grave të perëndishme, duke përfshirë edhe Palin, të cilët përjetuan kohë ngushtice dhe varfërie materiale (2 Korintasve 6:3-10). Vetë Jezusi tha se Ai nuk kishte asnjë vend ku të vinte kokën (Mateu 8:20). Ai hyri në Jeruzalem mbi një gomar, që ishte marrë me qera (Luka 19:28-35). Madje në vdekjen e Tij ia morën edhe rrobat (Luka 23:34). A mos vallë mungesa e të mirave të kësaj bote ku u gjend Ai do të thotë se Perëndia nuk ishte i kënaqur me Të? Sigurisht që jo.
Ideja se zotërimi i pasurisë është automatikisht një shenjë e bekimit të Perëndisë mbi një të krishterë është e gabuar. Ne nuk duhet të kemi turp nga të qenit të varfër, në rast se kjo është gjendja jonë. Disa nga shenjtorët më të mëdhenj nuk kanë pasur gjë tjetër përveç rrobave që vishnin. Në të njëjtën kohë, ne as nuk duhet të krenohemi se jemi të varfër! Varfëria nuk është një dëshmi e të qenit frymëror. Bibla na mëson se qëllimi i Perëndisë nuk është që të na bëjë të pasur ose të varfër, por që të na japë formë në imazhin e Birit të Tij (Romakëve 8:29). Jezusi dha gjithçka kishte për të na shpëtuar. Dëshira për t’u dhënë të tjerëve, ashtu siç bëri Ai, pavarësisht nëse kemi shumë apo pak, duhet të jetë motivi ynë për të dhënë (2 Korintasve 8:9).
Kjo nuk do të thotë që gjërat materiale nuk janë frymërore, sepse ne e pohojmë me siguri që Perëndia ynë është bujar. Ai na jep në një masë shumë më të madhe sesa ajo që ne i kemi dhënë ndonjëherë Atij. Ashtu siç tha edhe Vetë Jezusi tek Luka 6:38: “Jepni dhe do t’ju jepet: një masë e mirë, e ngjeshur, e tundur, gufuese do t’ju jepet në prehër, sepse me atë masë që do të matni, do t’ju matet edhe juve përsëri”. Vini re standardin: është masa me të cilën masim. Ndonjëherë ky shpërblim merr formën e begatisë materiale, ashtu siç Pali nuk hezitoi t’u thoshte korintasve. “Por ju them këtë: Ai që mbjell me kursim, do të korrë po me kursim”, tha ai “dhe ai që mbjell me bujari edhe do të korrë me bujari” (2 Korintasve 9:6). Ne mund të mos jemi dakord me disa nga gjërat që thonë miqtë tanë të mësimit të begatisë, por ne mund t’i falenderojmë ata që na kujtojnë se Perëndia ynë është një Perëndi bujar. Ai do të na bekojë si materialisht, edhe frymërisht, ashtu si të zgjedhë Ai.
Një studim i asaj që thotë Bibla mbi gjërat materiale na drejton tek pesë parimet e mëposhtme. Unë besoj se ato do të na ndihmojnë që të mbajmë një pikëpamje të ekuilibruar dhe biblike.
1. Ne nuk duhet ta bëjmë pasurinë perëndinë tonë (Mateu 6:24; 1 Timoteut 6:5; Jakobi 4:1-3).
2. Ne duhet të mësojmë që të jemi dhënës të gëzuar (2 Korintasve 9:7).
3. Ne duhet të japim të paktën një të dhjetën e të ardhurave tona për të mbështetur veprën e Perëndisë (Malakia 3:6-12; Mateu 23:23).
4. Ne duhet të mësojmë që t’ia dalim mbanë edhe pa pasur, kur ky është vullneti i Perëndisë për ne (Filipianëve 4:12-13).
5. Ne duhet të kuptojmë parimin më të madh, i cili është: “Më lum është të japësh sesa të marrësh!” (Veprat 20:35).
Fragment i marrë nga libri “Letrat e Palit drejtuar pastorëve” me autor John R. Burgan