Jini mbartës të karakterit të Tij Nga Ervis Muha
Që në fillim Perëndia e krijoi njeriun që të ishte i ngjashëm me Të. Te Zanafilla lexojmë që ne u krijuam sipas shëmbëlltyrës së Perëndisë: “Kështu Perëndia krijoi njeriun sipas shëmbëlltyrës së vet; sipas shëmbëlltyrës së Perëndisë; Ai krijoi mashkullin dhe femrën.” (Zan 1:27)
Perëndia e krijoi njeriun me qëllim që t’i shëmbëllente atij.
Edhe pas mëkatit të Adamit dhe Evës, sërish Perëndia i erdhi në ndihmë njeriut për të restauruar qëllimin që kishte për të. Ai na birësoi në familjen e Tij me anë të Jezu Krishtit. “.. .. duke na paracaktuar që të birësohemi në veten e tij me anë të Jezu Krishtit sipas pëlqimit të vullnetit të vet …. “ (Efes. 1: 4-5 ). “Vetë fryma i dëshmon frymës sonë se ne jemi bij të Perëndisë, dhe nëse jemi bij të Perëndisë jemi edhe trashëgimtarë të Perëndisë dhe bashkëtrashëgimtarë të Krishtit…” (Rom. 8 16-17)
Shpesh ne përdorim shprehje të tilla: ai ka sytë e të ëmës; ka fytyrën e të atit; ka sjelljen e prindërve. Pra, ekziston një vazhdimësi nga prindi te fëmija. Prindërit i transmetojnë fëmijës jo vetëm gjëra në paraqitje po gjithashtu edhe në sjellje, përjetime, emocione, etj.
Mendojeni pak, ne jemi fëmijë të Perëndisë, jemi të thirrur nga Ai dhe jemi krijuar sipas shëmbëlltyrës së Tij. Si rrjedhim, ne jemi mbartës të synimit dhe karakterit të Perëndisë.
Lejoni sot që Perëndia t’ju hapë sytë për të parë atë që Ai ka vendosur brenda jush, dhe trazoni frymën brenda jush.
Jini të frytshëm edhe mbartës të karakterit të Tij.