Gjoni 10 – Bariu i Mirë … dhe ne

0
2457

Unë jam Bariu i Mirë; Bariu i Mirë jep jetën e vet për delet. Kurse rrogëtari, që nuk është bari, dhe delet nuk janë të vetat, sheh ujkun që po vjen, i braktis delet dhe ikën; dhe ujku i rrëmben dhe i shpërndan delet.

Gjoni 10:11-12

Bariu i mire - Gjoni 10

Në fillim të kapitullit 10 tek Ungjilli Sipas Gjonit është një alegori, e cila është vërtet një pjesë komplekse si vetë jeta, me një panoramë shumë të gjerë ngjarjesh e rrethanash të ndryshme e me shumë personazhe që marrin pjesë në të.

Sipas vetë fjalëve të Jezusit, Ai është Bariu i Mirë dhe me shumë dhembshuri na tregon kujdesin që Ai shfaq për delet e veta; se i njeh ato, iu flet e i thërret me dashuri secilës me emër për t’iu dëftyer rrugën për në kullotë. Përmes fjalëve të Jezusit shohim rreziqet e shumta që iu kanosen deleve, besimtarëve të krishterë. Po ashtu shohim vjedhësit e kusarët që aty quhen edhe të huaj, të cilët kacavirren nga anët e tjera për të vrarë e për të shkatërruar. Ata flasin për t’i joshur delet me zërat e tyre dhe me fjalë mikluese, por delet që e njohin zërin e Bariut, nuk i ndjekin ata dhe iu largohen. Më tej, duke vazhduar alegorinë, Jezusi fillon të shpjegojë se gjithashtu Ai është dera e shpëtimit dhe ata që hyjnë nëpërmjet Tij, do dalin e do gjejnë kullotë. Cilësitë e Bariut të Mirë në kontrast me rrogëtarët tregohen kur shfaqet ujku që po vjen për t’i rrëmbyer e për t’i shpërndarë delet. Ai jep jetën e vet për delet kurse rrogëtari nuk do t’ia dijë për delet, e kështu i braktis ato dhe ikën. Më pas Jezusi iu tregon dëgjuesve  pikërisht misionin që Ai kishte marrë nga Ati për të dhënë jetën vullnetarisht për të shpëtuar delet në mënyrë që ato të mblidhen rreth Tij dhe e gjithë kjo prej dashurisë së Atit dhe dashurisë së Birit për njeriun.

Për syrin e pavëmendshëm, kjo panoramë komplekse është e ndarë prerazi në tri seksione: Perëndia – Bariu i Mirë, besimtarët – delet, dhe të ligjtë – rrogëtarët, vjedhësit, ujqërit. Duket sikur besimtarët kanë për detyrë që vetëm të dëgjojnë zërin e pastër të Zotit e ta ndjekin Atë. Dhe kjo është e vërtetë, por nuk është e vërteta e plotë. Dhe si e paplotë që është, të çon në rrugë të gabuar duke lënë mënjanë atë që na ka vënë Perëndia përpara. Në fakt është edhe një personazh tjetër që nuk bie në sy me shikim të parë: tek vargu 3 është portieri i cili i hap portën Bariut të Mirë. Lavdi Perëndisë për Fjalën e Tij të gjallë e të qartë!

Pikërisht ky personazh na shpalos atë që Perëndia pret prej secilit prej nesh që jetojmë nën ndikime të ndryshme në jetë, si delet në mes të ujqërve. Përgjegjësia e një besimtari nuk kufizohet vetëm tek vetvetja, tek zemra e tij dhe tek veshët e tij të mprehur për të dëgjuar zërin e Bariut, por edhe tek kujdesi që ai duhet të tregojë për vëllezërit dhe motrat që ka pranë. Ne kemi për detyrë që t’ia hapim portat e jetëve tona dhe ato të të afërmve tanë vetëm Bariut të Mirë. Secili prej nesh do të japë llogari se nën ndikimin e kujt e vendosim dhe e lemë veten, por gjithashtu edhe vëllain e motrën tonë.

Ndoshta pikërisht këtu qëndron edhe një ndryshim mes një portieri dhe një rrogëtari. Të dy shohin se kush po vjen dhe nga reagimi i tyre varet jo vetëm fati i atyre vetë, por edhe fati i të tjerëve. Shpresoj shumë që secili prej nesh duke e parë këtë alegori të mësojë që të shqyrtojë mirë atë që po i afrohet në jetë, të dallojë të mirën dhe të vërtetën e të lejojë që vetëm e mira dhe e vërteta të jetë pjesë e jetës sonë.

Ja, unë qëndroj te dera dhe trokas; nëse dikush dëgjon zërin tim dhe hap derën, unë do të hyj tek ai dhe do të ha darkë me të dhe ai me mua.

Zbulesa 3:20

Skerdi Hoxha

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here