“Mbrojtja e Fëmijës Brenda Nesh” – Meditim Krishtlindjeje

1
2343

krishtelindjaSidomos në periudha Krishtlindjeje, do të dëgjojmë shumë herë aspektet e ndryshme dhe rrjedhojat e ardhjes së Krishtit si foshnjë në tokë. Unë do doja të fokusoheshim pak më gjerë tek mbrojtja e fëmijës që erdhi në tokë para dymijë vjetësh, por edhe tek mbrojtja e disa fëmijëve të tjerë:

Së pari, aspekti i mbrojtjes së fëmijës nga Maria dhe Jozefi (prindërit tokësorë të Jezusit). Maria që e mbrojti Jezusin me trupin dhe vullnetin e saj, me gjithçka që kishte dhe që ishte. Përballoi fjalët që mund të thuheshin vërdallë për të, duke e mbrojtur dhuratën që Perëndia i kishte dhënë për të mbajtur. Dhe Jozefi, i cili e mbrojti edhe ai jo pak, duke e pranuar Marinë në shtëpinë e tij, pavarësisht gjithë skandalit, fjalëve të njerëzve dhe kërcënimit të mëvonshëm nga Herodi, gjë që e bëri atë të vëmendshëm që të dëgjonte udhëzimet e engjëllit e të largohej për në Egjipt. Edhe për ne është e njëjta situatë – Krishti që vjen në jetën tonë (siç vjen një fëmijë në jetën tonë) ka nevojë të pranohet prej nesh, të mbrohet prej nesh, të njihet, ne duhet t’i flasim atij dhe me të duhet të krijojmë një marrëdhënie gjithnjë e më shumë në rritje.

Së dyti, mbrojtja e fëmijës që jemi ne brenda mbretërisë së Perëndisë. Ka shumë vargje në Bibël të cilat na tregojnë këtë karakteristikë të anëtarëve të Mbretërisë së Perëndisë: që ne jemi Fëmijë të Perëndisë.

Gjoni 1:12-13: Ai erdhi në shtëpinë e vet dhe të vetët nuk e pranuan, por të gjithë atyre që e pranuan, ai u dha pushtetin të bëhen bij të Perëndisë, atyre që besojnë në emrin e tij, të cilët nuk janë lindur nga gjaku, as nga vullneti i mishit, as nga vullneti i burrit, por janë lindur nga Perëndia. (Ju lutem, shihni gjithashtu Mateu 5:9 & 18:1-4, Luka 18:16-17, Gjoni 3:3-5, Romakëve 8:15, Galatasve 4:5, Efesianëve 1:5 & 4:24, 1 The. 2:12).

Ne kemi detyrë që ta mbrojmë këtë identitet tonin, si fëmijë të Perëndisë duke u përulur, duke i thirrur Perëndisë, Atit tonë, për atë që Ai është për ne dhe duke e pranuar atësinë e Tij nëpërmjet veprave tona.

Së treti, është një aspekt i cili edhe mua vetë më erdhi si një zbulesë (që është edhe thelbi i kësaj fjale): Të mbrojmë fëmijën që është brenda nesh.

Mbrojtja fizike: për ta ilustruar më lejoni t’ju kujtoj një film që shumë prej jush mund ta kenë parë: “Jeta është e bukur” (“La vita e’ bella”); në fakt, ky film ka lidhje me vendin tonë, Shqipërinë. Babai i regjisorit dhe aktorit kryesor në film, Roberto Beninjit, ka qenë ushtar në Shqipëri gjatë pushtimit fashist dhe më 1943 u kap rob nga gjermanët e u dërgua në kampin e përqendrimit Bergen-Belsen në Gjermani (ishte i njëjti kamp ku vdiq Ana Franku). Në 1945, ai u kthye në shtëpi në Itali dhe atje krijoi familjen: pati tri vajza dhe një djalë, Roberton, të cilët i kërkonin shumë shpesh në tryezë gjatë darkave që t’iu tregonte historinë sesi arriti të mbijetonte në kampin e përqendrimit. Dhe ai ua thoshte në mënyrën që më pas Roberto e tregon në film: duke i mbrojtur ata nga trauma dhe duke u kujdesur për ta me një dashuri madhështore; duke bërë të mundur që fëmijët e tij të mos e humbitnin fëmijërinë për shkak të rrethanave të jetës. Ai e bëri këtë gjë duke zgjuar fëmijën brenda tij, duke hyrë në botën e tyre, duke i mbrojtur ata e duke u vënë në një nivel me ta. Që na sjell te ajo që Krishti bëri për ne. Ai erdhi në formë njerëzore për të na treguar Atin dhe dashurinë që Ai ka për ne.

Dhe mbrojtja frymërore: Ne jemi krijesa të reja në Krishtin Jezus, të rilindur në të, fëmijë të Perëndisë dhe si rrjedhojë kemi përgjegjësinë ta mbrojmë këtë fëmijë që është brenda nesh. Ashtu siç mbrohen dhe rriten fëmijët tanë fizikë, me të cilët ne duhet ta rrisim marrëdhënien ditë pas dite, ashtu duhet mbrojtur edhe pastërtia, çiltërsia dhe sinqeriteti të cilat Perëndia i ka vënë brenda nesh në ditën kur krijoi këtë krijesë të re që jemi ne në Të.

Zoti ju bekoftë. Krishti le të lindë në zemrat e secilit prej nesh, le të rritet dhe ne le ta mbrojmë brenda nesh.

 

Sinqerisht,

Skerdi Hoxha

1 KOMENT

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here