• Kreu
  • /
  • Blog
  • /
  • Çfarë mbetet pas tërmetit?

Çfarë mbetet pas tërmetit?

Nga: Skerdi2 Dhjetor, 2019 1 komente |

Qielli dhe toka do të kalojnë, por fjalët e mia nuk do të kalojnë”

Mateu 24:35

Këto ditë kanë qenë tronditëse për të gjithë shqiptarët, brenda dhe jashtë vendit. Shumë njerëz kanë humbur jetën, shumë të tjerë janë plagosur e të tjerë akoma kanë humbur shtëpitë apo sende të ndryshme. Shumë mesazhe janë dhënë dhe vazhdojnë të jepen. Mësime të vlefshme dalin para syve tanë dhe përvetësohen nga ne. Të tjerë edhe harrohen a shpërfillen. Por sidoqoftë, ka prej këtyre mësimeve që mund të nxirren e të mbahen mend gjatë, qoftë edhe duke parë një foto.

Fotoja që shihni më lart është marrë nga një mur i kishës “Asambleja e Perëndisë”, në Tiranë. Siç e vini re, dëmtime pati edhe kisha jonë. Mure të hapura, copa suvaje të rrëzuara, dëmtime për t’u riparuar. Dhe ndodh rëndom që ne të mësohemi kaq tepër me panoramat nëpër korniza, aq sa pasi kalon njëfarë kohe të mos na bëjë më përshtypje mesazhi që është brenda saj. Shohim vetëm krisjen e re të sapobërë si edhe çarjen e murit. Merakosemi për rregullimin e murit dhe jo për atë që ndodhet pak më poshtë.

Nuk është për supersticion e as për të treguar ndonjë gjë “fatsjellëse” kjo që po shkruaj. Por kur pashë kornizën e cila nuk ishte prekur dhe as rrëzuar nga suvaja që ishte shembur rreth e rrotull saj, edhe pas secilës prej dridhjeve të njëpasnjëshme të tokës e të mureve, e lexova me një perspektivë tjetër vargun nga Mateu 24:35: “Qielli dhe toka do të kalojnë, por fjalët e mia nuk do të kalojnë”. Ne shpeshherë e harrojmë Fjalën e Perëndisë e cila i reziston të gjitha lëkundjeve, dhe merremi vetëm me krisjet nëpër mure – ato krisjet që mbulohen fare lehtë me llaç e me bojë. Harrojmë të vërtetën që kapërcen çdo dimension dhe merremi me ato që janë kalimtare dhe të përkohshme.

_____________________________________________________________________

Shumë ndryshime dhe shumë vite mbresëlënëse kemi parë këtë gjysmëshekulli të fundit në Shqipëri: …1985, 1990, 1991, 1997, 1999, 2000, 2019… Secili vit prej këtyre ka sjellë ngjarje si gurë kilometrikë në rrugën e vendit tonë. Dhe ne kemi parë që këto ngjarje kanë lënë gjurmë mbi këtë truall. Siç do të lërë gjurmë ky tërmet nga i cili mund të nxjerrim mësime për t’u përvetësuar e për t’i kujtuar gjatë… Tani që lëkundjet vazhdojnë akoma dhe ka të ngjarë që do vazhdojnë edhe ca kohë, sado që jo aq të fuqishme, ndoshta ka ardhur koha që të mësojmë sesi të jetojmë, të punojmë, të pushojmë e adhurojmë mes tërmeteve që sjell koha, edhe ndërkohë që toka dridhet e tundet. Të mos kërkojmë të flemë mbi dafina e të mos ndjekim më kot nga pas një rehati të cilën asnjë vend mbi tokë nuk mundet të na ofrojë. Ndoshta ka ardhur koha që të mësojmë se si të rezistojmë duke ia dorëzuar vërtet Perëndisë çdo gjë në jetën tonë dhe jo duke u arratisur si ikanakë prej problemeve. Ndoshta duhet t’ia kujtojmë vetes nxitjen e Jezusit: “Zemra juaj mos u trondittë, besoni në Perëndi dhe besoni në mua”.

Stuhi e tërmete si ata që kemi parë e dëgjuar, kemi pasur e do vazhdojmë të kemi në rrugën që kemi përpara. Lum ai që mëson të qëndrojë përmes tyre dhe të dalë më i fortë, duke u mbajtur pikërisht tek ajo që nuk kalon: te Fjala e Gjallë … duke u dorëzuar përditë e më shumë te Ati, Biri dhe Fryma e Shenjtë.

Gjithë të mirat,

Skerdi Hoxha

Skerdi

  • {"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}


    Gjithashtu mund të lexoni

    Doktrina e Mësimit të Begatisë

    Pesë solat e Martin Luther-it dhe Reformacioni Protestant

    Halloween – Dita e Reformimit

    Vlerësimi i shëndetit shpirtëror sipas pesë qëllimeve, nga 1 deri 5 nga Altin Kita

    >