• Kreu
  • /
  • Blog
  • /
  • Idhujt: Gjërat e Kota, por Vdekjeprurëse

Idhujt: Gjërat e Kota, por Vdekjeprurëse

Nga: Skerdi1 Qershor, 2018 0 komente |

Idhujt e tyre janë argjend dhe ar, vepër e duarve të njeriut.

kanë gojë, por nuk flasin, kanë sy, por nuk shohin,

kanë veshë, por nuk dëgjojnë, kanë hundë, por nuk nuhasin,

kanë duar, por nuk prekin, kanë këmbë, por nuk ecin; me grykën e tyre nuk nxjerrin asnjë zë.

Njëlloj si ata janë ata që i bëjnë, tërë ata që u besojnë atyre. – Psalmi 115:4-8

Dëgjojmë shpesh adoleshentët apo të rinjtë që thonë: “Atë aktor a sportist e kam idhull”, ose “Ai këngëtar është idhulli i zemrës sime”, ndoshta pa e kuptuar atë që nënkupton fjala idhull. Në Bibël, në shumë vargje të ndryshme, qoftë nga Dhiata e Vjetër, qoftë nga Dhiata e Re, idhulli – një objekt i gdhendur a send i skulpturuar, i cili adhurohet si të ishte perëndi apo besohet se ka fuqi mrekullibërëse – quhet një gjë e kotë (1 i Samuelit 12:20-21). Si idhujt janë edhe njerëzit që i bëjnë dhe iu besojnë atyre (Psalmi 115:8). Po ashtu edhe Pali tek Letra e Parë Drejtuar Korintasve 8:4 thotë: “Ne e dimë se idhulli nuk është asgjë në botë” dhe për këtë arsye madje shumë profetë kanë shkruar me përbuzje për idhujt.

Megjithatë është edhe një aspekt tjetër i cili nuk duhet shmangur …. pas tyre ka fuqi demonike – madje shumë të fuqishme. Te Ligji i Përtërirë 32:17, Moisiu, ashtu si edhe psalmisti (Psalmi 106:36-37) i barazon perënditë e rreme me demonët. Gjithashtu, vini re se çfarë thotë Pali në lidhje me ngrënien e mishit të sakrifikuar për idhujt, kur shkruan Letrën e tij të Parë Drejtuar Korintasve: “Gjërat, që flijojnë paganët, ua flijojnë demonëve dhe jo Perëndisë” (1 Kor 10:20). Me fjalë të tjera, fuqia mbrapa idhujtarisë është fuqia dhe veprimtaria e demonëve dhe këta kanë me të vërtetë fuqi të madhe në këtë botë. Natyrisht, të krishterët e dinë se fuqia e Jezu Krishtit është më e madhe se ajo e demonëve.

Në Bibël idhujt përmenden që herët: që tek Zanafilla, Jakobi i urdhëroi njerëzit e shtëpisë së tij që t’i hiqnin perënditë e huaja nga mesi i tyre… pastaj vazhdojmë te Eksodi, libër në të cilin shohim tërë Izraelin në këmbët e malit Sinai, me popullin që përfshihet në idhujtari, duke adhuruar viçin e artë. Më pas, me radhë, gjatë kohës së gjyqtarëve shikojmë raste të shpeshta idhujtarie, si edhe gjatë kohës së mbretërve, kur idhujtaria ishte e vazhdueshme.

Por pse ishte kaq joshëse kjo praktikë? Nga njëra anë, në këtë mënyrë silleshin të gjitha kombet e tjera. Populli i Perëndisë ndikohej nga popujt e tjerë të cilët thoshin se sa më shumë perëndi të kishe, aq më mirë do të ishte. Nga ana tjetër, idhujt nuk kërkonin atë bindje e përkushtim të devotshëm të kërkuar nga Perëndia. Me standardin e Tij të shenjtërisë, Perëndia iu bënte thirrje (ashtu siç na fton edhe neve sot e kësaj dite) që ata t’i rezistonin vazhdimisht prirjes ndaj imoralitetit dhe praktikave të tjera mëkatare që lejoheshin apo bekoheshin nga fetë pagane. Pikërisht dhënia e vetes pas imoralitetit, kjo mendjelehtësi e kjo dhënie pas gjërave të kota fshihte një rrezik të madh. Sidoqoftë, nuk duhet harruar që idhujtaria ndonjëherë sillte rezultate të vërteta e të dukshme për ata që e praktikonin: fuqitë demonike prapa tyre, ndonëse me baza të kufizuara, ishin të afta që të jepnin të mira të përkohshme materiale dhe fizike. (Na kujton shprehjen: Edhe ora e ngelur, dy herë në ditë e tregon saktë kohën).

_____________________________________________

Teksa meditoj për këtë më vjen në mendje një analogji nga gjuetia: Unë nuk jam i apasionuar pas gjahut, por besoj se shumë prej nesh i kanë parasysh disa praktika për të kapur prenë. Njëra prej tyre është kurthi. Një kurth i maskuar, një grackë e cila ngjan krejt e zakonshme në mjedisin ku ndodhet; që duket e rëndomtë dhe shfaqet si një gjë e padëmshme, por që fsheh një rrezik të madh për ata të cilët e nënvleftësojnë apo që luajnë pa u merakosur për të.

Një tjetër taktikë gjahu është kapja e presë me një grep në të cilin është vendosur një karrem: të duket sikur të ofrohet diçka e pëlqyeshme dhe e shijshme, ndoshta diçka që duket si ushqim, por në fakt je ti ai që bëhet ushqim. Grepi ku është vënë karremi mund të jetë edhe diçka që peshkut i duket si thjesht një gjë e pazakontë dhe tërheqëse – diçka që shkëlqen e ngjall kuriozitet, ashtu siç mund të na duken kureshti shumë gjëra që na rrethojnë apo që paraqiten para nesh në rrugë, përmes reklamave, televizorit apo internetit. Po kështu, neve mund të na duken të rëndomtë e të padëmshëm apo ndoshta edhe “të shijshëm” a “të pëlqyeshëm”, shumë prej idhujve që kemi rreth e rrotull. Ata mund të na duken pjesë e së përditshmes sonë personale apo komunitare, por si shqiptarë të krishterë, si besimtarë të devotshëm kemi përgjegjësinë për t’i dalluar kurthet që na rrethojnë.

Marrëdhënia midis idhujtarisë dhe demonëve shihet më qartë kur kuptojmë se sa e ndërlikuar është lidhja ndërmjet praktikave fetare pagane me spiritizmin, magjinë, parashikimin e së ardhmes, yshtjen, shortarinë dhe gjëra të ngjashme me këto (në Bibël ka shumë raste që e tregojnë këtë) ….  Dhe në fakt këto gjëra ne i shohim rreth e rrotull nesh: gjëra që mund të kamuflohen si gjoja pjesë të kulturës sonë apo kinse të traditave tona, por një popull që ka marrë Fjalën e Ungjillit nga goja e Palit dhe ungjilltarëve të hershëm e që duhet ta mbajë atë të pastër e të pandotur, ka për detyrë që t’i shoshitë në zemër të gjitha kurthet që i vihen përpara, me qëllim që të mos e humbasë pikërisht marrëdhënien personale që ka apo duhet ta ketë me Perëndinë.

Në të njëjtën mënyrë, do ishte një kurth për mua që t’i thosha secilit prej jush se cili është idhulli i tij apo i saj në jetë. Secili prej nesh duhet të kuptojë se cila është ajo gjë apo cili është ai person real apo virtual i cili i ka zënë fronin Perëndisë në jetën tënde. Mund të jenë gjëra me ndikim në jetën tënde, zakone të cilat kemi vështirësi t’i largojmë, mund të jetë materializmi yt apo edhe vetë vetja jote një formë idhujtarie. Mundet të jetë lakmia jote – për të cilën Pali tek Kolosianëve 3:5 e thotë qartë që është idhujtari – dëshira për të pasur më shumë apo edhe dëshira për të mos hequr dorë nga ato që zotëron, e cila mund të jetë kurthi yt vdekjeprurës.

Le të vijmë pra tek altari i Perëndisë duke ndjekur shembullin e Izraelit të pastruar e të shenjtëruar larg idhujtarisë dhe duke ndjekur këshillën e Palit tek 1 Korintasve 10:21: “Ju nuk mund të pini kupën e Zotit dhe kupën e demonëve”. Le të jemi të bindur se ata që i shërbejnë Perëndisë dhe përjetojnë shpëtimin dhe bekimin e Tij, nuk mund të marrin pjesë edhe në praktikat e liga dhe imorale të botës. Perëndia nuk toleron asnjë formë idhujtarie. Le t’i shkatërrojmë të gjithë idhujt e zemrave, mendjeve, shtëpive dhe shpirtrave tanë, duke marrë çlirimin e Perëndisë, njëlloj siç mori Izraeli çlirimin pasi i klithi Zotit e duke hequr dorë nga shërbimi ndaj idhujve. Le të mos jemi ziliqarë, lakmitarë apo imoralë, le t’i këpusim vargonjtë e materializmit e t’i largohemi çdo forme idhujtarie duke adhuruar vetëm Perëndinë e vërtetë dhe kështu le të bëhemi gati për trashëgimin e mbretërisë së Tij.

Kjo nuk është diçka që ndodh me një predikim e as në një çast të vetëm – por le të fillojë ky proces i shoshitjes dhe i shqyrtimit tek brendësia e secilit prej nesh, duke iu lutur Perëndisë që të na bëjë të qartë atë që po na largon prej Tij dhe duke qenë të bindur se Perëndia dëshiron me mall e me zjarr të përqafohet me ne.

Skerdi Hoxha

Ky shkrim është bazuar mbi një artikull të Biblës së Studimit “Jeta e Plotë” që pritet të dalë së shpejti në shtyp.

Skerdi

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}


Gjithashtu mund të lexoni

Doktrina e Mësimit të Begatisë

Pesë solat e Martin Luther-it dhe Reformacioni Protestant

Halloween – Dita e Reformimit

Vlerësimi i shëndetit shpirtëror sipas pesë qëllimeve, nga 1 deri 5 nga Altin Kita

Review Your Cart
0
Add Coupon Code
Subtotal

 
>