A eshte Jezusi Zot?

· · 6 min lexim · Apologjia

A eshte Jezusi Zot?

Në Bibël mund të gjejmë pohimin se ka vetëm një Zot dhe s’ka tjetër (1). Pse kaq shumë njerëz thonë që Jezusi është hyjnor, i barabartë me Zotin? A nuk është blasfemi të thuash diçka të tillë? Për të gjetur përgjigje, lë të shikojmë se çfarë thotë Bibla, Fjala e Perëndisë, për këtë temë.

Më shumë se Profet

“Por ne e dimë se Biri i Perëndisë erdhi dhe na dha të kuptuarit, që ne të njohim atë që është i Vërteti; dhe ne jemi në të Vërtetin, në Birin e tij Jezu Krisht; ky është i vërteti Perëndi dhe jeta e përjetshme” (1 Gjon 5:20). Kur Bibla flet për Birin e Perëndisë, nuk e ka fjalën për një bir fizik, por kjo do të thotë që Jezusi është nga Zoti, me gjithë personalitetin, karakterin dhe fuqinë e Zotit. Jezusi është një me Perëndinë, dhe tek Romakëve 9:5 thuhet: “(Krishti) është përmbi çdo gjë Perëndi”.  Ka shumë vargje që flasin për hyjninë e Krishtit (2).

Po çfarë tha Jezusi vetë? Cilat janë pohimet e Jezusit? A e tha një gjë të tillë? Në fakt, Jezusi bëri pohime që vetëm Perëndia mund t’i bënte:

Jezusi pohoi se ishte Perëndia. Ai tha: “… para se të kishte lindur Abrahami, unë jam” (Gjoni 8:54-59). Jezusi nuk thotë “unë isha”, por “unë jam”. Kjo tregon se Jezusi po i referohej vetes si UNË JAM-i i Eksodit 3:14, d.m.th. si Perëndia. Dhe pikërisht kjo është mënyra se si e kuptuan judenjtë, prandaj donin ta vrisnin me gurë. (3)

Jezusi pohoi se ishte i barabartë me Perëndinë. (4)

Jezusi pohoi se falte mëkatin, gjë që mund të bëjë vetëm Zoti (Marku 2:5-12 etj.).

Jezusi pohoi se është gjykatësi përfundimtar, Ai që do të përcaktojë fatin e njerëzve për në qiell apo në ferr. (5)

Jezusi pohoi se jeta e përjetshme vjen nëpërmjet Tij (Gjoni 3:36; 8:24 etj.).

Adhurimi i Jezusit

Jezusi është shumë i qartë në kur shprehet për adhurimin, i cili i takon vetëm Zotit (p.sh: Mat. 4:9-10). Mbas ringjalljes së Jezusit, Thomai u bind që Jezusi u ringjall me të vërtetë. Përgjigjja e tij ndaj Jezusit ishte: “Zoti im dhe Perëndia im” (6). Çfarë bëri Jezusi? Ai e pranoi adhurimin, sepse i takon adhurimi! Ka plot vargje të tjera për adhurimin e Jezusit. (7)

Atributet e Perëndisë

Duke krahasuar disa vargje të Dhiatës së Vjetër me disa vargje të Dhiatës së Re, mund të shohim se Jezusit i atribuohen disa fakte, emra dhe tituj që i atribuoheshin vetëm Perëndisë dhe kjo gjë vërteton hyjninë e Krishtit. P.sh.:

Perëndia

Jezusi

Cili është i

Pari dhe i

Fundit?

Isaia 44:6

Zbulesa 22:13

Cili quhet Perëndi i fuqishëm?

Isaia 10:21

Isaia 9:5

Cili është Bariu i vërtetë i Popullit të Perëndisë?

Ez. 34:11-16; Psalmi 23:1

Gjoni 10:11+14

Dëshmitarë të kujt janë besimtarët?

Isaia 43:10

Veprat 1:8

Para kujt do të përkulet çdo gju dhe çdo gjuhë do të betohet për të?

Isaia 45:23-24

Filipianët 2:10-11

Cili është i përsosur, pa mëkat?

LiP 32:4

1 Pjetër 2:22; Heb. 7:26

Autoriteti i Jezusit

Jezusi kishte autoritetin që vetëm Perëndia mund ta ketë. Ai kishte autoritet mbi natyrën (Mat. 8:26), mbi mëkatin (Marku 2:10), mbi ligjet natyrore (Gjoni 6:19), mbi vdekjen fizike (Gjoni 11:39-44), mbi gjithçka (Mat. 28:18; Fil. 3:21) etj.

Natyra e dyfishtë e Krishtit

Ka vargje që na tregojnë se Biri nuk është Ati dhe shumë vargje thonë se Jezusi është Zot. A ka ndonjë varg që thotë se Jezusi është hyjnor, por në formën njerëzore? Bibla thotë: “…  Jezu Krishti, i cili, edhe pse ishte në trajtë Perëndie, nuk e çmoi si një gjë ku të mbahej fort për të qenë barabar me Perëndinë, por e zbrazi veten e tij, duke marrë trajtë shërbëtori, e u bë i ngjashëm me njerëzit; dhe duke u gjetur nga pamja e jashtme posi njeri, e përuli vetveten duke u bërë i bindur deri në vdekje, deri në vdekje të kryqit” (Filipianëve 2:5-8).

Me fjalë të tjera, Jezusi është 100% Zot dhe 100% njeri (“në formën njerëzore”). Për planin e shpëtimit që kishte për ne Perëndia, ishte e nevojshme që Jezusi të vinte si njeri, sepse ai mori ndëshkimin për mëkatin tonë (8). Jezusi ishte njeri, por erdhi nga qielli. (9)

Barazia e Atit, Birit dhe e Frymës së Shenjtë

Krijimi: Ati (Isaia 40:28), Biri (Kol. 1:16), Fryma e Shenjtë (Jobi 33:4)

Ringjallja: Ati (1 Kor. 15:15), Biri (Gjoni 6:39), Fryma e Shenjtë (Rom. 8:11)

– Të përjetshëm: Ati (1 Tim. 1:17), Biri (Zbu. 1:17-18), Fryma e Shenjtë (Heb. 9:14)

– Të gjithëdijshëm: Ati (Jer. 17:10), Biri (Gjoni 16:30), Fryma e Shenjtë (1 Kor. 2:10-11)

A është logjike hyjnia e Krishtit?

Nuk themi se e kuptojmë plotësisht me mendjen tonë njerëzore këtë doktrinë, por kjo nuk do të thotë që, meqë nuk arrijmë ta konceptojmë këtë gjë me mendjen tonë, duhet ta mohojmë. Kur pohojmë hyjninë e Krishtit, pohojmë ato që na thotë mjaft qartë Bibla për Qenien dhe natyrën e Perëndisë.

Shënime:

(1) LiP 6:4; Isaia 44:6; 45:6; Marku 12:29; Rom. 3:30; Jak. 2:19 etj.

(2) Gjoni 1:1-18; Heb. 1:8; Kol. 1:15+19; 2:9; 1 Gjon 2:23; Titi 2:13 etj.

(3) E njëjta situatë ndodh tek Gjoni 10:30 (“Ati dhe unë jemi një”). Disa persona përpiqen ta shpjegojnë këtë pohim të Jezusit, duke thënë se Jezusi flet për unitetin që ka me Zotin. Por, po të vazhdojmë të lexojmë vargjet 31 deri 33 është shumë e qartë që, për ata që e dëgjuan Jezusin, ai po thoshte se ishte i barabartë me Zotin (shih edhe Gjoni 12:45), prandaj donin ta vrisnin.

(4) p.sh. Gjoni 5:18+23; 8:19; 12:45; 14:9; 17:3 etj.

(5) Gjoni 6:40; 17:2; Mat. 7:22-23 etj.

(6) Gjoni 20:24-30

(7) Heb. 1:6; Luka 24:52; Zbu. 5:13 (Qengji = Jezusi, shih Gjoni 1:29); Mat. 14:33; Fil. 2:10 etj.

(8) Heb. 2:14-18; 1 Tim. 2:5

(9) Gjoni 3:13; 6:41; 1 Kor. 15:47; 1 Thes. 1:10

Shënim: Ky artikull është ofruar nga Faqja “Jam Dakord”.


Lexo gjithashtu:

Ndaje:
>
Scroll to Top