• Kreu
  • /
  • Blog
  • /
  • Një qëndrim i krishterë ungjillor për sulmin ndaj martesës

Një qëndrim i krishterë ungjillor për sulmin ndaj martesës

Nga: Ylli Doçi10 Shtator, 2021 0 komente |

martesa tradicionale shqiptare biblike
Ri-botuar me leje nga VUSH & autori Ylli Doçi. Linku origjinal

Data e botimit: 14 Qershor 2016

Ne të krishterët Ungjillorë, afirmojmë mençurinë e ruajtjes së shenjtërisë së martesës dhe rolit të saj të rëndësishëm shoqëror për lulëzimin e jetës njerëzore.

Arsyeja e kësaj deklarate të mëposhtme është mësymja shkatërruese e martesës tradicionale si koncept dhe si realitet. Në të gjitha kulturat njerëzore sado të ndryshme, gjithmonë deri më sot edhe pa lidhje me fenë, martesa ka qenë qartazi midis dy gjinive “mashkull” dhe “femër.” Përjashtimi i gjinisë nga përkufizimi i martesës (që nënkuptohet nga iniciativa për ndryshimin e Kodit të Familjes Shqiptare me formulimin e lidhjes homoseksuale njëgjinore si martesë) përbën një revolucion përmbysës dhe një arrogancë përbuzëse të gjithë mençurisë së konfirmuar të kulturës njerëzore të të gjitha kohërave si edhe përbaltje e pashlyeshme e kulturës tradicionale Shqiptare.

Ne si të Krishterë Ungjillorë kemi mbi të gjitha edhe arsyet biblike për të mbrojtur kuptimin tradicional të martesës midis një burri dhe një gruaje:

1. Krijimi

Njeriu u krijua dhe do mbetet pandryshueshmërisht seksualisht i përkufizuar mashkull dhe femër në plotësinë e vet organike, funksionale, biologjike dhe potencialisht riprodhuese (Zanafilla 1).

2. Martesa

Martesa si institucioni administrues i plotësisë seksuale është mençuria e konfirmuar për mirëqenien e shoqërisë në vazhdimësinë e saj funksionale dhe kulturore duke parashikuar kultivimin e frytit të dashurisë, fëmijën (Ligji i Përtërirë 6).

3. Seksi

Marrëdhënia seksuale nuk është një mall konsumi por një lidhës ndërpersonal me pasoja të thella personale dhe shoqërore prandaj e drejta për abstenim ose përfshirje në marrëdhënie seksuale duhet parë në kontekstin e funksionit të lidhjes psikofizike seksuale dhe organikisht potencialisht riprodhuese (1 Korintasve 6 & 7).

4. Imoraliteti

Imoraliteti nuk është gjë e re për historinë njerëzore por institucionalizimi i imoralitetit është braktisja e mençurisë së jetës me pasoja shkatërrimtare në çdo nivel, personal, shoqëror dhe kulturor (Romakeve 1:28-32).

5. Modeli

Përkushtimi në martesë i një burri me një grua deri sa vdekja t’i ndajë është më shumë se një përkushtim njerëzor i konfirmuar në mençurinë mijëvjeçare të kulturave njerëzore sepse për të Krishterët ajo është një shenjë e përkushtimit të Perëndisë ndaj njeriut (që shërben si modeli ideal i dashurisë së përkushtuar) dhe lumturisë së bashkimit përgjithmonë me Perëndinë përmes Jezus Krishtit (Efesianëve 5).

Çështje paraprake rreth synimeve për ndryshim të Kodit të Familjes:

1. Keqpërdorimi i “diskriminimit” të pakicës po denigron shumicën:

Martesa nuk përjashton askënd nga hyrja në lidhjen funksionale që ajo nënkupton. Nga vetë natyra organike seksualisht funksionale e bashkimit martesor nënkuptohet thjesht një burrë dhe një grua dhe për këtë arsye akuza se martesa diskriminon njerëzit është pa kuptim dhe synon të imponojë një keqpërdorim të fjalës “diskriminim.” Lidhja martesore biologjikisht organike riprodhuese nuk funksionon me dy burra apo dy gra kështu që është mosdashje dhe refuzim të pranohet ç‘është martesa kur konsiderohet diskriminim mosaplikimi i fjalës “martesë” për lidhjen homoseksuale.

2. Nuk ekziston interes i mjaftueshëm për të ndryshuar Kodin e Familjes Shqiptare:

Diskutimi i tanishëm në Shqipëri nuk duhet të jetë “si” të ndryshojmë Kodin e Familjes për të akomoduar homoseksualët por “nëse” duhet të diskutojmë të ndryshojë Kodi i Familjes në lidhje me këtë çështje. Ndryshimi i ligjit për martesën as që përben një çështje për Shqiptarët por është një importim ideologjik i pakicës më të vogël që është dëgjuar të flasë me një zë të organizuar ndonjëherë. Prandaj, për shkak se kemi të bëjmë me një numër neglizhueshmërisht të vogël homoseksualësh dhe mbeshtetësish ideologjikë të tyre për ndryshim të Kodit të Familjes Shqiptare, është e pajustifikueshme të imponohet ndryshimi i këtij kodi që prek të gjithë njerëzit.

3. Nuk është një çështje fetare por kulturore dhe mirëqenie shoqërore:

Ndryshimi i Kodit të Familjes Shqiptare në imponimin e ndryshimit të përkufizimit të martesës për të përfshirë lidhjen seksuale të dy njerëzve me të njëjtin seks nuk është një sulm kundër fesë por kundër kuptimit të thjeshtë të gjithë kulturave njerëzore dhe pothuajse të gjithë përfaqësuesve të familjeve shqiptare dhe shumicës dërrmuese të të gjithë njerëzve me fe apo pa fe. Martesa nënkupton konsumimin seksual të lidhjes së vetme biologjikisht organike ngjizëse të jetës së re të njeriut. Është pikërisht prodhimi i pritshëm i lidhjes organike seksuale, fëmija, që justifikon interesimin e shoqërisë dhe shtetit për martesën që të funksionojë optimalisht në një kontekst shoqëror të përshtatshëm për zhvillim normal. Feja nuk është shpikësja e kësaj lidhje martesore dhe diskutimi i martesës sikur është shpikje e fesë ka qellim shmangien e qartësisë për këtë çështje duke dhënë idenë se po sulmohet obskurantizmi fetar kur në të vërtetë po sulmohet një kuptimi i qartë i realitetit njerëzor, si lindin bebet dhe pse duhet ruajtur kjo dinamike.

Qëndrimi ynë si Ungjillorë ndaj synimeve për ndryshim të përkufizimit të martesës qartëson:

1. Martesa si koncept i referohet një realiteti të rëndësishëm për shoqërinë njerëzore.

Realiteti i martesës ndryshe nga fjala dhe koncepti “martesë” nuk është një shpikje ligjore e njeriut por në dallim të këtij realiteti njeriu ka deklaruar si martesë atë që përfshin realitetin dygjinor dhe riprodhues të një burri dhe një gruaje me vlerësimin e rëndësisë së mbrojtjes së vazhdimësisë së jetës dhe mirëqenies së frytit njerëzor të martesës. Thjesht ky realitet dinamik i një burri dhe një gruaje në lidhjen e tyre seksuale me riprodhimin dhe rëndësinë e vet është baza e asaj që e quajmë “martesë” dhe nuk ka pse të jetë aq e vështirë për të dalluar çfarë nuk është martesë.

Martesa pra nuk është një formulim konceptual i një lidhje të çfarëdoshme njerëzish për marrëdhënie dashurie dhe përkushtim për njeri-tjetrin siç e reduktojnë disa (ata që duan të thonë se dy burra mund të përkushtohen të duan njeri-tjetrin) por është lidhje unikale (me referim ndaj kapacitetit ndërveprues riprodhues) e një burri me një grua që do të mbetet e pandryshueshme sa të ketë jetë mbi tokë.

2. Interesi ligjor për martesën lidhet kryesisht me mbrojtjen e frytit të marrëdhënies seksuale, fëmijën.

Martesa është kryesisht për kultivimin e fëmijëve që ngjizen, lindin dhe rriten në këtë lidhje burri dhe gruaje. Kjo është arsyeja pse shoqëria u ka siguruar mbrojtje këtyre të martuarve me ligje dalluese dhe vlerësues të kësaj situate si të rëndësishme për t’u ruajtur apo inkurajuar. Interesimi i madh shoqëror është për mbrojtjen e fëmijëve që lindin nga marrëdhënia seksuale dhe jo për zgjedhjet emocionale të njerëzve në lidhjet e tyre dashurore.
Ripërkufizimi i martesës ndryshe është një ndryshim i fokusit tek të rriturit dhe jo tek fëmijët që duhet dalluar si një zhvendosje kulturore rrezikuese e funksionimit të shoqërisë me dëme të rënda për njerëzit.

3. Ndryshimi i konceptit të martesës sjell cenimin real të gjithë njerëzve:

Nëse martesa do ripërkufizohej, të gjithë do të cenohen sepse ripërkufizohet natyra baze e lidhjes martesore që është institucioni i parë shoqërizues i fëmijëve ku ata mësojnë referencat e para për realitetin njerëzor. Ripërkufizimi konceptual i martesës me futjen e lidhjeve të të njëjtit seks në të, do ta bënte martesën sikur të ishte pa lidhje me gjininë seksuale dhe fëmijët do të instruktoheshin të mendonin njerëzit e martuar pa identitet të qartë gjinor/seksual.

Ky ripërkufizim i martesës do të sugjeronte sikur ekziston një realitet i ri ndërveprimi bashkëshortësh që do të mohonte të drejtat e çifteve tradicionale të martuara për të qenë pjesë e një lidhje unike të rezervuar për një burrë dhe një grua bazuar në potencialit e tyre biologjik dhe riprodhues. Kjo gjendje e përzier me homoseksualizmin në institucionin e martesës do ti detyronte çiftet tradicionale të bëhen pjesë e një institucioni të ndryshuar radikalisht aq sa terminologjia “grua,” “burrë,” “nënë,” “baba,” do të ishin ideologjikisht të ndryshuara për të nënkuptuar diçka tjetër nga sa thotë kuptimi normal i fjalës. Kështu këto çifte tradicionale do të jenë të kërcënuara për të qënë në kundërshtim me pritjet ligjore sepse natyrshëm duhet t’u paraqesin fëmijëve “babin” si mashkull ndërkohë që sipas këtij ripërkufizimi fëmija duhet të kuptojë “babin” pa gjini.

4. Legalizimi i ndryshimit të përkufizimit të martesës do ketë pasoja të mëdha dëmtuese në formimin dhe arsimimin e fëmijëve:

Ashtu si gjatë totalitarizmit kur fëmija edukohej nga partia në pushtet edhe në këtë situatë kur ligji ripërkufizon martesën pa lidhjen dygjinore, prindërit do kenë gjithmonë e më pak mundësi ndikimi të kuptimit të realitetit nga fëmijët duke sjellë një përçarje të madhe dhe të rrezikshme sociale.

Konkluzioni ynë është se kjo është çështje referendumi popullor:

Si të krishterë ungjillore ne deklarojmë besimin tonë se martesa është një e mirë themelore për shoqërinë në çdo nivel dhe e domosdoshme për mirëqenien e fëmijëve. Ne jemi të bindur se futja e homoseksualizmit në martesë do ta transformojë dhe reduktojë kuptimin e martesës në mendjet e shumë njerëzve duke sjellë pasoja të pallogaritshme negative duke përfshirë rrezikun e shtuar të përçarjeve dhe konflikteve sociale, ligjore dhe fetare, duke dëmtuar rëndë kohezionin social të Shqipërisë.

Ne besojmë se asnjë qeveri nuk duhet të luajë me martesën sepse përgjegjësia primare e qeverisë është ta mbrojë dhe inkurajojë martesën jo ta privatizojë atë. Nëse do të duhej të shqyrtohej ndryshimi i përkufizimit të martesës, që siç e kemi deklaruar edhe këtu është një ndryshim rrënjësor kulturor, atëherë e gjithë shoqëria që e përbën kulturën Shqiptare duhet pyetur dhe kjo nënkupton një referendum dhe jo makinacione ligjore për të bërë fakt një ideologji të një pakice periferike.

Ne i kërkojmë qeverisë të braktisë këtë propozim ripërkufizimi të martesës në Kodin e Familjes si të panevojshëm, të padobishëm dhe të dëmshëm në relativizimin e martesës ndaj lidhjeve të tjera si ato homoseksuale.

Martesa ka thelbësore përputhshmërinë biologjike për riprodhim të një burri dhe një gruaje dhe parashikimin e lindjes dhe rritjes së fëmijëve prandaj ashtu si tha Jezusi: “… në fillim Krijuesi i beri ata burrë dhe grua, dhe tha, ‘për këtë arsye burri do të lërë babain dhe nënën dhe do të bashkohet me gruan e tij dhe të dy do të bëhen një mish.’ Kështu ata nuk janë me dy por një mish. Prandaj çfarë Perëndia ka bashkuar askush të mos e ndajë.” (Mateu 19:3-6)

Ylli Doçi
Kryetar i Vëllazërisë Ungjillore të Shqipërisë

Ylli Doci profili
Ylli Doçi

Kryetar i Vëllazërisë Ungjillore të Shqipërisë

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}


Gjithashtu mund të lexoni

Konferenca virtuale “Këndojmë për Mbretin”

Kalendari i leximit të Biblës nga Robert Murray M’Cheyne

21 dhjetor 2023: Debati për Zotin – Rezervoni vendin tuaj!

Doktrina e Mësimit të Begatisë

>