Lidershipi ne vendin e punes

· · 9 min lexim · Shkrime më interes

Lidershipi në vendin e punës Përgatitur nga: Elvis Plaku

Prezantimet: Fillo edhe një herë me prezantimet e secilit në grup

Hyrje (përkufizimi) Pavarësisht librave, shkrimeve dhe përkufizimeve që mund të kem hasur gjatë këtyre viteve të shkurtra të jetës time, ai që më ka goditur më tepër dhe që besoj ka edhe me tepër vlerë praktike është përkufizimi nga John C. Maxëell i cili thotë: “lidershipi është ndikim” ose thënë pak më ndryshe “lidership = ndikim/influencë”.

Nëse kjo premisë është e vërtetë, atëhere i bie që secili prej nesh të jetë një lider i një forme apo një tjetre duke qenë se secili prej nesh ushtron një formë direkte apo indirekte ndikimi tek njerëzit që na rrethojnë.

Shembull: Kur ju shkoni në punë çdo ditë me vonesë apo nuk filloni të bëni punën tuaj pa konsumuar më parë kafen (edhe pse ka filluar orari zyrtar i punës), kjo ju bën me ose pa dashje një ndikim negativ te njerëzit që ju rrethojnë. Mbase ndonjëri prej jush do thoshte që arsyeja që ju veproni ashtu është sepse dikush tjetër ka ndikuar/ mësuar negativisht, të silleni në atë mënyrë. Por jam i bindjes që kjo nuk na shfajëson, përkundrasi e përkeqëson situatën tonë. Gjithsesi, mjafton të kuptojmë që duam apo nuk duam ne, secili prej nesh ka sferën e vetë të ndikimit/influencës tek të tjerët – qoftë kjo në mënyrë direkte apo indirekte.

Sfida jonë: Kur e kuptojmë dhe pranojmë në vetvete që secili prej nesh ka ndikim te të tjerët, atëhere mund të fillojmë të operojmë siç duhet në jetën tonë private dhe në jetën publike kudo që jemi.

Prandaj, pyetja që duhet t’i bëjmë vetes në këtë moment është: çfarë duhet të bëj unë me ndikimin që kam?

Synimi im: Është synimi im të sfidoj dhe njëkohësisht të inkurajoj secilin prej nesh këtu, që të fillojmë ta marrim edhe më seriozisht përgjegjësinë tonë si besimtarë në vendin e punës. Por kur them besimtarë, nuk nënkuptoj thjesht si pjesëmarrës/punonjës të thjeshtë apo çfarëdo lloj roli tjetër pasiv në të cilin mund ta shohim veten tonë në vendin e punës.

1. Thirrja unike e Perëndisë për jetën e secilit prej nesh! (Bindja = Ndikim) Unë mund të qëndroj këtu dhe të flas për mënyrat dhe metodat e pafundme se si ju mund të ushtroni ndikimin tuaj në vendin e punës. Mund të flas për ndikimin tuaj nga këndvështrimi sociologjik, psikologjik, filozofik, apo ku ta di unë. Por ajo që do të ndodh shpesh herë kur ne e ushtrojmë ndikimin tonë thjesht në bazë të një metode apo funksioni të caktuar, është që lodhemi dhe heqim dorë shumë shpejt pasi harrojmë shpejt se për çfarë ose pse duhet ta bëjmë këtë.

Në thelb të çdo sipërmarrje, pune apo angazhimi në jetën tuaj, duhet të qëndrojë “thirrja unike e Perëndisë për jetën tuaj”. Në planin e Perëndisë gjithçka e krijuar prej Tij, ka një qëllim, një funksion dhe synim të përcaktuar qartë. Kjo vlen edhe për jetën e secilit prej nesh.

Prandaj, ju sfidoj që nëse nuk e keni kuptuar ende synimin dhe thirrjen e Perëndisë për jetën tuaj, atëherë ka shumë mundësi që po mundoheni kot dhe po rendni pas gjërave që do të kalben.

. Thirrja e Perëndisë, vlen për këtë jetë dhe për atë që do të vijë. . Thirrja e Perëndisë, vlen për jetën tuaj dhe atë të të gjithë personave mbi të cilët ju keni ndikim direkt apo indirekt. . Thirrja e Perëndisë, është unike për ju, pasi ju jeni unik për Perëndinë. . Thirrja e Perëndisë, është shpesh herë burimi i forcës dhe motivimit për të bërë gjënë e duhur në punë dhe në jetë. . Thirrja e Perëndisë, është prioritet jetësor.

Sqarim: Nuk është mëkat apo gabim nëse ju nuk e keni kuptuar ende plotësisht vullnetin dhe thirrjen e Perëndisë për jetën tuaj. Ju inkurajoj që të filloni që sot duke u mbështetur te lutja, te Fjala e Tij, dhe te urtësia e njerëzve të perëndishëm të cilët Ai i ka vendosur rreth jush.

Aplikimi: Në momentin që ju kuptoni vullnetin e Perëndisë për jetën tuaj, atëherë do keni mundësinë të vlerësoni se çfarë vlere dhe impakti real ka çdo aspekt tjetër i jetës tuaj në përmbushje të asaj thirrje.

Shembull: Nëse Perëndia ju ka thirrur që të jeni mësuesi, mësuesja, punëtori, sipërmarrësi, menaxheri, shoferi më i mirë që mundeni, atëherë çdo aktivitet apo sipërmarrje tjetër që nuk kontribuon drejt përmbushjes së këtij synimi, është një pengesë për ju dhe vullnetin e Perëndisë në ju. Kjo nuk do të thotë që duhet të jeni të përkryer, pasi Perëndia është Perëndia i hirit dhe është ai që kthen edhe gabimet dhe dështimet tona në bekime. Por ideja është e qartë, cfarë nuk na ndihmon – na pengon që të përmbushim vullnetin e Tij!

Nëse ju jeni mësues apo mësuese – atëherë koha dhe energjitë tuaja duhet të orientohen drejt përmbushjes së këtyre detyrave dhe përgjegjësive. Sepse në momentin që ju do t’i përmbëheni përgjegjësive të punës dhe thirrjes tuaj, atëherë edhe ndikimi juaj tek të tjerët do të jetë padyshim pozitiv, dhe për lavdinë e Perëndisë.

Nëse ju duhet të jeni sipërmarrës i një biznesi privat apo i një projekti të caktuar, atëherë çdo sipërmarrje apo angazhim tjetër i cili nuk kontribuon direkt apo indirekt drejt sipërmarrjes tuaj është një pengese.

Në të dy këto shembuj, ajo që dua të kuptoni është që nëse ju i përmbaheni vullnetit të Perëndisë në jetën tuaj dhe fokusoheni që ta përmbushni atë rregullisht në punën dhe profesionin tuaj, atëherë edhe vetë ndikimi juaj do të jetë pozitiv pasi njerëzit do t’ju vlerësojnë për punën dhe ndërkohë indirekt apo direkt edhe për faktin që ju i jeni bindur vullnetit të Perëndisë. Bindja juaj = me ndikim.

2. Investimi = Ndikim

Përkufizimi: Kuptimi i hershëm i termit “investoj” nënkuptonte veshjen e dikujt apo diçkaje me një robë apo shenjë që përfaqësonte fuqi, autoritet, njohje. Në kontekstin në të cilin po flasim, “investimi” nënkupton shpenzimin apo sakrifikimin e kohës, energjisë, punës, emocioneve, pra të veten tënde për të arritur një synim.

Në rastin tonë ky investim mund të jetë në drejtimin e vetes tonë – personal, ose në drejtim të personave të tjerë të cilët ndikohen nga ne.

Jezusi është shembulli më i mirë i dikujt që e investoi jetën dhe energjinë e vetë, në përmbushje të thirrjes së Perëndisë, në jetët e dishepujve të tij. Ai sigurisht ishte plotësisht i fokusuar që të përmbushte vullnetin, thirrjen dhe misionin e Perëndisë në jetën e tij. Por një pjesë mjaft e rëndësishme e përmbushjes së atij misioni ishte ndikimi dhe investimi që ai bëri në jetën e 12 dishepujve, pa të cilët vetë thirrja dhe “lajmi i mirë” nuk do të ishin përhapur ashtu siç ndodhi.

Kur ju investoni kohën tuaj për të mësuar, ndihmuar, inkurajuar, nxitur, mbështetur, shtyrë kolegët dhe njerëzit që janë rreth jush, atëherë ju jeni duke ndikuar në jetën e tyre në mënyrë aktive – qoftë kjo direkt apo indirekt nëpërmjet sjelljes tuaj. Por ashtu si në rastin e Jezusit – investimi juaj duhet të jetë i qëllimshëm dhe mbi të gjitha për lavdinë e Perëndisë (jo thjesht për interesat tuaja personale).

Pse duhet të zgjidhni investimin te njerëzit? Ne mund të zgjedhim të investojmë në shumë gjëra ne ditën e sotshme. Dikush prej nesh mund të investojë në një karrierë të caktuar, apo në ndërtimin e një biznesi. Dikush tjetër prej nesh mund të investojë një mision apo synim tjetër, që mbase është thjesht material – pasuri apo pushtet!

Kur Jezusi vendosi të investonte kohën, energjinë, emocionet dhe jetën e tij këtu në tokë, ai vendosi ta investonte atë për shpëtimin, ndriçimin e mendjeve dhe çlirimin e jetëve të njerëzve me të cilët vihej në kontakt. Jezusi vendosi që investimi më i mirë për të (në përmbushje të thirrjes dhe misionit të Tij) ishin vetë njerëzit! Siç e përmendëm edhe pak më sipër, përfituesit kryesorë të investimit të tij ishin dishepujt të cilët ai i zgjodhi dhe përgatiti vetë për të përhapur dritën e tij për botën. Në të njëjtën mënyrë edhe ne duhet të jemi të kujdesshëm dhe të qëllimshëm përsa i përket njerëzve te të cilët zgjedhim të investojmë kohën, energjinë dhe emocionet tona.

Por për ta ritheksuar atë që thashë pak më sipër, kur ju zgjidhni të investoni te njerëzit, ju zgjidhni të ndikoni në jetën dhe të ardhmen e tyre. Kjo është një nga mënyrat më direkte dhe të efektshme për të ndikuar/influencuar në jetët e tyre. Kjo është një nga mënyrat më të efektshme për të qenë lider sipas shembullit të Jezusit kudo që mund të jemi – në zyrë, në shkollë, në treg, në rrugë apo në lagje!


Lexo gjithashtu:

Ndaje:
>
Scroll to Top