Kodi biblik në arte dhe teori letrare Autor: Dr. Femi Cakolli, pastor
Arti, së bashku me filozofinë dhe religjionin paraqesin format e vetëdijes shoqërore. Të gjitha këto forma kanë për synim përfitimin e unitetit të përgjithshëm të vetëdijes. Madje për kohën e renesancës, figura të shquara të asaj periudhe ishin edhe piktorë, edhe filozofë, edhe teologë. Filozofia flet përmes spekulacionit dhe ka për qëllim njohjen dhe përjetimin. Arti flet përmes ndërdijes dhe ndjenjës dhe ka për qëllim përjetimin dhe njohjen. Religjioni flet përmes vegimit dhe ndërgjegjes dhe ka për qëllim njohjen dhe përjetimin. Shpeshherë ndodh se këtë forma njohëse dhe përjetuese të flasin me gjuhën e njëra-tjetrës, prandaj kemi: filozofi artistike (retorika, oratoria), filozofi religjioze (skolastika); art filozofik (kritika, ese), art religjioz (ikona); religjion filozofik (budizmi), religjion artistik (spiritualizmi).
Dallimet kryesore mes këtyre formave njohëse dhe përjetuese është se arti dhe religjioni pranojnë deus mashina (ndërhyrjen nga jashtë, ndikimin), por jo edhe filozofia. Arti dallohet nga filozofia dhe religjioni për shkak se merret me krijimin material, atëherë vetëm artit i akreditohet atributi i krijimit. Spektatori i filozofisë është mendja. Spektatori i artit është syri dhe veshi. Spektatori i religjionit është fryma – shpirti.
Kozmosin e shoqërojnë ritmi, harmonia, uniteti, ngjyra, masa, përmbajtja, forma, zëri, prandaj të tri këto forma njohëse dhe përjetuese duke i imituar këto kategori, dhe duke i receptuar me anë të përceptimit, ua ofrojnë njerëzve. Bibla, prej degëve të artit më së afërmi qëndron me letërsinë, pastaj me muzikën, skulpturën, pikturën dhe arkitekturën. Gjatë shekujve të kaluar poetë të ndryshëm, shkrimtarë, piktorë, skulptorë, arkitektë të kombeve të ndryshme krijuan veprat e papërsëritshme artistike: D. Aligeri “Komedia Hyjnore”, Gjon Milton “Parajsa e humbur”, Mikelangjelo “Mojsiu”, Tempulli i Solomonit etj. Letërsia sa më e vjetër që të jetë aq më i fortë është i pranishëm didaktizmi dhe kanoni, prandaj kështu është edhe me Torën që është e vjetër për më shumë se 3500 vjet. Shpeshherë thuhet nga studiues të ndryshëm të Biblës se letërsitë e lashta sumere, hiteje, kananase, babilonase, kanë ndikuar në sajimin e asaj që sot njihet me emrin Bibla. Kështu dyshohet për kapitujt e parë të Zanafillës, që flasin për krijimin, pastaj proverbat, kënga e këngëve etj[1].
Në fakt, megjithëse Tora është libër ligjor dhe didaktik, atëherë sipas një vargu të saj, hebrenjtë kishin për obligim që Ligjin t’ua mësonin përmendësh fëmijëve (Lip. 6:5-9). Në kohët e lashta kishte mësues të tillë të Torës apo të veprave poetike të Biblës sa gjithë Shkrimin e dinin përmendësh. Pasi nxënësit mësonin mësimin përmendësh nga mjeshtërit e tyre, ata më vonë, nga kujtesa e tyre krijonin versione të reja dhe këto ishin bazat fillestare për të shkruar, apo për të ndikuar në një letërsi gojore aktive.
Në qoftë se ka ndikuar letërsia popullore (mitet, legjendat, tregimet, përrallat, gojëdhënat, epi, kënga etj), në Bibël, atëherë këtë do ta shoqëronin elementet tipike të letërsisë gojore: 1. Aautorialiteti 2. Akauzaliteti 3. Atemporaliteti 4. Alokaliteti
Këto veçori nuk janë sinonimitete të Biblës. Dogmatikët e ndryshëm Biblën e shohin si fjalë të plotë të Zotit. Mirëpo, duhet shikuar këtë çështje tej dogmatizmit. Bibla është arena më e madhe letrare ku subjekte të ndryshme flasin: 1. Zoti 2. Engjëjt 3. Profetët 4. Njerëzit (mbretër, filozofë, besimtarë, shërbëtorë, nëpunës, ushtarë, fëmijë, gra etj) 5. Satani 6. Demonët 7. Shpirtrat e vdekur
Vëreni sesa pozicione narrative ka Bibla dhe sa lloj stilesh hasen këtu. Historikisht teologët kryesor gjithmonë kanë luftuar idenë se Shkrimi ka pjesë alegorike dhe metaforike, kurse grupi i laikëve, madje edhe i të krishterëve të konvertuar nga paganizmi e kanë mbrojtur gjithmonë idenë se në Shkrim është prezente alegoria, metafora, simboli dhe figura të tjera stilistikore. Filoni prej Aleksandrisë (25 para K. – 40 pas K.) ishte kundër atyre që Biblën e kuptonin si mit, por edhe kundër atyre që e mohonin të kuptuarit alegorik. Në ekzegezën e tij për Biblën dallonte disa kuptime. “Njëri prej tyre ka qenë edhe ai tekstual, kurse të tjerat alegorike: 1. Alegoria kozmologjike. 2. Alegorizmi stoik. 3. Alegoria psikologjike dhe morale. 4. Alegoria mistike që ka të bëjë me të kuptuarit e përsosshmërisë dhe të bashkimit me Zotin”[2] . Ideja kryesore e Filonit është se Biblën duhet shpjeguar me mjetet letrare apo artistike, përndryshe ajo do të hermitizohej. Veprat më të mëdha letrare, që janë krijuar, si dhe autorët e ndryshëm, patën ndikimin nga Bibla: Epi i Gilgameshit, Talmudi, Kurani, D. Aligeri, Xh. Bokaçio, Dostojevski, Tolstoi, Miltoni, Khajami, Gëte, Hajne, Bodleri, Kafka, Xhojsi, Xh. B. Sho, D. Kish etj. Biblën e bën vepër letrare pikërisht gjithë elementet e mundshme të letërsisë: autori, personazhi, ideja, konflikti (drama), rrëfimi – tregimi, ngjarja, dialogu – monologu, aventura, intriga, epilogu, vendi, koha, hapësira etj.
———————– [1] Historia e letërsisë botërore I, Rilindja, Prishtinë, 1987, fq. 65 [2] Zef Mirdita, Mitet dhe mitologjia në antikë, Rilindja, Prishtinë, 1988, fq. 94