E gjithë kjo ndodhi që të përmbushej ajo që u tha prej Zotit, me anë të profetit, duke thënë: “Ja, virgjëresha do të mbetet shtatzënë dhe do të lindë një djalë, dhe do t’i vënë emrin Emanuel, që e përkthyer do të thotë: ’Perëndia me ne’”
(Ungjilli Sipas Mateut 1:22-23).
Emrat hebraikë kishin një kuptim të veçantë. *Emanuel është një emër i përbërë prej dy fjalësh Emmanu (me ne) dhe El (Perëndia). Megjithëse Jezusi është “njeriu me ne”, ai është gjithashtu edhe “Perëndia me ne”. Lindja Virgjërore na solli Perëndinë, Birin e Amshuar. Një arsye pse ne e besojmë këtë është për shkak se kështu thuhet në Bibël. Historia që vijon, ilustron një arsye të dytë përse ne besojmë në Lindjen Virgjërore të Krishtit.
Vite më parë ishte një profesor i vjetër i cili besonte në lindjen virgjërore të Krishtit. Disa profesorë të tjerë liberalë e tallnin atë për shkak të këtij besimi. Njëri prej tyre tha: “Supozoni se një grua e re do të hynte sot në spitalin këtu pranë. Në qoftë se ajo do të lindte një foshnje të gjinisë mashkull dhe të pretendonte se ishte e virgjër, a do ta besonit atë?”. Profesori i vjetër lëmoi mjekrën dhe heshti për një çast. Pastaj u përgjigj: “Jo, ndoshta nuk do ta besoja. Megjithatë, në qoftë se ai foshnje do të rritej dhe do të bëhej burrë,
- dhe nëse do të mundej të hapte sytë e të verbërve,
- dhe nëse do të mundej t’i bënte ulokët të ecnin,
- dhe nëse do të mundej të pastronte lebrosët,
- dhe nëse do të mundej të ngjallte të vdekurit,
- dhe nëse do të thërriste një grup të vogël pasuesish dhe do të ndryshonte rrënjësisht jetën e tyre,
- dhe nëse do të vdiste si një kriminel i dënuar, por do të ngrihej e të ringjallej nga të vdekurit,
- dhe nëse do të ndryshonte rrjedhën e historisë së botës,
- dhe nëse, pas 2000 vjetësh, një e treta e popullsisë së botës do ta quante Shpëtimtar dhe Zot,
- dhe nëse të gjithë ata njerëz do të shpallnin se ata e njohin praninë e Tij të gjallë në zemrat e tyre,
ATËHERË UNË DO TA DËGJOJA HISTORINË E ASAJ GRUAJE PËR SË DYTI!”. Ne e besojmë lindjen virgjërore të Jezusit për shkak të jetës dhe fuqisë së Tij.
Shënim: Ky është një fragment i shkëputur nga libri: “Jeta dhe Mësimet e Krishtit”, nga Dr. Quentin McGhee – botuar me leje nga Kolegji Teologjik Ungjillor.