Evolucioni apo krijimi?

0
1190

Evolucioni apo krijimiTë gjithëve na është mësuar në shkollë, në lëndën e biologjisë, se të gjitha gjallesat kanë ardhur në ekzistencë nëpërmjet një procesi të ngadalshëm dhe shumë të gjatë transformimi të vetëvetishëm nga një gjallesë më e thjeshtë në një më të komplikuar.

Gjatë këtij procesi, të cilit i janë dashur miliona vjet kohë që të ndodhë, nga lëndët inorganike janë formuar lëndët organike, nga këto janë formuar bakteret, pastaj shumëqelizorët, pastaj peshqit, zvarranikët, gjitarët dhe në fund njeriu.

Gjallesat më të forta kanë mposhtur dhe shfarosur ato më të dobëtat dhe kanë mbizotëruar në Tokë derisa gjallesa më të forta se ato kanë dalë dhe i kanë zhdukur. Gjithçka ka evoluar vetvetiu, pa nevojën e një ndërhyrjeje nga jashtë (pra, pa pasur nevojë për një Zot), dhe ne njerëzit në fakt jemi kafshë më të evoluara se të tjerat. Kjo ide quhet TEORIA E EVOLUCIONIT.

Por jo të gjithë njerëizit besojnë se origjina e njeriut është tillë. Shumë njerëz mendojnë se ne jemi krijuar nga një Perëndi, i cili ka krijuar tokën, universin, bimët, kafshët dhe në fund njeriun. Ata besojnë se, sikurse tregohet në Bibël, njeriu është krijuar sipas shëmbëlltyrës së Krijuesit, me mendje, ndjenja, dëshira, aftësi për të njohur Atë dhe me një shpirt që nuk vdes bashkë me trupin, por që është i përhershëm. Shumë shkencëtarë kanë studiuar faktet shkencore që mbështesin këtë ide të origjinës së njeriut dhe, duke u mbështetur në atë që thuhet në Bibël për krijimin e botës, si dhe në të dhënat shkencore, kanë ndërtuar atë që quhet TEORIA E KRIJIMIT.

Nëpër shkolla mësohet si e vërtetë Teoria e Evolucionit, por, në fakt, a është e vërtetë kjo teori? Dikush mund të thotë: “Po ç’na duhet neve të dimë nëse Teoria e Evolucionit është e vërtetë apo jo.” Në fakt, ajo që besojmë se jemi, përcakton në mënyrë të fuqishme sjelljen. N.q.se besojmë se jemi stërnipër të majmunit, si të tillë do ta konsiderojmë veten dhe të tjerët. N.q.se besojmë se jemi krijuar nga një Zot, do të veprojmë shumë ndryshe. Pyetja se nga kemi ardhur, është ndoshta pyetja më e rëndësishme që i bën vetes çdo njeri. Nga përgjigjja që do t’i japim kësaj pyetjeje do të varet jo vetëm mënyra se si do jetojmë jetën këtu në tokë, por do të varet edhe vendndodhja jonë pas kësaj jete.

Cila është e vërteta? Nga kemi ardhur? Përpara se të shohim faktet, duhet t’i ruhemi ndonjë ngatërrese. Ky debat nuk është midis shkencës dhe fesë. Jo! Ky është një debat midis dy teorive. Cila mbështetet nga shkenca, cila është e sakta? Në fakt, Teoria e Evolucionit nuk është një fakt shkencor i vërtetuar, nuk është një ligj shkencor si ligjet e Njutonit apo si Ligji i gravitetit. Po të ishte vërtetuar, do të quhej Ligji i evolucionit, por, meqë nuk është vërtetuar, megjithëse ka mbi 150 vjet që bëhen studime, quhet teori. Debati ynë nuk është: feja apo shkenca, debati ynë është: e vërteta apo gënjeshtra; jemi krijuar nga Perëndia apo jemi produkt i rastësisë? Për të përcaktuar se cila prej këtyre dy pikëpamjeve është e vërtetë, do të shohim dy kritere. Një kriter është: Çfarë thonë zbulimet shkencore, cilën pikëpamje mbështesin? Kriteri tjetër është: Çfarë pasojash sjell secila teori?

Ç’do të thotë kjo e fundit, “pasojat”? Shumë njerëz nuk kanë përgatitjen e nevojshme teknike dhe shkencore për t’i krahasuar këto dy teori. Duhen shumë njohuri në biologji, antropologji, gjenetikë etj. për të kuptuar qartë argumentet shkencore. Atëherë, në mënyrë empirike, nga përvoja jonë, shohim pasojat dhe, duke e provuar një diçka themi nëse është e saktë apo jo. P.sh., unë nuk i njoh dot shumë pemë, nuk e di si i kanë gjethet dhe trungun molla, dardha, qershia etj., por di shumë mirë ta dalloj frytin kur e shoh, madje, kur e provoj edhe shijen, di të them shumë mirë çfarë lloj peme është dhe nëse i ka frytet e mira apo jo. Jezu Krishti ka thënë: “Ju do t’i njihni nga frytet e tyre”.

Cilat janë frytet e evolucionit? Ose, më saktë, cilat janë frytet e refuzimit të Krijuesit? Në fakt, evolucioni s’është gjë tjetër veçse mburoja “shkencore” e botëkuptimit ateist.

Po frytet e besimit se jemi krijuar nga një Zot? Le t’i krahasojmë më poshtë:

Ligji. Përderisa nuk ka Zot, kush i cakton ligjet? Përse duhet t’u bindem ligjeve që i kanë bërë njerëz si unë. Përse të mos bëj atë që më leverdis, atë që më pëlqen.

Përderisa jemi krijesa të Perëndisë, Ai është më i madh se ne, ka të drejtë të vërë rregulla për ne. Ne e dimë se, nëse Perëndia thotë të mos e bëni ose ta bëni diçka, e ka për të mirën tonë. Ai është prindi ynë që kujdeset për ne, që të mos bëjmë gabime dhe të dëmtojmë veten dhe të tjerët.

Moraliteti (tradhtia bashkëshortore, homoseksualiteti, pornografia etj.). Përderisa s’ka Perëndi, kur të vdesim, do kthehemi në pluhur të gjithë, kështu që, o burra të bëjmë qejf sa të mundemi dhe si të mundemi, se vetëm një jetë kemi.

Standardet morale (besnikëria bashkëshortore, pastërtia seksuale). Perëndia është i drejtë dhe do të dënojë çdo veprim të ulët. Jeta nuk mbaron këtu. Shpirti do të dalë para Perëndisë dhe do të gjykohet për gjërat që ka bërë ose nuk ka bërë.

Racizmi. Në bazë të evolucionit, racat janë shkallë të ndryshme të evolucionit të majmunit drejt njeriut. Evolucioni thotë se mënyra e zhvillimit të gjallesave është nëpërmjet seleksionimit natyror: ato më të fortat shfarosin më të dobëtat. Hitleri është ndoshta zbatuesi më i mirë i Teorisë së Evolucionit në politikë dhe në marrëdhëniet midis racave.

Bibla thotë se të gjithë njerëzit janë krijuar nga Perëndia, të gjithë janë pasardhës të Adamit dhe Evës, pavarësisht nga ngjyra e lëkurës dhe shkalla e zhvillimit apo degjenerimit shoqëror e moral.

 

Shënim: Ky artikull është ofruar nga Faqja “Jam Dakord”.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here