• Kreu
  • /
  • Blog
  • /
  • Bekimin apo Burimin e Bekimit?

Bekimin apo Burimin e Bekimit?

Nga: Skerdi4 Mars, 2020 0 komente |

“Fryma e Zotit është mbi mua, sepse ai më vajosi për të ungjillizuar të varfërit; ai më dërgoi për të shëruar ata që e kanë zemrën të thyer, për të shpallur çlirimin e të burgosurve dhe kthimin e të parit të verbërve, për të çliruar përsëri të shtypurit, dhe për të predikuar vitin e pranueshëm të Zotit“.

….   “Sot ky Shkrim u përmbush në veshët tuaja“…

Te kapitulli i katërt i Lukës ndodhet një paragraf (4:14-32) i cili më ngjalli kuriozitet për dinamikën e ngjarjeve që paraqet. Mes pjesës që paraqet tundimin e Jezusit nga satani dhe më poshtë çlirimin e një të demonizuari në një sinagogë, ndodhet fragmenti që tregon se si Jezusin e dëbojnë nga Nazareti, vetë njerëzit mes të cilëve ai ishte rritur e burrëruar.

Më kuriozoi kjo pjesë për shkak të ndryshimit të beftë të ndjenjave të këtij komuniteti në të cilin Jezusi njihej shumë më tepër se nga cilido grup tjetër njerëzish. Këta njerëz kishin jetuar me Jezusin, e kishin parë Jezusin të jetonte në drejtësi e pa mëkat, pa gënjeshtra e pa ligësi, me shenjtëri ditë pas dite. Për më tepër, siç lexojmë tek vargjet 14 dhe 15, ata kishin privilegjin që përpara tyre të dilte, së fundmi, edhe dëshmia që vinte nga vende të tjera të Galilesë – Dhe Jezusi, në fuqinë e Frymës, u kthye në Galile dhe fama e tij u përhap në mbarë krahinën përreth. Dhe ai mësonte në sinagogat e tyre, i nderuar nga të gjithë. Thuhet“… në fuqinë e Frymës” dhe konfirmohet nga fjalët e vetë Jezusit më poshtë (vargu 23) që në Kapernaum kishin ndodhur mrekulli duke bërë kështu të mundur që njerëzit të kishin një tablo të plotë para vetes për të kuptuar se kë kishin përpara.

Në qytetin ku ai ishte rritur, Jezusi lexon para bashkatdhetarëve të tij profecinë e bërë para 700 vjetësh nga Isaia (vargjet 18-19) dhe shton që ajo profeci tashmë ishte përmbushur në veshët e tyre (vargu 21). Natyrshëm pritet që njerëzit të gëzohen nga kjo gjë. Dhe fillimisht pikërisht kështu duket se do të ndodhë. Njerëzit mrekulloheshin dhe jepnin dëshmi për këtë që po ndodhte… Por ato që shton Jezusi pak më vonë, duke zbuluar të vërtetën e fshehur pas asaj që shihej, duket se bëjnë që situata të precipitojë. Jezusi u thotë atë që ishte motivi i zemrave të tyre për këtë sjellje që dukej në sipërfaqe. Pritshmëria e tyre ishte që ai të bënte të njëjtat mrekulli që kishte bërë gjetkë në Galile (siç na tregojnë vetë fjalët e Jezusit, tek pjesa e fundit e vargut 23), por duke mos pranuar të manipulohet qoftë edhe së paku, Jezusi përmend dy raste kur mrekullitë e Perëndisë sovran ishin bërë për jojudenj, pavarësisht se profetët nëpërmjet të cilëve ishin kryer këto mrekulli ishin judenj vetë. Fakti që Zoti ynë nuk pranon të manipulohet për të bërë atë që kërkojnë njerëzit, bën që këta njerëz, persona që e njihnin Jezusin që fëmijë, të kthehen në një turmë të egër e të zemëruar.

Ajo që del përpara nesh si mësim është që ne ndonjëherë i duam bekimet e Zotit, i duam mrekullitë e Tij, por nuk duam Zotin. Paradoksale apo jo? Të duash të mirat e Perëndisë, por të mos duash Perëndinë vetë. Të duash bekimet, por të mos duash burimin e bekimeve… Paradoksale, por shumë e vërtetë…

……

Sa herë mund ta kemi dëgjuar në këta tridhjetë vjet: E duam Shqipërinë si gjithë Europa! Nuk duam të shikojmë më skamje rreth e rrotull nesh! Nuk duam të shohim më korrupsion! Por në fakt çfarë po kërkon vërtet kombi shqiptar? Mos vallë po kërkon thjesht materializmin, por jo Zotin? Në të vërtetë, po ne si kishë shqiptare, a do ishim të gatshëm e të kënaqur po të ishim të rrethuar nga të gjitha të mirat e kësaj bote, pa pasur Krishtin?

……

Tabloja e shfaqur para nesh pikërisht në çastin kur njerëzit e dëbojnë Krishtin dhe e nxjerrin nga qyteti duke dashur ta hedhin nga maja e malit mbi të cilin ishte ndërtuar qyteti i tyre është tepër simbolike dhe e fuqishme në vetvete. Ky mal mbi të cilin ishte ndërtuar qyteti i tyre e që mund të shihet si simbol i materializmit që i nxiste ata njerëz së brendshmi, ishte pikërisht vendi nga ku ata donin ta hidhnin Zotin. Dhe dinamika zgjerohet akoma më shumë kur shohim se Jezusi kalon përmes kësaj turme të zemëruar e të indinjuar që e çon deri në buzë të humnerës e përpiqet ta hedhë poshtë, por nuk e hedh dot. Pavarësisht se çfarë kërkonin ata nga Krishti duke u nisur nga botëkuptimi i tyre, mrekullia e vetme që morën atë ditë, ishte vetëm largimi i Zotit prej tyre. Pyetja që na del përpara neve si shqiptarë, e në veçanti kishës shqiptare është: mos duam edhe ne vallë, që të marrim të njëjtën “mrekulli”? Pikërisht duke u përpjekur që ne si shoqëri ta vendosim Zotin në ato kornizat tona, me sjelljen që ne bëjmë karshi njëri-tjetrit, me pakënaqësitë tona, me ligësitë që i hedhim njëri-tjetrit, me thashethemet e gënjeshtrat tona, me frytin e të gjithë lakmisë sonë, mos po mbjellim farën për të korrur të njëjtën “mrekulli” që panë ata?

Sinqerisht,

Skerdi Hoxha

Skerdi

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}


Gjithashtu mund të lexoni

Doktrina e Mësimit të Begatisë

Pesë solat e Martin Luther-it dhe Reformacioni Protestant

Halloween – Dita e Reformimit

Vlerësimi i shëndetit shpirtëror sipas pesë qëllimeve, nga 1 deri 5 nga Altin Kita

Review Your Cart
0
Add Coupon Code
Subtotal

 
>