Teksti profetik dhe apokaliptik i Biblës Shkruan: Dr. Femi Cakolli, pastor
Nën tablonë e asaj se çfarë përkufizohet si një tekst profetik dhe apokaliptik në suaza të Biblës do t’i kemi parasysh kryesisht tre libra të saj: Ezekieli, Danieli dhe Zbulesa[1], duke ditur se janë gjithsej 18 libra profetikë të Biblës. Veprat biblike por edhe ato letrare që kanë një tekst profetik dhe apokaliptik njihen shumë qartë me mesazhin dhe me stilin e tyre. Që t’i bësh një analizë të duhur letrare dhe shkencore një teksti janë gjashtë segmente interpretuese që duhet kërkuar gjatë leximit ose studimit:
– Gjërat që janë të theksuara (1) – Gjërat që janë të përsëritura (2) – Gjërat që janë të ndërlidhura (3) – Gjërat që janë të ngjashme (4) – Gjërat që janë kundërta (5) – Gjërat që janë të vërteta në jetë (6)
Meqenëse teksti profetik dhe apokaliptik paraqesin një ndër tekstet më të vështira letrare për interpretim, atëherë përdorimi i këtyre gjashtë segmenteve interpretuese patjetër se do të ndihmojnë për të kuptuar edhe strukturën gramatike të tekstit (1), strukturën biografike (2), gjeografike (3), historike (4), kronologjike (5) dhe ideologjike (6).
3 6 2
5 4 1
Fig. 3 Segmentet interpretuese
Në një paraqitje skematike, segmentet interpretuese dhe strukturat letrare do të dukeshin kështu:
Vepra hipertekstuale
6 Leximi 2 Vepra letrare 5 Studimi 3
1 2 3 Teoritë Kritika letrare 4 5 Letërsia 6
Fig. 4. Strukturime letrare
Gjeneza e tekstit profetik dhe apokaliptik bazohet në shenjat e para të tregimeve gojore, që kanë qenë ndoshta edhe primitive. Të folurit ose të shkruarit profetik nganjëherë nëpër traditat e ndryshme letrare dhe kulturore është bazuar edhe në mite dhe kulte. Teksti i Biblës paraqet një tekst me nivel të lartë ambiguiteti kuptimor.[2] Gjithmonë teksti profetik dhe apokaliptik ka një strukturë emblematike. Këto dy lloj tekstesh më shumë ngjasojnë me njëri-tjetrin dhe janë në një varësi simbiotike sipas kriterit biblik. Profecia mund të bëhet apokalipsi dhe apokalipsia mund të shndërrohet në profeci. Pavarësisht prej këtyre karakteristikave, ka disa dallime ndërmjet këtyre dy teksteve biblike. Teksti profetik herë është e herë nuk mund të jetë historik, biografik, gjeografik, për një kohë të caktuar, për një person ose grup shoqëror të caktuar, por mund të jetë edhe kozmogonogjik, kurse teksti apokaliptik është një tekst johistorik, jobiografik, jogjeografik, është për të gjitha kohët dhe pakohësinë, i drejtohet çdonjërit, dhe së fundi, gjithmonë është kozmogonogjik. Përveç këtyre dallimeve, këto tekste veçohen edhe për sa u përket diskurseve. Derisa teksti profetik mund të përmbajë kryesisht gjuhë ose shenja të dekodueshme, teksti apokaliptik në shumicën e rasteve është jodekodues, hermetik. Kështu, për shembull, libri i Zbulesës në përgjithësi ka një gjuhë shenjash dhe një sistem simbolesh që asnjëherë nuk janë aplikuar në Bibël, megjithëse Zbulesa, në të vërtetë autori i saj Gjon Ungjilltari[3] ka mësuar prej librit të Ezekielit[4] dhe të Danielit[5] dhe prej disa kapitujve të ungjijve. Merita kryesore për literaturën apokaliptike i vishet Danielit, i cili kishte mërguar në Babiloni dhe i cili po ashtu jetoi edhe gjatë kohës së Perandorisë Persiane, dhe thuhet se janë pikërisht këto dy kultura shkrimi që kanë ndikuar në profetin Daniel, i cili ishte edhe dijetar i letërsisë dhe, si i tillë, i vetmi nga të gjithë autorët e librave të Biblës. Ezekieli dhe Danieli i kanë paraprirë Gjonit, kurse në letërsinë tonë Kristoforidhi i paraprin Pashkut. Prej gjithë llojit të teksteve dhe metodave biblike, i pari që ka aplikuar një sistem të ri, pra apokaliptik, është profeti Ezekiel, i cili në predikimet e tij e lë të folurit – konkretisht të shkruarit – rrëfimor por filloi të shkruante me simbole (kapitulli 8 i librit të tij), pastaj me vegime (po kapitulli 8), proverbialitet (pjesët 12:22-23, 18:2), profetikisht (6:20; 40-49). Duke përdorur këtë strukturë letrare, Ezekieli na shfaqet me të vërtetë një artist dhe një krijues i madh, çfarë nënkupton sot shkenca e letërsisë, duke pikturuar miniatura të çuditshme mistifikuese dhe tmerruese. Edhe teksti apokaliptik, pra shenjat e para të të cilit i gjejmë te Ezekieli dhe te Danieli, në Zbulesë përmban simbole, profeci, proverbialitet, vegime, por në këtë lloj shkrimi gradacioni i strukturave letrare është shumë më dinamik, ku, p.sh., vetëm Zbulesa i ka deri në 300 simbole dhe secili e ka kuptimin e vet. Zbulesa mund të kuptohet edhe si një dramë, pasi ajo ka personazhe, konflikte, prolog, epilog, unifikim, aktet etj. Në përgjithësi, statusi i tekstit biblik, megjithëse është dinamik, nuk ka për synim t’i vizualizojë figurat, ndoshta përjashtim mund të bëjë teksti historik, mirëpo kur lexojmë kaq shumë figura, shenja dhe simbole biblike që ndërtohen përmes vegimeve, siç është rasti për shembull me katër kalorësit e apokalipsës, sërish teksti apokaliptik dhe profetik sjell më shumë sugjestionin, kuptimin hermetik, por jo të qenët vizual. Në kuadër të determinimit të këtij lloj teksti biblik ose artistik, në fushën e teorisë së letërsisë do të njihej më shumë si literaturë fantastike, e cila, siç dihet, është e mbushur me orakuj, kulte, misticizëm, mite, spiritualizëm, demonizëm etj. dhe gjithë projektimi i këtij lloji të letërsisë është bërë për të ngritur çështje shpirtërore (p.sh. lufta e së mirës kundër së keqës). Edhe pse nuk pranohet shumë lehtë se në kuadër të letërsisë së krishterë ka letërsi fantastike, ajo në fakt haset në disa pjesë të Biblës, si dhe tek autorë të tjerë si, p.sh., Gjon Bunjani në librin e tij “Rruga e shtegtarit”, në të cilin dominon një lloj fantazie alegorike.
Lidhur me proveniencën e shkrimit profetik dhe apokaliptik studiues të ndryshëm nxjerrin në pah se judenjtë e përfituan atë në përvojat e tyre letrare derisa ata ishin të mërguar në Babiloni dhe në Persi të ndikuar nga zoroastrianizmi persian[6]. Mirëpo, pa përjashtuar përvojën dhe ndikimin e letërsisë së zoroastrianizmit persian në letërsinë biblike, ne gjejmë shkrime të mjaftueshme profetike dhe apokaliptike në Bibël edhe para mërgimit të Mbretërisë së Izraelit në Persi në shek. VIII para Krishtit dhe të Mbretërisë së Judesë në Babiloni në shek.VI para Krishtit, si p.sh., Libri i Isaisë, i cili është shkruar së paku 100 vjet para mërgimit të parë, dhe ai i Ezekielit, i shkruar jo shumë kohë pas viteve të mërgimit. Në fakt, këta dy libra të këtyre dy autorëve më shumë janë shkrime profetike, mirëpo gjatë dhe pas mërgimit statusi i tekstit apokaliptik dhe profetik në Bibël bashkëdyzohen dhe e substitucionojnë njëri-tjetrin shpeshherë. Elementi apokaliptik në letërsi të ndryshme të Lindjes është tejet i pranishëm, kurse në religjion paraqitet si një element i huaj por i krahasueshëm gjithmonë me vlerën e statusit të tekstit profetik. Libri i Danielit ndahet në dy pjesë. Pjesa e parë përbëhet prej kapitullit të parë e deri tek kapitulli i gjashtë, kurse pjesa e dytë kap kapitujt prej 7-12. Kapitujt 1-6 janë histori, kurse kapitujt 7-12 janë profeci. Danieli përdor një teknikë të kontrastit duke bashkuar dy tregime, dy vargje, dy histori, dy fjali, dhe autori sa herë që e bën këtë e ka për qëllim që t’i kontrastojë dy gjëra shumë të njohura. Gjithë libri i Danielit ka tri shtresa të kontrasteve. Shtresa e parë është kapitulli 2 me të 7-tin; 3 me 6; 4 me 5. Kur të paraqitet skematisht kjo atëherë në librin e Danielit shohim një V, që simbolikisht tregon qëllimin e librit:
I. 2 —————- 7 II. 3 ———- 6 III. 4 —– 5
Fig. 5. Shtresa të kontrasteve tek Danieli
Libri i Danielit, i mbushur përplot me profetizma dhe apokaliptizma, dhe për shkak të dytës, hebrenjtë në kanonin e shkrimeve të tyre në Tora Danielin fare nuk e kanë radhitur në pjesën e profetëve, siç bën kanoni grek, por në pjesën e shkrimeve të tjera, pasi judenjtë apokaliptizmën po ashtu e kanë parë disi si një element të huaj në religjion. Apokaliptizmi mund të ketë pikëpamje të ndryshme jo vetëm në Bibël dhe në letërsitë e ndryshme kombëtare, si: pikëpamja historike, futuriste, realiste dhe preteriste. Apokaliptizimi ndërtohet mbi tri lloj shtylla simbolizimesh: mbi moralizëm, eshatologjizëm dhe profetizëm.
Se edhe në shkrimin e Biblës ka mjaft tekste profetike me elemente apokaliptike, nuk do shumë mund për t’i hetuar ato. Qysh prej librit të parë, pra Zanafilla, shkruar nga Mojsiu, para 3500 vjetësh, dhe kjo datë na tregon se atëherë s’kishte as vend e as kulturë persiane ose babilonase.
Ja një shembull: “Por ndodhi që mbas dy vjetësh të plota Faraoni pa një ëndërr. Ai ndodhej pranë lumit, dhe ja që ndërsa po ngjiten nga lumi shtatë lopë, të hijshme e të majme, që nisën të kullosin ndër xunktha. Pas atyre, u ngjitën nga lumi shtatë lopë të tjera të shëmtuara dhe dobëta, dhe u ndalën pranë të parave në bregun e lumit. Tani lopët e shëmtuara dhe të dobëta hëngrën lopët e hijshme dhe të majme. Pastaj Faraoni u zgjua. Dhe më pas e zuri gjumi dhe e pa një ëndërr të dytë; dhe, ja, shtatë kallinj të trashë dhe të bukur që dilnin nga një kërcell i vetëm, pastaj, ja, shtatë kallinj të hollë dhe të tharë nga era lindore, që mbinin pas tyre. Dhe kallinjtë e hollë gëlltitën shtatë kallinjtë e trashë dhe të plotë.”[7]
Këto dy ëndrra shpjegohen nga Jozefi. Nga pikëpamja e shtrirjes së këtij lloj teksti dhe e interpretimit të këtij teksti, Jozefi është Danieli, dhe Faraoni është Nabokodonosori. Tani të shohim një tekst tjetër biblik se si është ndërtuar teksti profetik dhe ai apokaliptik së bashku te profeti Ezekiel, diku 700 vjet më vonë sesa Jozefi: “Ndërsa po shkoja, ja ku erdhi nga veriu një furtunë, një re e madhe me një zjarr që mbështillej rreth vetes së tij; rreth tij dhe nga mesi i tij dilte një shkëlqim i madh si ngjyra e bronzit ikandeshent që ndodhet në mes të zjarrit. Nga mesi i tij dukej ngjashmëria e katër qenieve të gjalla; dhe kjo ishte pamja e tyre: kishin ngjashmërinë e njeriut. Secili prej tyre kishte katër fytyra dhe secili katër krahë… Sa për pamjen e fytyrave të tyre, të gjithë kishin fytyrë njeriu, që të katër fytyrë luani në të djathtë, që të katër fytyrë kau në të majtë, dhe që të katër fytyrë shqiponjeje”[8].
Interpretimi: Ky vizion i dhënë kishte për qëllim për të krijuar një efekt në kujtesën dhe mendjen e Ezekielit. Mendja e tij tani ishte e preokupuar me diçka të jashtëzakonshme, të madhe dhe profetike. Katër fytyrat simbolizojnë qenien e Zotit i cili sheh në të gjitha anët, dhe se Zoti do të vjen në mesin e njerëzve. Prandaj ai ka edhe fytyrë njeriu. Ai do të jetë mbret, madhështor, prandaj në vizion ai ka fytyrë luani. Ai do të shërbejë me dobi dhe do të jetë një shërbëtor i madh, prandaj përshkruhet me fytyrë kau. Kau është kafsha më e madhe shtëpiake e njeriut, dhe kafsha më e dobishme dikur në botë. Sipas një fjale të urtë popullore shqiptare kau është shtylla e shtëpisë. Ai është i lartë, i shpejtë, prandaj në vizion Zoti përshkruhet me fytyrë shqiponjeje, si shpendi që fluturon më së shumti. Katër fytyrat e para nga Ezekieli përmbushen me Krishtin dhe katër ungjijt. Sipas ungjillit të Mateut Krishti është Mbreti (Luani). Sipas ungjillit të Markut Krishti është Shërbëtori (Kau). Sipas ungjillit të Lukës Krishti është Biri i Njeriut (Njeriu). Sipas ungjillit të Gjonit Krishti është Biri i Perëndisë, pra, Ai që vjen nga lart (Shqiponja).
Ja tani një tekst profetiko-apokaliptik shkruar nga Danieli, diku 100 vjet më vonë sesa Ezekieli: “Cjapi kishte një bri të madh midis syve të vet. Arriti deri te dashi me dy brirë që kisha parë më këmbë përpara lumit, dhe iu hodh kundër me furinë e forcës së tij. E pashë të afrohet dhe të zemërohet kundër tij; pastaj i ra me bri dashit dhe copëtoi dy brirët e tij, ndërsa dashi nuk kishte fuqi për t’i rezistuar; kështu nuk e hodhi për tokë dhe askush nuk mundi ta çlironte dashin nga pushteti i këtij. Cjapi u bë shumë i madh; por, kur u bë i fuqishëm, briri i tij i madh u thye; në vend të tij dolën katër brirë të mëdhenj, që drejtoheshin kundër katër erërave të qiellit. Nga një prej tyre doli një bri i vogël, që u bë shumë i madh në drejtim të jugut, të lindjes dhe të vendit të lavdishëm”.[9]
Dhe së fundi do të sjellë edhe një tekst tjetër nga libri i Apokalipsës, shkruar nga Gjoni diku 500 vjet pas Danielit: “Dhe u duk një shenjë tjetër në qiell: dhe ja, një dragua i madh i kuq që kishte shtatë kokë dhe dhjetë brirë, dhe mbi kokat e tij kishte shtatë kurora. Dhe bishti i tij tërhiqte pas vetes të tretën pjesë të yjeve të qiellit dhe i hodhi mbi tokë… Dhe pashë të ngjitej nga deti një bishë, që kishte mbi brirë dhjetë kurora dhe mbi krerë emra blasfemie. Dhe bisha që pashë i ngjante një leopardi; këmbët e saj ishin si të ariut dhe goja e saj si ajo e luanit; dhe dragoi i dha fuqinë e vet, fronin e vet dhe autoritet të madh… dhe pastaj pashë shatë engjëj me shtatë plagë… ja pashë një kalë të bardhë… një kalë të kuq…një kalë të zi…një kalë të verdhë”.[10]
Nga: një analizë e këtyre teksteve profetiko-apokaliptike del se ky lloj diskursi biblik po ashtu paraqitej si një temë dhe si figura biblike duke qenë në një ekuivalencë me temat dhe figurat e tjera tejet referenciale. Interpretimi i këtyre figurave, i kësaj numërologjie, i këtyre kontrasteve, i këtij stili është i zbërthyeshëm edhe si koncept letrar e edhe si koncept teologjik, duke ditur semantikat historike të shenjave bibliko-letrare, si: vulat, engjëjt, kisha, guri, skeptri, kurora, briri, flamuri, fytyra, skeptri, vegimi, ylli, numri, figura, simboli, djajtë, dragoi, bisha, antikrishti, qielli i ri, babeli, deti, uji, kurva, kodra etj. Teksteve të këtilla apokaliptike u mungon komunikimi verbal pasi teksti ka më shumë komunikim vizual dhe auditiv, prandaj duket sikur kuptimi është i mbuluar. Tipi i këtillë i shkrimit është jokonvencional, jokanonik, por është tip i shkrimit piktural dhe muzikal, pra janë fjalë që dëgjohen dhe që shihen. Gjithmonë në këtë lloj shkrimi, qoftë në tekstin e Biblës ose në tekstet e tjera letrare, figurat e këtilla marrin dimension sakramenti[11]. Zbulesa duket se është e vështirë për t’u kuptuar, por po të lexohet tipologjikisht, atëherë bëhet fare e thjeshtë[12].
———————– [1] Shënim: Ezekieli dhe Danieli janë libra të Dhiatës së Vjetër, kurse Zbulesa, ose Apokalipsi është libër i Dhiatës së Re dhe i fundit i Biblës, është shkruar para 2000 vjtësh, ose 500-700 vjet pas Librit të Ezekielit dhe të Danielit. [2] Zejnullah Rrahmani, Letërsia e mesjetës (teoritë klasike), Faik Konica, Prishtinë, 2002, fq.13. [3] Shënim: Gjon Ungjilltari, sipas ungjijve, ka jetuar gjatë kohës së Krishtit dhe ishte apostull i tij, dhe jetoi diku deri në vitin 95 pas Krishtit, dhe derisa ishte i vetmuar për një kohë në ishullin Patmos të Greqisë antike e shkroi librin e fundit të Biblës, që quhet Apokalipsi. Po ky autor ka shkruar edhe katër libra të tjerë të Dhiatës së Re (ungjilli sipas Gjonit, Letra 1 e Gjonit, Letra 2 e Gjonit dhe Letra 3 e Gjonit). [4] Shënim: Ezekieli është autor i vetëm një libri profetik të Dhiatës së Vjetër, emri i është dhënë në bazë të emrit të tij. Ka jetuar diku prej vitit 623 e deri në vitin 570 para Krishtit në Jerusalem si prift, pastaj ishte shumë vjet i mërguar në Babiloni. [5] Shënim: Danieli është autor i një libri të vetëm në Bibël, dhe emri i librit quhet sipas autorit. Ka jetuar në të njëjtin kohë me Ezekielin, por sigurisht se ishte para tij disa vjet. Qysh në vitin 605 para Krishtit u gjend i mërguar në Babiloni. Studioi gjuhën dhe letërsinë kaldease. [6] Joyce G. Baldwin, Tyndale Old Tekstament Commentaries – Daniel, IVP, Illinois, USA, 1978, fq. 48. [7] Bibla, Lajmi i Mirë, Tiranë, 1994, fq. 47 (Zan.41:1-7). [8] Bibla, Lajmi i Mirë, Tiranë, 1994, fq. 844 (Ezek. 1:4-5,10). [9] Bibla, Lajmi i Mirë, Tiranë, 1994, fq. 914 (Dan. 8:5-9). [10] Bibla, Lajmi i Mirë, Tiranë, 1994 (Zbulesa 12:3-4,13:1-2, 15:1, 6:2,4,8). [11] Michael Wilcock, Mesazhi i Zbulesës, Besëlidhja, Tiranë, 1999. [12] Northrop Fraj, Veliki Kod, Prosveta, Beograd, 1985, fq. 245.
———————– 4