• Kreu
  • /
  • Blog
  • /
  • Çfarë Besojnë Mormonët?

Çfarë Besojnë Mormonët?

Nga: Elvisi23 Korrik, 2014 2 komente |

Cfare besojne MormonetAutoriteti Hyjnor
Kisha e Mormonëve përdor Biblën dhe Librin e Mormonit si autoritetet e tyre primare (kryesore). Gjithashtu, Mormonët e pranojnë librin “Doktrinat dhe Besëlidhjet” dhe “Perla me Vlerë të Madhe” si hyjnisht autoritare. Kisha e Krishterë përdor vetëm Biblën si autoritetin e saj nga Perëndia. Jozef Smithi (Joseph Smith) nuk njihet si profet.

Natyra e Perëndisë
Kisha Mormone e shikon Perëndinë si Qenien Supreme të universit, por sipas tyre ai e fitoi këtë pozitë mbas një kohe të gjatë. Pra ai u bë Qenia Supreme në mënyrë graduale duke jetuar një jetë përsosmërisht të drejtë. Gjithashtu, Mormonizmi mëson që Perëndia Atë ka një trup prej mishi dhe kockash. Kurse kisha e Krishterë e shpall Perëndinë si përjetësisht dhe pambarimisht suprem. Ai është i njëjti sot dhe gjithmonë. Ai është një Qenie frymërore.

Natyra Njerëzore
Kisha Mormone pohon se të gjithë qeniet njerëzore ekzistojnë si qenie frymërore përpara se të linden në botë. Lindja fizike i jep trup këtyre frymërave, dhe mundësinë për të pasur zgjedhjen e vullnetit të lirë. Bota fizike përfaqëson një periudhë prove. Mënyra se si dikush jeton në tokë, përcakton statusin e tij apo të saj në jetën tjetër. Nëse detyrat e jetës fizike përmbushen me një standard të pranueshëm, duke përfshirë përmbushjen e detyrimeve në tempullin Mormon, ai person mund të bëhet perëndi në jetën tjetër dhe si rezultat mund të prodhojë “fëmijë frymërorë” për të populluar një planet të tijin (në të njejtën mënyrë që Perëndia populloi tokën). Kisha e Krishterë mëson që njerëzit nuk ekzistojnë si frymëra përpara se të linden në botë. Njerëzit nuk mund të arrijnë perëndishmërinë ose të popullojnë botëra të tjera me “fëmijë frymërorë.”

Natyra e Jezus Krishtit
Kisha Mormone e shikon Jezusin, Satanin, dhe ne, si vëllezër frymërorë dhe bij të Perëndisë. Satani dhe Jezusi “luftuan” për privilegjin e marrjes së formës (mishit) njerëzore në mënyrë që të bëheshin shpengues i botës. Jezusi e fitoi betejën, dhe fryma e Jezusit mori një trup nëpërmjet Marisë. Karakteri dhe jeta e Jezusit mund të fitohet dhe merret nga çdokush i cili është në gjendje që të jetojë me një nivel të atillë drejtësie. Kisha e Krishterë mëson që Jezus Krishti ka ekzistuar përjetësisht si Biri i Perëndisë, “personi” i dytë i Trinisë. Jezusi mori një trup njerëzor rreth 2000 vjet më parë dhe u lind në botë nëpërmjet virgjëreshës Mari. Ai u kryqëzua mbi një kryq romak për mëkatet tona, dhe u ngrit nga të vdekurit tri ditë më vonë për të vendosur hyjninë e Tij.

Si e Fitojmë Shpëtimin
Kisha Mormone mëson që Jezus Krishti e mundi vdekjen dhe i garantoi ringjalljen fizike të të gjithë njerëzimit. Por, vdekja shpirtërore mund të shmanget nëpërmjet bindjes personale ndaj urdhëresave të Perëndisë. Falja e mëkateve kërkon pagëzimin nga një prift i aprovuar Mormon. Praktika e pagëzimit për të vdekurit është një shtesë apo vijim i kësaj bindje, në të cilën Mormonët pagëzohen në vend të atyre të cilët kanë vdekur pa patur një pagëzim të duhur. Kisha e Krishterë mëson që ne nuk jemi në gjendje që të jetojmë një jetë me drejtësi e cila përmbush standardet e shenjta të Perëndisë. Prandaj, ne vendosim një marrëdhënie besimi me Perëndinë në veprën e Krishtit në kryq, dhe jo nëpërmjet veprave tona. Pagëzimi dhe veprat e mira janë akte bindje ndaj Perëndisë, dhe jo mënyra se si ne fitojmë jetën e përjetshme.

Jeta Pas Vdekjes
Kisha Mormone mëson që megjithëse ka një dënim të përkohshëm për ata që janë më të ligët, Jezus Krishti do të vendosë një mbretëri të re me tri nivele: mbretëria qiellore, mbretëria tokësore, dhe mbretëria telestiale. Kisha e Krishterë mëson që ka vetëm dy destinacione të mundshme pas vdekjes, parajsë ose ferr. Këto vende janë finale, qoftë në aspektin fizik si dhe atë frymëror.

Shënim: Ky material u mor dhe u përkthye nga faqja: “What Do Mormons Believe – Doctrinal Differences”. http://www.what-do-mormons-believe.com/

 

Përktheu dhe përshtati: Elvis Plaku

Elvisi

  • {"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}


    Gjithashtu mund të lexoni

    Çfarë Besojnë Mormonët?

    >