Dhe në qoftë se Fryma i atij që ringjalli Krishtin prej së vdekurish banon në ju, ai që e ringjalli Krishtin prej së vdekurish do t`u japë jetë edhe trupave tuaj vdekatarë me anë të Frymës së tij që banon në ju. – Romakëve 8:11
Ernest Heminguej ka shkruar: “Dinjiteti i lëvizjes së një ajsbergu vjen për shkak se vetëm një e teta e tij qëndron mbi ujë”.
Njerëzit me dinjitet janë të qëndrueshëm. Keni parë ndonjëherë një të dehur që ecën në rrugë? Është e vështirë që të gjendet një pamje më larg të qenit dinjitoz sesa ajo. Gjithashtu i dehuri është ilustrimi më i goditur për dikë që ka humbur krejtësisht orientimin e duhur. Ai e ka të vështirë që të gjejë rrugën për në shtëpi. Duhet që dikush ta shoqërojë e ta ndihmojë që të shkojë në një vend të sigurt. Kur familjari ose miku i tij i jep krahun dhe e shoqëron, me ose pa dashje ai identifikohet me të dehurin. Janë bashkë… dhe, siç thotë Gollsuorthi në tregimin e tij “Kalorësi”, duhet fisnikëri që të qëndrosh pranë një të dehuri e të mos ndihesh keq që njerëzit po të shohin me të.
Ilustrimi i dinjitetit të ajsbergut nga Hemingueji të çon të shqyrtosh në brendësinë tënde dhe vlen për çdo të krishterë. Dy herë përsëritet togfjalëshi “banon në ju” tek vargu më sipër për të treguar vendbanimin e Frymës së Shenjtë tek besimtarët. Në shqip themi shprehjen: ‘dha frymë’ kur një person ndërron jetë, si për të thënë që thelbësorja e tij është pikërisht fryma. A e kuptojmë plotësisht që thelbësorja e Perëndisë, Fryma e Tij e Shenjtë, banon brenda secilit prej nesh që e pranon Krishtin si Zotin dhe Shpëtimtarin e tij personal?! Nuk është një identifikim i jashtëm apo horizontal, siç ndodh me atë që shoqëron të dehurin, por është një identifikim i brendshëm, i plotë dhe tërësor i asaj që një besimtar është. Perëndia identifikohet me secilin prej nesh duke na quajtur bijtë dhe bijat e Tij, por edhe duke na lënë neve që të identifikohemi me Të. Çfarë përgjegjësie që na jep kjo gjë neve që e quajmë veten të krishterë! A do të vazhdojmë që të jetojmë e të ecim si të dehurit tani, pasi jemi ndërgjegjësuar për këtë përgjegjësi?!
Zbulimi se Fryma e Shenjtë, vetë Personi i Trinisë së Shenjtë është brenda secilit prej nesh, synon të na japë të njëjtin dinjitet, po atë respekt e po atë dashuri për personin tonë, të cilat Perëndia i ka për secilin prej nesh. Perëndia është “spiranca e sigurt dhe e patundur” që na jep ekuilibrin e synon që të na largojë nga arroganca se neve, “me forcat tona” kemi arritur diçka ose shumëçka në jetë e gjithashtu të na distancojë nga përvujtëria e shtirur se “jemi asgjë” e të denjë për asgjë. Krishti dha jetën e Tij në mënyrë që ne të fitojmë jetën e përjetshme. Na çmoi të vlefshëm për t’u blerë me çmimin më të lartë, me gjakun e Tij. Vdiq duke e përçmuar turpin që kryqi ngërthente në vetvete, në mënyrë që ne të mos kemi turp sot. Me Krishtin, kreun dhe plotësuesin e besimit tonë, ne rifitojmë pozitën e humbur, gjejmë orientimin për të shkuar në shtëpi dhe qëndrojmë e ecim dinjitozë duke qenë tashmë të vetëdijshëm se ku e marrim fuqinë dhe ku është qendra jonë e rëndesës.
Skerdi Hoxha