Është kohë ndryshe kjo që po jetojmë. Edhe Krishtlindja nuk është njëlloj sivjet. Shërbesat, ne si kishë, po i bëjmë në ambiente të hapura ose duke u parë e folur në internet. Predikimet po i regjistroj në shtëpi dhe ua dërgoj njerëzve, të incizuara. Kjo ka vështirësitë e veta… duhet shumë përgatitje të flasësh pa pasur një audiencë përpara dhe mbi të gjitha, nevojitet heshtje gjatë regjistrimit.
Këtë të diel në mëngjes, ndërkohë që po incizoja predikimin për Krishtlindjen, u hap dera dhe në dhomën e gjumit hyri Edeni, djali im 8 vjeç. I bëra shenjë që të mos bënte zhurmë dhe ai e kuptoi se çfarë po bëja… U fut në krevatin e madh dhe po më dëgjonte.
Ndërkohë që flisja për Krishtlindjen, m’u kujtua pikërisht diçka që kisha lexuar: Jezusi vjen tek ne, tek njerëzimi mbarë, njëlloj siç vjen një fëmijë dhe futet në krevatin e madh të prindërve të tij. Pret prej nesh që ta pranojmë e ta mirëpresim. Dhe nga ana tjetër, sa përgjegjësi që sjell kjo gjë për ne. I ngjan përgjegjësisë që kanë prindërit për fëmijën: në qoftë se ne e veshim të miturin, ai është i veshur; në qoftë se ne e ushqejmë atë, ai është i ushqyer; në qoftë se ne e mbajmë ngrohtë, ai ngrohet.
A ndodh kështu edhe me besimin tonë? Besoj se tamam ky është një aspekt tjetër i besimit. Përveçse është një dhuratë (pak a shumë si ato dhuratat që po bëjmë këtë kohë për njëri-tjetrin), besimi ka edhe një dimension tjetër. Ai fillimisht ka nevojë që të mbillet si një farë në zemrat tona; duhet të ushqehet; ka nevojë që ne të kujdesemi për të, me qëllim që të rritet e të bëhet një fryt i pjekur mirë.
Janë të thjeshta këto fjalë e këto nocione. Ashtu siç janë të thjeshta ushqimet me të cilat rritet e forcohet një fëmijë derisa maturohet e bëhet gati për jetën dhe për atë të cilën Perëndia ia ka vënë përpara në rrugëtimin e tij.
Në këtë stinë, në këtë Krisht-Lindje, le ta mirëpresim Jezusin si një fëmijë… si një foshnjë që vjen në historinë e njerëzimit pikërisht në këtë formë e mënyrë. Me delikatesë e pa zhurmë, duke trokitur me durim në derën e zemrës sonë që ndoshta është e mbyllur… me nevojën për të marrë prej nesh përkujdesje dhe ngrohtësi, për t’u veshur e për t’u ushqyer. Dhe le ta rrisim po ashtu edhe besimin tonë këtë kohë. Si një fryt i dobishëm përpara Atij që e ka mbjellë, si edhe atyre, të afërmve, që u nevojitet.
Gëzuar Krisht-Lindjen,
Skerdi Hoxha