“Fisnikëria” e Dritës

0
1489

Perëndia është dritë dhe në Të nuk ka kurrfarë errësire.

                                                                                  Letra e Parë e Gjonit 1:5

Fisnikeria e dritesKur e lexon këtë aksiomë sublimisht të frymëzuar, në fillim mahnitesh për thjeshtësinë e konceptit të shprehur. Vetëm më pas kupton thellësinë e saj. Duket sikur Apostulli Gjon, në përfundim të një procesi kondensues të mendimit, vjen tek ne me një shprehje sa elementare, aq edhe gjithëpërfshirëse. Të ngjan me ato thëniet e gjyshërve që të tingëllojnë aq fuqishëm në vesh vite e vite më vonë për shkak se janë aq të thjeshta e aq të vërteta saqë natyrshëm bëhen pjesë e jotja.

Drita, kjo tërësi rrezesh dhe energjie që bën gjithçka të dukshme, është në bazën e krijimit dhe të vazhdimësisë së jetës. Fjalët e para të Perëndisë të regjistruara në Bibël ishin pikërisht: “U bëftë drita” dhe në kapitullin e fundit të Zbulesës, lexojmë se Parajsa është qyteti i ndriçuar prej Atij vetë. Drita, për epoka me radhë, i ka intriguar shkencëtarët me misteret që ngërthente: drita e bardhë që zbërthehej në një ylber ngjyrash; dualizmi i natyrës së dritës: grimcë dhe valë. Por janë edhe disa aspekte të tjera të saj që më vijnë në mendje teksa meditoj për këtë përkufizim.

Delikatesa e dritës… ose më lejoni ta quaj, “fisnikëria” e saj. Drita ia lejon njerëzve që ta kufizojnë veprimin e saj. Drita natyrale, njëlloj si Jezusi që troket në zemrat tona, nuk i shpërthen dyert apo dritaret, por pret me durim që ne ta lejojmë të hyjë në shtëpinë tonë. Drita mund të kufizohet, njëlloj si i Plotfuqishmi që e kufizon vetveten, madje e zbraz veten dhe merr trajtë shërbëtori për ne. Jezusi u akuzua për shumë gjëra në mënyrë të rreme, por asnjëherë nuk u padit se ndërhyri ku nuk i takonte, apo se ishte prepotent apo arrogant ndaj njerëzve. Ai gjithmonë priti nga Perëndia – “Biri nuk mund të bëjë asgjë prej vetvetes, përveç asaj që sheh se bën Ati” (Gjoni 5:19) dhe gjithashtu priti edhe nga njerëzit që të sigurohej se ishte i ftuar dhe i mirëpritur aty ku shkonte.

Në pjesën e dytë të vargut: “në Të nuk ka kurrfarë errësire”, na tërhiqet vëmendja drejt shenjtërisë së Perëndisë. A mos vallë po marrim një ftesë për t’u mahnitur pas përsosmërisë së Zotit, për ta shkëputur vështrimin nga çdo lloj gjëje tokësore për të rënë (sërish) në dashuri me Perëndinë, Krijuesin tonë? Është një perfeksion çarmatosës përpara të cilit nuk mund të rrish dot asnjanës dhe natyrshëm e adhuron. Pikërisht për këtë shenjtëri flet Apostulli i Moshuar në vargjet pasuese të Letrës, kur na nxit pa shtrëngim që të kufizohemi nga e liga e të heqim dorë nga gjërat e errëta, të përmbahemi nga ato që janë të panevojshme e të tepërta në jetë – të mos ecim në errësirë e kuturu. Na kërkohet që ta orientojmë rrugëtimin tonë nga drita që është Zoti e madje të ecim në dritë. Kjo thirrje për fisnikëri e ky proces shenjtërimi për të cilin jemi të thirrur të gjithë ne, të përmendura edhe gjetkë në letrat e Palit (Filipianëve 4:8, 1 Korintasve 3:12-13), ngjasojnë me udhëtimin e një anijeje për në port pas një furtune të fuqishme. Marinarët e anijes janë detyruar që për shkak të rreptësisë së shtrëngatës të hedhin gjithçka të rëndë e të tepërt në det, në mënyrë që anija të jetë mjaftueshëm e lehtë e të mos mbytet, por ia kanë dalë mbanë që më në fund, ta sjellin në vendmbërritje thesarin e çmuar që anija mbart me vete.

Perëndia na ndihmoftë që të jemi sa më të thjeshtë e fisnikë, që të udhëtojmë pa gjëra të tepërta në rrugëtimin tonë, të mbetemi të pashpërqendruar nga kotësirat, obsesionet e iluzionet, në mënyrë që të arrijmë të sigurt në destinacion!

Skerdi Hoxha

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here