Dhe ata e përqeshnin …

Nga: Flori22 Tetor, 2017 0 komente |

NjerezitNjë baba kishte vajzën të sëmurë rëndë për vdekje. Me profesion ishte marrë gjithë jetën me Ligjin e Zotit, e njihte që i vogël. Por tani, ligji, të cilin e dinte përmendësh, nuk po i jepte formulën shëruese për vajzën. Kujtonte çdo varg, por nuk gjente shpresë në asnjë nga këshillat që u kishte mësuar për vite të tëra, vizitorëve në Tempullin e Zotit.

Si ka mundësi që mua, mësuesit të Ligjit për vite të tëra, po më ndodh kjo fatkeqësi? A kam mëkatuar kaq rëndë vallë?  Po vajza është kaq e vogël! Kaq e bukur! Kaq e dashur!

Në mendje iu kujtua: Zoti jep edhe Zoti merr!

Ditën që i lindi vajza, si i çmendur gëzoi e qerasi çdo mik e të panjohur që kalonte pranë pragut të shtëpisë së tij! Hej, njeri, gëzo me mua; jam bërë baba! Pije këtë gotë për gëzimin tim. Jam baba!

Tani, vajza në duart e tij nuk fliste e nuk hapte sytë.

– Folmë bijë…

Në qytet të gjithë e dinin që Jezusi bënte mrekulli. Kishte pasur turp e shumë frikë ta takonte. Ky njeri që bën mrekulli, shëron të sëmurët dhe thotë që është Biri i Perëndisë, nuk ishte i ngjashëm me kolegët e tij, mësues të Ligjit. Si ka mundësi që ky i pashkolluar, të bëjë mrekulli? Unë kam tërë jetën në Tempullin e Zotit dhe nuk kam bërë një mrekulli.

Këto mendime, si dhe tallja nga komuniteti fetar, e kishin tërhequr nga takimi me Jezusin. “Do më përqeshnin po bëra miqësi me të”.

Me të dëgjuar vetë, apo të thënë nga të tjerët, pak veta mund ta saktësojnë këtë pikë, ky baba ishte në dijeni se Jezusi shëronte përmes besimit tek Ai. Po ta takonte Jezusin, t’i lutej atij e t’i tregonte për vajzën, mbase Jezusi mund ta kthente në jetë. E në fund të fundit, çfarë kishte për të humbur? Mund ta bëjë Jezusi edhe një mrekulli?

Familjarët e tij ishin dorëzuar.  Vajza e vogël nuk jepte shenja jete.  Asnjë nuk e përkrahu idenë për të sjellë Jezusin në shtëpinë e tyre. Ç’do bënte Jezusi?

Por babai filloi të besonte.

– Do iki ta takoj.

– Mos shko! Vajza vdiq.

I mbylli veshët:

– Do iki.

Në gjunjë, i përgjëruar, me krenarinë e tretur në lotët në sy, i lutet me besim:

– Jezus! Sapo më vdiq ime bijë, por eja; vëre dorën mbi të dhe ajo do të jetojë!

Hapi veshët e dëgjonte vajin e klithmat e dhimbjes së familjarëve.

– Vajza… – pëshpëriti.

Atmosfera qe mbytëse, nuk kishte vend për mrekulli; lotët ishin prezent. Ishte zi.

Një zë i bukur, nga ai zë që kur e dëgjon, fashit çdo zhurmë e rindez trupin dhe mendjen, i thotë:

– Largoji familjarët, sepse vajza nuk ka vdekur, por po fle. – Jezusi i foli.

– Si, ashtu? Po, patjetër. Jezus, do e bëj. Unë mund t’i largoj.

– Hej, ju lutem, a mund të ikni?  Mos vajtoni para kohe!  Vajza nuk ka vdekur. Po fle. Mirë? Ma tha vetë Jezusi. Unë besoj tek Fjala e Tij.

Kur e dëgjuan zërin e babait që iu fliste, familjarët u shokuan.

– Si tha? Si tha? I shkreti, sa rëndë qenka.

Dhe filluan ta përqeshnin për besimin.

– Si mund t’i besosh Jezusit? Si tha, po fle? Hahahaha. Si ka mundësi t’i besosh Jezusit? Si mund të flejë dikush, që nuk i rreh zemra? Na vjen keq për ty, po vajza ka vdekur. Pranoje dënimin tënd! Mos e dëgjo Jezusin. Mos u merr me atë. Ai nuk ka arsye. Njeriu kur vdes, nuk ringjallet më. Kështu tha edhe për veten e tij. Do vdesë për faljen e mëkateve tona, e do ringjallet të tretën ditë.  Mos e beso Jezusin. Ky babai qenka dhe ai që kemi dëgjuar gjithë këto vite për ligjet e Zotit, pale. Ta heqim fare nga pozicioni drejtues, sepse besoi tek Jezusi!

Babai u nxeh.  Nuk i besohej që të gjithë ishin kundër tij.

– Pushoni! Ju thashë, pushoni! Ju lutem, pse flisni kështu! Ju lutem… Jezusi e tha, unë besoj!  Jezusi më foli!

– O Jezus, më ndihmo të largoj turmën nga shtëpia. Nuk po ia dal dot. Të lutem përzëri! Nuk po më dëgjojnë.  Dua të veprosh mbi vajzën time. Nuk dua të besoj përqeshjet e tyre. Arsyeja e tyre bën kuptim për mendjen e tyre, por unë besoj tek ty. Ti je përtej arsyes, je Zoti që e krijove arsyen tonë. Si mund të arsyetoj Krijuesin që krijoi jetën? Nëse ti e thua, Jezus, unë e di që do bëhet.

“Duhet ta përzë turmën me forcë”.

– Largohuni o njerëz nga shtëpia ime. Kjo është shtëpia ime, shtëpia e besimit. Hajt, ikni. Ikni fare nga kjo shtëpi. Nuk më intereson fare pozicioni i punës. As fjalët tuaja tallëse! Jezusi thotë që aty ku nuk ka besim, nuk ka mrekulli! Largohuni nga shtëpia ime. Do qëndrojë vetëm Jezusi, unë dhe vajza. Unë besoj tek Ai. Flisni kundër meje, jashtë shtëpisë time!

Dhe, kur turmën e nxorën jashtë, Jezusi hyri tek dhoma, e zuri për dore vajzën dhe ajo u ngrit.

– Baba!

– Bija ime.

– Kush më shëroi, o babi?

– Jezusi bija ime. Zoti ynë!

– Si ka mundësi, babi? Nuk e kuptoj.

– Mos u mundo, bija ime, ta kuptosh. Beso tek Jezusi, Zoti ynë i dashur. Ai jep edhe merr. Por jetën që na e jep Ai, asnjë nuk mund ta marrë.

Dhe babai e mbylli historinë e tij.

Dhe për ty, o vëlla e motër! Kur vështirësia të vjen në jetë, kërko dorën e Jezusit; mos arsyeto sipas mendjes tënde. Mos e përqesh Perëndinë me arsyen njerëzore dhe largo çdo gjë që ndikon besimin tënd negativisht. Sepse mendimet e Tija nuk janë mendimet tona dhe rrugët e Tij nuk janë rrugët tona.

Jeto që Jezusi të thotë i fundit fjalën e Tij.

(perifrazim i Ungjillit Sipas Mateut 9:18)

Flori

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}


Gjithashtu mund të lexoni

Doktrina e Mësimit të Begatisë

Pesë solat e Martin Luther-it dhe Reformacioni Protestant

Vlerësimi i shëndetit shpirtëror sipas pesë qëllimeve, nga 1 deri 5 nga Altin Kita

Realiteti Parësor

Review Your Cart
0
Add Coupon Code
Subtotal

 
>