Autor: Dr. Femi Cakolli, pastor
Gjithmonë kur flitet për kishën protestante në përgjithësi assesi s’mund t’i kalosh pa i përmendur 95 tezat e kryereformatorit të krishterimit Martin Luteri, i cili lindi në vitin 1486 në Eisblen, dhe vdiq në vitin 1546. Fundamentalisht kisha protestante u shfaq në horizont me bërjen publike të këtyre tezave të cilat u vunë në derën e kishës së Vitenbergut më 31 tetor 1517. Prandaj edhe sot festohet 31 tetori si Dita e Reformacionit.
Praktikisht kishte edhe më përpara disa figura të shquara të teologjisë krishtere, të filozofisë dhe të rilindjes evropiane të cilët me një mënyrë ose tjetrën i kishin shfaqur protestat e tyre kundër dogmatizmit katolik të asaj kohe, por ishte vetëm Martin Luteri ai i cili me anë të 95 tezave të tij të famshme doktrinalisht po jepte përgjigje për të gjitha devijimet e krishterimit mesjetar. Martin Luteri pasi i vendosi këto teza në kishën e qytetit të Vitenbergut, atëherë la porosinë se do të kthehej pas tri ditësh që do t’i mbronte publikisht këto teza. Tri ditët ishin simbolikë biblike, dhe kishte kuptimin e ditëve të ringjalljes së Krishtit, me këtë anologjia ishte në ringjalljen e kishës së vërtetë krishtere në parimet ungjillore dhe në parimet e kishës së hershme krishtere, para se ajo të romanizohej (katolocizmi) ose të helenizohej (ortodoksizmi).
Kërkesat dhe vizioni i Luterit në këtë kohë nuk ishte që të bënte një kishë të re, por që të reformohej kisha ekzistuese, pra kisha romano-katolike. Doli se kjo ishte një përpjekje dhe një proces i kotë pasi menjëherë pas mbrojtjes publike sulmet dhe ekskomunikimi erdhën nga papati. Prandaj kështu u përgatit Kuvendi i Mirënjohur i cili përfundimisht e shpalli Kishën Protestante në vitin 1524. Kishte edhe shumë figura të tjera të njohura që e vazhduan reformacionin evropian dhe filozofinë e tezave të Luterit, si p.sh. Gj. Kalvini, U. Cvingli, K. Grebel, M.V. Iliriku, F. Melanhton, Xh. Hus, J.A.Komenski, H. Bullinger. Sipas historianit anglez Noel Mallkom, në vitin 1580 në Kosovë ishte një reformator luteran i cili erdhi dhe predikoi mes shqiptarëve ungjillin e Krishtit si dhe shpalosi doktrinën protestante. Kur jemi këtu në të vërtetë aq sa mund ta dokumentojmë deri tash është vetëm viti 1887 kur themelohet kisha e parë protestante ndër shqiptarët, dhe kjo filloi në Manastir, dhe pastaj në Korçë më 1892 në krye me predikuesin e popullit shqiptar Gjerasim Qiriazi.
Tani t’i shikojmë shpejtas problemet themelore që kapen nga tezat e famshme të Luterit. Gjëja e parë që na bie në sy si një lexues modern i këtij materiali është evidentimet e problemeve teologjike të cilat ishin aktuale në kishën katolike gjatë fillimit të shek. XVI, dhe këto ishin:
- indulgjencat (shitblerja e letrave që garantonin faljen e mëkateve) e që Luteri këtë e quan pendesa sakramentale;
- prifti nuk mund të shërbejë si ndërmjetësues për faljen e mëkateve;
- shpikja e purgatorit;
- komercalizimi i finesave shpirtërore (nëse jep paranë do të dalësh nga purgatori);
- autoriteti jo biblik i papës qoftë si pozitë e funksion por edhe si ndërhyrje në pushtetin frymor të Zotit – në një tezë Luteri thotë se nëse papa i dashur paska aq shumë autoritet e dashuri pse ai nuk i zbraz njerëzit nga purgatori por i kërcënon që t’i dërgojë atje vazhdimisht – ose përse kurrë papa, megjithëse është njeriu më i pasur në botë kurrë nuk ndërton vetë një kishë;
- heshtja e Fjalës së Perëndisë nëpër Kisha nga ndërhyrja e papës dhe e surrogateve të tij;
- në vend të ceremonive të këtë 100 herë më shumë ungjill kujtdo, dhe shton se thesari më i madh i kishës duhet të jetë ungjilli dhe jo paratë, sepse përmes parave pasurohen të pasurit kurse përmes ungjillit pasurohen të varfrit;
- keqpërdorimi i kryqit sikur në rastin se kryqi i indulgjencave barazohej nga papa me kryqin e Krishtin, dhe për këtë teologu dhe mjeshtri Luter thotë se është blasfemi;
- të krishterët parajsën e kanë të sigurt më shumë në bazë të vetëmohimeve të tyre personale në Krishtin sesa nëpërmjet sigurisë së paqes që predikohet nga kleri;
- Luteri thotë se dashuria mund të rritet vetëm me veprat e dashurisë dhe jo përmes veprave të lëmoshës, letrave të faljes etj.
Për t’i përmbledhur teologjikisht dhe doktrinalisht të gjitha tezat e Luterit në pesë postulate të reformimit të kishës ato duken kështu:
Sola fide (Vetëm besimi)
Shpëtimi vjen vetëm nga besimi në Zotin, dhe njeriu nuk është i detyruar të bëjë vepra të mira për t’u shpëtuar. Në Bibël (tek Letra e Palit drejtuar Romakëve 4:5 thuhet: “Kush pranon se nuk ka asnjë punë (merituese) për të treguar, por i beson Atij që i fal plotësisht fajtorët, del i pafajshëm me anë të pranimit të faljes”.
Sola gratia (Vetëm hiri)
Shpëtimi, dhe jeta si besimtarë, vjen vetëm nga hiri i Perëndisë, dhe njeriu nuk mund ta fitojë as ta meritojë. Tek Letra e Palit drejtuar Efesianëve 2:8 thuhet: “Jeni të shpëtuar me anë të hirit, nëpërmjet besimit, dhe kjo nuk vjen nga ju, po është dhurata e Perëndisë….”
Sola Christus (Vetëm Krishti)
Shpëtimi vjen vetëm nga Jezus Krishti, dhe nuk nevojitet asnjë ndërmjetës tjetër. Në Bibël tek libri Veprat e Apostujve 4:12 thuhet: “Vetëm Jezus Krishti mund t’ju sjellë shpëtim….”
Sola Scriptura (Vetëm Shkrimi i Shenjtë)
Fjala e Zotit është fjala e fundit në jetën tonë si besimtarë. Po të mos i përputhesh Fjalës së Shenjtë asnjë këshillë tjetër nuk është e drejtë. Tek Vep. 17:11 thuhet: “Ata ishin… duke shqyrtuar çdo ditë Shkrimet për të parë nëse këto gjëra ishin ashtu”.
Soli Deo Gloria (Lavdia vetëm Zotit)
Lavdia nuk na takon neve. Synimi i jetës sonë nuk është ai që duhet të jemi të suksesshëm, të pasur, të zotët, ose që do t’i plotësojmë nevojat tona. Zoti na ka krijuar dhe na ka shpëtuar me anë të forcës dhe dashurisë së Tij. Ai ka kryer gjithçka në jetët tona, dhe gjithashtu meriton lavdi nga tërë popujt e botës. Tek Efes. 1:11-12 thuhet: “Në të (Zotin) edhe kemi qenë zgjedhur… që ne të jemi për lëvdim të lavdisë së Tij….”
Kisha protestante i dha njeriut pavarësinë ndaj dogmës krishtere 12 shekullore. Kisha shkarkohet nga autoriteti i saj, duke kaluar tek individi, si koncept për besimin dhe shpëtimin. Kjo e bëri individin e përgjegjshëm dhe të vlefshëm duke krijuar raportin e drejtpërdrejtë: Perëndi-njeri.
Këta përbërës të Reformacionit, ndikuan në zhvillimin e lirisë shpirtërore, politike, kulturore, artistike dhe ekonomike, për t’iu vënë bazat e shoqërisë moderne evropiane. Erih Fromi, ka hetuar se me protestantizmin janë arritur zhvillimet më të rëndësishme psikologjike që kanë ndodhur ndonjëherë. Ky psikolog bashkëkohor, thotë: “protestantizmi është përgjigje për nevojat njerëzore të individit të frikësuar dhe të izoluar, të shkëputur nga rrënja, i cili në botën e re duhej të gjendej dhe të lidhje me të”. Pra, sipas Fromit, kisha protestante e përgatiti njeriun psikologjikisht, edhe për fillet e punës, si dhe për rolin e njeriut që do të luajë në sistemin industrial”. Një filozof tjetër i quajtur Maks Veber në veprën e tij “Etika protestante dhe shpirti i kapitalizmit” pasqyron thellësisht ndikimin e protestantizmit në zhvillimin ekonomik dhe në diplomaci. Ky rol u jetësua, sepse protestantizmi shemb autoritetet tjera për individin, dhe forcon vetëm me Zotin Perëndi. Përfundimet e këtij psikologu janë se protestantizmi e shpëtoi njeriun shpirtërisht, ndërsa kapitalizmi politikisht. Kisha protestante filloi procesin e atillë që njeriun e detyroi të ballafaqohet personalisht me Zotin, dhe jo përmes hallkave të tjera. Hegeli, për Luterin, tha se më të fillon fryma e lirisë. Luteri u cilësua si luftëtari i arsyes dhe i vetëdijes së lirë.
Sot në botë dëshmojnë se janë më shumë 600 milionë njerëz të krishterë protestantë, kurse shumicën e tyre e përbëjnë këto shtete: Amerika, Britania e Madhe, Gjermania, Holanda, Zvicra, Çekia, Suedia, Danimarka, Norvegjia, Finlanda, Koreja e Jugut etj.
Edhe në Kosovë Kisha Protestante është prezente, së paku prej vitit 1884. Aktualisht, falë Zotit Krisht, intelektualëve dhe rinisë shqiptare, që i di rrënjët dhe identitetin e tij, tani komuniteti protestant në Kosovë mund të numërohet me mijëra besimtarët dhe ithtarët e krishterë protestantë.
——————–
Shënim: Ky material nuk mund të kopjohet, përdoret apo shpërndahet pa lejen e vetë autorit apo Shtëpisë Botuese TENDA.