Wilberforce si Shpreseforce – nga Ylli Doci

· · 17 min lexim · Shkrime më interes

WILBERFORCE SI SHPRËSEFORCË Vëzhgime rreth jetës së William Wilberforce bazuar në librat  Wilberforce nga John Pollock dhe Një Jetë Me Integritet nga Eric Metaxas.

Nga: Ylli Doçi 6 qershor 2012 Fondacioni Wilberfoce Shqipëri

William Wilberforce, politikani shpresëfortë, është një shembull i shkëlqyer për të inkurajuar shqiptarët të shpresojnë për një politikë të shëndetshme. Kjo shpresë është një arsye pse unë e mora seriozisht njohjen me jetën e William Wilberforce. Unë kisha dëgjuar edhe më parë për Wilberforce por nuk e kisha kuptuar dimensionin e madhështisë së karakterit dhe veprës së këtij burri shtatshkurtër.

Si mund ta prezantosh Wilberforce tek dikush që nuk din gjë për të? Politikani që realizoi shfuqizimin e sistemit të skllavërisë? Vështirë që të ketë ndonjë njeri që të kuptojë domethënien e kësaj sepse skllavëria nuk duket si çështje kaq e vështirë për tu parë në shëmtinë e vet. Në fillimin e librit të tij Erik Metaxas e kap në mënyrë mjaft të goditur ketë tendencë të kuptueshme të indiferencës ndaj Wilberforce. Është si me një person që gjeti një ilaç kaq efektiv për një sëmundje të tmerrshme sa duke asgjësuar sëmundjen krejtësisht u arrit natyrshëm që brezat pasues të mos e njihnin sëmundjen dhe as të interesoheshin se kush gjeti ilaçin. Efektiviteti dhe suksesi i punës së Wilberforce arriti natyrshëm edhe harrimin e emrit të tij në shumicën e njërezve të zakonshëm.

Nëse ne shqiptarët do të kishim një person që me përpjekjet e tij politike dhe shoqërore do të arrinte që brenda 10 vjetëve të transformonte nivelin e korrupsionit në Shqipëri duke e sjellë në nivelin e transparencës së demokracisë amerikane sot, ky person do të ishte Wilberforce shqiptar. Derisa ka ekzistuar një Wilberforce që e ka arritur një gjë të ngjashme unë besoj se ka logjikë të shpresojmë për një Wilberforce shqiptar, prandaj unë e marr William Wilberforce si “shpresëforcë” për ne shqiptarët.

Për të imagjinuar si do të dukej një Wilberforce shqiptar unë sugjeroj të njohim pak më mirë William Wilberforce të britanikëve.

Disa elementë të prejardhjes dhe personalitetit: Lindur në vitin 1759 kur ishte vetëm 21 vjeç u zgjodh anëtar i Parlamentit Britanik. Ai u fut në politikë për shkak të rrethanave të familjes së tij të pasur tregtare dhe lidhjeve familjare të shumta me njerëz me influencë por edhe për shkak të personalitetit të tij të këndshëm dhe aftësive të tij influencuese me oratorinë e shprehur, të zërit të tij melodioz që kapte vëmendjen lehtazi me nuancat e këndshme si edhe aftësive të tij vëzhguese, interpretuese plus edhe një kujtese të mirë.

Rëndësia e përmendjes së këtij sfondi formues familjar është thjesht në lidhje me faktin që rrethanat ku njerëzit e gjejnë veten megjithëse nuk përcaktojnë gjithçka janë faktorë që duhen kuptuar me avantazhet, përgjegjësitë dhe sfidat që përfaqësojnë. Unë besoj se në Shqipëri ne kemi disa rrethana ku është e mundur që papritur kushdo mund të gjendet në pozita influencuese pamvarësisht nga përpjekjet kufizuese të disave. Me të mirat dhe të këqijat e kësaj situate relativisht fluide besoj se kemi arsye të shpresojmë dhe të imagjinojmë realitete të mundshme në Shqipëri.

Wilberforce ishte një njeri i moralshëm sipas standardeve normale por nuk ishte i mërzitshëm. Ai dinte të ishte shakaxhi i këndshëm dhe argëtues në biseda të sofistikuara. Ai ishte i aftë të fitonte në lojëra pokeri por ishte edhe i dhembshur kur tjetri po humbiste shumë para. Wilberforce ishte një shok i mire dhe njerëzit e donin natyrshëm dhe kishin besim tek ai. Besoj se aftësia për të qenë një shok i mirë dhe për të ruajtur miqësitë me sinqeritet është një nga avantazhet që kishte Wilberforce në influencën e tij politike.

Një aspekt i besimit personal në Perëndinë: Biografi i tij Pollock shkruan për Wilberforce: “Ai kurrë nuk e ndryshoi dot tendencën [me mungesën e disiplinës] e formuar në Kembrixh. Përqendrimi luhatej; ai kërcente nga një temë në tjetrën; kënaqësia në bisedë e bente ta humbte fillin. Pamvarësisht nga inteligjenca, aftësia për ti kapur shpejt faktet me mprehtësi, apo një memorje e shkëlqyer… ai  mund të mos kishte patur shumë ndikim pa një kauzë të madhe.”

Wilberforce kishte respekt për Zotin dhe kur kishte qenë 10 apo 12 vjeç ishte entuziazmuar nga dashuria e Zotit në Jezus Krishtin por nga influenca e nënës së tij të shqetësuar se djali po i merrte drejtim të gabuar me këtë entuziazëm të tepërt fetar u shty në jeten e zakonshme të pasanikëve të asaj kohe duke fokusuar vëmendjen tek gjërat zbavitëse të botës së mundësive materiale. Ndryshimi i madh në jetën e Wilberforce erdhi nga një udhëtim me një të njohur që e mori me vete për pushime pa e ditur që kishte të bënte me një burrë aq besimtar sa ishte edhe i zgjuar. Wilberforce u befasua nga logjika e mrekullueshme e bashkudhëtarit të tij Milner dhe dalëngadalë në ato ditë bisedash filloi të kthehej tek besimi i fëmijërisë së tij me entuziazmin për Jezusin Zot por tani me argumente të sofistikuara për vërtetësinë e këtij besimi.

Vetëm pasi Wilberforce erdhi në ketë pikë kur e konsideronte Jezusin si Mbretin e jetës së tij ai filloi të kuptonte se duhej të bënte siç donte Jezusi në jetën e tij dhe jo siç e kishte planifikuar ai jetën e vet. Wilberforce kishte dëshirë të vazhdonte në politikë por tani ai ishte i shqetësuar se çfarë mendonte Jezusi. Me këtë shqetësim shkoi tek një nga të krishterët më të respektueshëm që ai njihte personalisht dhe ai, John Newton, e udhëzoi të vazhdonte në politikë.

Fondacioni Wilberforce ekziston pikërisht sepse ne si të krishterë besojmë ashtu si John Newton se të krishterët duhen inkurajuar të përfshihen në drejtimin e jetës shoqërore me vlerat e tyre për të mirën e të gjithë njerëzve.   Por, rëndësia e përmendjes së besimit personal në Perëndinë në këtë rast ka të bëjë me influencën formatuese dhe drejtuese të aftësive të Wilberforce në arritjen e një suksesi dramatik. Pra, çdo njeri ka dhunti dhe aftësi personale të mrekullueshme dhe ashtu si Wilberforce do të ishin njerëz të këndshëm dhe të zgjuar me influence në shoqëri. Wilberforce gjithësesi do kishte qenë një politikan normal i kohës por vetëm kur mori një kauzë të madhe si ajo e shfuqizimit të skllavërisë ato aftësi të tij u fokusuan duke nxjerrë një rezultat dramatik.  Theksi këtu është që bashkimi me Perëndinë në një kauzë të madhe siguron që ti nuk e humb mundësinë që aftësitë e tua të fokusohen me ndikimin më të madh duke lënë gjurmën tënde në këtë botë. Bashkimi me një kauzë të madhe të Perëndisë nuk garanton që ti do të lësh gjurmë të padiskutueshme por që të paktën nuk e humbet rastin për një gjë të tillë.

Wilberforce u bashkua me Perëndinë në kauzë e shfuqizimit të skllavërisë. Ishte besimi i tij në Perëndinë që përbënte bazën e përkushtimit të tij.

Perëndia ka përgatitur veprat ku duhet të përfshihemi: Fakti që Wilberforce u bashkua me kauzën e Perëndisë nuk duhet të supozojë se Wilberforce ishte i pari që mendoi për këtë. Përkundrazi, kishte shumë të tjerë që kishin shkruar libra dhe artikuj dhe kishin kaluar shumë kohë në diskutime e planifikime se si të ndihmonin në shfuqizimin e skllavërisë. Në fakt ishte një grup njerëzish me influencë që mblidhej në pallatin elegant të Middletonëve ai që mendoi të përfshinte edhe Wilberforce. Në korrit të vitit 1786, 6 vjet pasi Wilberforce ishte bërë parlamentar dhe afër 1 vit pasi ishte bërë besimtar i Jezusit, doli në dritë mundësia për Wilberforce të përqafonte kauzë e madhe të jetës së tij.   Rëndësia e vëzhgimit të këtij fakti është në kuptimin e sovranitetit të Perëndisë në përgatitjen e rrugës për ecjen e bijve dhe bijave të tij. Në kohën e duhur Perëndia do të sjellë mundësitë ku duhen derdhur jetët tona për lavdinë e Perëndisë. Kjo përbën një arsye për paqe dhe gëzim në zemër sepse ai ka përgatitur veprat e mira ku ne duhet të ecim dhe ne duhet të jemi të gatshëm të dëgjojmë zërin e tij.  Problemi i korrupsionit në Shqipëri me siguri ka mbledhur diku disa burra dhe gra që kanë një ide si ta luftojnë. Kur të ngrihet Wilberforce shqiptar ata do ta thërrasin në kauzën e madhe që Perëndia ka për brezin tonë.

Rëndësia e zgjuarsisë politike: Problemi i zakonshëm i të krishterëve kur analizojnë një politikan të krishterë është se presin që politikani të veproje sipas mendimit të tyre dhe nuk lejojnë për mundësinë që ka disa faktorë të padukshëm që zgjuarsia politike duhet ti marrë në konsideratë duke zgjedhur veprime që duken të çuditshme. Siç e thamë më lart, Wilberforce vendosi të ndërmerrte luftën për shfuqizimin e skllavërisë bazuar në parimin se si i krishterë që Përendia nuk mund ta kishte planifikuar që skllavëria të ishte një formë e pranueshme në pasurimin e dikujt dhe shkatërrimin e një tjetri.  Por, megjithëse parimi mbetej baza e energjisë së luftës së tij, kur vinte puna tek realizimi i qëllimit Wilberforce mendonte si politikan: Përpiqej të kuptonte mentalitetin e influencuesve të opinionit dhe mendonte si t’ua merrte anën. Wilberforce ishte si një doktor që kërkon shkakun pas simptomave. Në planifikimin e reformave Wilberforce tregonte se kuptonte që politika funksionon bazuar mbi “klimën e kohës” më shumë se vullneti i mire i disa politikanëve. Prandaj Wilberforce i kushtonte vëmendje aspekteve të klimës shoqërore, atmosferës që krijohej nga faktorët e vegjël. Wilberforce kuptonte rëndësinë e organizimeve të shoqërisë civile dhe synonte të influenconte në atë nivel ndryshimet e mëdha që donte të arrinte në parlament. Unë kam mendimin se Wilberforce mendoi për kauzën e tij të dytë“reformimin e sjelljes” si një mbështetje apo si një levë e kauzës së tij të parë “shfuqizimin e skllavërisë.” Wilberforce ishte një vizionar që imagjinon realitetin e dëshiruar dhe shikon si arrihet atje. Megjithëse objekti i tij përfundimtar ishte kthimi i skllevërve në fermerë të lirë ai sulmonte së pari tregtinë e skllevërve duke kapur vëmendjen e njerëzve me brutalitetin dhe sëmundjet dhe dramën e dukshme të vuajtjes së anëtarëve të races njerëzore. Në një shkrim Wilberforce thotë: “…  ky, objekt final [i luftës time kundër skllavërisë], duhej prodhuar ca nga ca … me anë të shkaqeve morale; dhe duhet të dukej në fund që të ishte rezultat pothuajse i natyrshëm i përmirësimeve të ndryshme dhe jo sikur ishte gjithmonë objekti i synuar i përpjekjeve të dukshme. … duhet të ishte si gjelbërimi që shfaqet ngadalë vende vende duke ndryshuar pamjen e zhveshur dhe të mjerë në virtyt dhe bukuri.”  Wilberforce nuk ishte një politikan që thjesht donte të dukej sikur po luftonte për një kauzë të drejtë por donte vërtet që situata të ndryshonte prandaj ishte gati të punonte me lloj lloj situatash dhe njerëzish.  Në vitin 1806, kur dukej se kauza kishte një shans të fitonte në parlament, Wilberforce ofroi të nxirrte në ballë dike tjetër jo veten e tij. Idea se ai duhet të bënte këtë sakrificë duke lejuar dikë tjetër të merrte lavdinë por të mos rrezikohej kauza u konkretizua me kërkesën e tij që çështja të prezantohej nga Fox. Dhe kështu u bë. Fox prezantoi propozimin që të shfuqizohej tregëtia e skllevërve. Në shkurt të1807 shumica votoi për shfuqizimin e tregëtisë së skllevërve.

Wilberforce ishte realist dhe thoshte se “do isha i gëzuar sikur njerëzimi gjithmonë të vepronte bazuar në motivet më të pastra por ne duhet të kënaqemi duke përfituar nga ato çfarë mund të gjejmë në terren.”  Kjo shpjegon edhe idenë e Wilberforce që ta bënte “të mirën” që të ishte në modë. Pra njerëzit do të bënin atë që ishte në modë, atë që u pëlqente njerëzve dhe Wilberforce nuk thoshte se duhet të presim deri kur njerëzit të duan të bëjnë të mirën jo për t’u pëlqyer njerëzve por për hir të së mirës apo për hir të Perëndisë por sugjeronte ta bëjmë “të mirën” të jetë në modë.

Unë jap mësim për etikën dhe e kuptoj dilemën e shumë të krishterëve që lexojnë këtë aspekt të jetës politike të Wilberforce por nuk kemi mundësi këtu të shpjegojmë zgjuarsinë prej gjarpri dhe pafajsinë prej pëllumbi që Wilberforce dhe të gjithë politikanët e krishterë duhet të tregojnë në betejat politike. Ama një gjë duhet theksuar: betejat politike nuk fitohen me naivitet politik.

Wilberforce dhe Shqipëria: Si shqiptar pa tjetër që duhet të gjej një lidhje të këtij gjigandi trupvogël me Shqipërinë dhe besoj se e kam gjetur. Ne ungjillorët shqiptarë e dijmë rëndësinë që kishte “Shoqëria Biblike Britanike dhe e Huaj” për fillimin e punës së përhapjes së ungjillit në Shqipëri. Në fakt Gjerasim Qiriazi, ungjillori i parë i madh shqiptar, nuk do të kishte mundur të zhvillonte aktivitetin e tij rilindas ndër shqiptarët pa ndihmën direkte të kësaj Shoqërie Biblike. Ajo që mësova unë nga libri i John Pollock ishte se “Shoqëria Biblike Britanike dhe e Huaj” nuk do të kishte ekzistuar po të mos kishte qenë ndihma themelore e William Wilberforce duke filluar në1803 dhe pastaj në vitet e para të themelimit të kësaj shoqate të rëndësishme. Wilberforce “… sugjeroi mënyrat për të kapur imagjinatën e publikut dhe simpatinë e peshkopëve që pothuajse e shtypën ketë ide qysh në lindje.” Wilberforce e konsideronte Shoqërinë Biblike si një nga institucionet me të vlefshme dhe të shkëlqyera që kishin ekzistuar dhe i shkruante mikut të tij Earl Grosvenor me gëzim që kjo shoqatë “… po e fshin ngadalë mjegullën që e rrethonte në fillimin e ngritjes së saj dhe shumë shpejt do të shkëlqejë me shkëlqim të pamjegullueshëm.”  Pra nëse nuk do ishte Shoqëria Biblike Britanike dhe e Huaj nuk do kishim Ungjillorët dhe nëse nuk do kishim Wilberforce nuk do kishim Shoqërinë Biblike Britanike dhe të Huaj, rrjedhimisht nëse nuk do kishte Wilberforce nuk do kishim as Ungjillorët shqiptarë. Të paktën kështu deshi Zoti të vinim ne ungjilloret në ekzistencë, me anë të ndihmës së William Wilberforce.

Politikani i pavarur: Wilberforce është shembulli i politikanit që nuk kompromentonte ndërgjegjen e tij para Perëndisë përballë presionit për të ndjekur vijën politike të grupit të tij politik. Për një politikan profesionist unë besoj se një qëndrim i tillë devijues nga drejtimi partiak që i përket është tejet i vështirë. Një politikan profesionist e kupton rëndësinë e përkatësisë partiake në arritjen e synimeve politike prandaj presioni është jashtëzakonisht i madh për rrjeshtim rigoroz në grup. Në rastin e Wilberforce problemi shumëfishohej nga miqësia e sinqertë për mikun e tij kryeministër William Pitt që ai e njihte si burrë të vyrtytshëm. Megjithatë, në dhjetor 1794, kur Anglia ishte në luftë me Francën revolucionare dhe Pitt kerkonte rreshtim në një situate serioze, Wilberforce voton për paqe me Francën. Por kjo nuk e pengonte Wilberforce të ishte zëri më i fuqishëm në mbështetje të Pitt vetëm një vit më vonë kur ktheu situatën në Yorkshire duke mbrojtur politikën e luftës së Pitt me ligjet kufizuese patriotike.

Ky shembull nga Wilberforce është i çmuar për shqiptarët sepse ne vuajmë nga dy sëmundje të lidhura ngushtë: Klientelizmi dhe Partizanlliku. Më trishton shpesh qëndrimi i verbër partizan ndaj një partie ose një tjetre nga shumë miq të krishterë që kam. Ata më kujtojnë edhe mua se jam partisan i dikujt dhe s’besojnë dot se ka një mundësi që ne të jemi parimorë në gjykimin e vlerave dhe të metave të çdo force politike. Klientelizmi apo votimi për të përfituar nga i votuari ndonjë avantazh është sëmundja tjetër e shqiptarëve të brezit tonë. Zoti na ndihmoftë!

Rëndësia e bashkëpunëtorëve: Pollock shkruan: “Wilberforce do ta mohonte këtë por esenca e bindjeve të tij dhe e ndërgjegjes së tij formoi themelin e karakterit Britanik për dy brezat pasues. Ai ishte prova se një njeri mund të ndryshonte epokën, megjithatë ai nuk mund ta bëjë këtë i vetëm.” Për mua ky mbetet një nga mësimet më të thella që kam marrë nga jeta e Wilberforce. Unë besoj se suksesi i Wilberforce ishte i tillë për shkak të vullnetit të mirë që ai krijoi në zemrat e shumë njerëzve me miqësinë dhe sinqeritetin e përkushtimit të tij. E mahnitshme është gjithashtu kur kujtohemi që edhe njeriu më i jashtëzakonshëm i gjithë historisë Jezusi, nuk e realizoi vetëm gjithë punën e ndërtimit të lëvizjes së krishterë por ua besoi ketë dishepujve të tij.  Unë shpresoj që disa vjet më vonë, rreth vitit 2020, dikush do të ngrihet dhe do të tregojë historinë e transformimit të Shqipërisë nga një vend i korruptuar, ku njerëzit nuk mund të realizonin punën dhe nevojat e jetës së tyre pa iu lëpirë njerëzve në pushtet, do të jetë një vend ku lulëzon dinjiteti i njeriut të ndershëm sepse korrupsioni është asgjësuar si sistem nga influenca e një Wilberforce Shpresëfortë Shqiptar. Por unë jam i sigurt që kushdo qoftë ky Wilberforce Shqiptar që do dalë, ai nuk do jetë vetëm. Prandaj, le të mos mahnitemi me madhështinë apo aftesitë personale të askujt, as tonat. Emri i garës së suksesit është PARTNERITETI i njerëzve të një zemre në veprim.  Qoftë Fondacioni Wilberforce një partneritet i denjë për emrin që ka!


Lexo gjithashtu:

Ndaje:
>
Scroll to Top