Feja – Krishterimi dhe Islami – Pranimi, Ndryshimet dhe Qendrimi i duhur!

· · 17 min lexim · Islami

Krishterimi dhe Islami!

Krishterimi dhe Islami janë të dyja fe botërore. Dhe që të dyja fetë kanë shumë gjëra të përbashkëta! Që të dyja fetë janë monoteiste, pra ato e vendosin besimin në Një Perëndi të vetëm si bazën dhe themelin e çdo doktrine apo mësimi tjetër. Që të dyja fetë i gjurmojën fillimet e tyre tek patriarku Abraham. Të cilin Perëndia e thirri që ta ndiqte dhe ti bindej Atij me qëllim që nëpërmjet Abrahamit, të bekonte të gjithë kombet e botës. Që të dyja fetë kanë një respekt shumë të lartë për themeluesit e tyre (Jezusin dhe Muhamedin), dhe që të dyja fetë kanë një respekt shumë të lartë për librat e tyre të shenjtë Biblën dhe Kur’anin). Dhe që të dyja marrin nga influencat dhe praktikat e Judaizmit. Pra këto të dyja fe kanë shumë gjëra të përbashkëta, qoftë historikisht, qoftë në besim, si dhe në shumë aspekte të tjera të cilat nuk kemi kohë që ti prekim këtu.

Por atëhere pse dëgjojmë kaq shumë zëra kundërshtues midis të dy feve? Fundja fundit, se është e rëndësishme që ti futemi detajeve apo ndryshimeve midis tyre kur, siç pamë edhe pak më sipër, këto dy fe kanë kaq shumë gjëra të përbashkëta? Këto pyetje, dhe të tjera të njëjta si këto, janë shumë të rëndësishme dhe të vlefshme në vetvete, por ato shpesh herë neglizhojnë shumë çështje dhe aspekte të tjera midis këtyre dy feve, të cilat janë po aq me rëndësi. Aspekte tek të cilat Krishterimi dhe Islami ndryshojnë. Dhe me të cilat ato nuk mund bëjnë kompromise! E vërteta është që Krishterimi dhe Islami janë që të dyja fe “eksklusiviste” në vetvete! Dhe si rezultat ato ato nuk mund të jenë që të dyja plotësisht të drejta dhe plotësisht të vërteta në vetvete!

Krishterimi dhe Islami kanë shumë aspekte themelore kundërshtuese (aspekte doktrinore, historike, filozofike, shoqërore, etj) me të cilat asnjëra prej feve nuk mund të bëj kompromis. Pasi kompromentimi i tyre do të çonte në dobësimin, biles edhe shkatërrimin e besueshmërisë dhe vërtetësisë së tyre si besim dhe sistem fetar. Sidoqoftë, është qëllimi i këtij artikulli që të shqyrtojë disa prej aspekteve themelore në të cilat Krishterimi dhe Islami ndryshojnë; si dhe arsyet pse të Krishterët nuk mund ta pranojnë Islamin si fenë e vërtetë!

Një nga pyetjet që muslimanët i bëjnë shpesh të krishterëve është kjo: “Pse të krishterët nuk e pranojnë Islamin si fenë e vërtetë?” Kjo pyetje zakonisht ka shumë forma, si dhe përgjigje, por ne do të mundohemi që të theksojmë ato më themeloret dhe më me vlerë për diskutimin tonë.

Para se të fillojmë, është e rëndësishme që të theksojmë që megjithëse të krishterët nuk janë të detyruar që ta pranojnë Islamin në përgjithësi, kjo nuk i liron ata aspak nga detyrat e tyre si besimtarë që ti duan, ti respektojnë dhe të tregojnë mirëkuptim dhe dashuri të sinqertë ndaj miqve të tyre muslimanë, si edhe ndaj bindjeve të tyre sado të ndryshme. Tani përsa i përket arsyeve pse të krishterët nuk mund ta pranojnë Islamin si fenë e vërtetë, ato mund të ndahen në dy grupe: 1. Arsyet që kanë të bëjnë me vetë Kur’anin dhe mësimet e tij. 2. Arsyet që kanë të bëjnë me mësimet themelore të Biblës, si dhe me vetë eksklusivitetin e Krishterimit në përgjithësi.

Arsyet që kanë të bëjnë me Islamin dhe mësimet e Kur’anit në veçanti!

Së fillim është e rëndësishme që të themi që Kur’ani është një libër i vlefshëm në vetvete. Ai përmban shumë mësime dhe njohuri të mira e të vlefshme për njrëzimin në përgjithësi. Por për ne si të krishterë është e rëndësishme që ti konsiderojmë me kujdes mësimet dhe thëniet e Kur’anit. Aty gjenden shumë pohime të cilat bien në kundërshtim me Biblën dhe mësimet e saj themelore. Nga ana tjetër ne gjejmë një shprehje direkte të respektit që Kur’ani ka dhe që muslimanët duhet të kenë ndaj Biblës.

Një nga aspektet e para që të bie në sy kur lexon apo mëson në lidhje me Kur’anin dhe mësimet e tij për Biblën (apo Librat e Para), është pohimi i cili thotë që Kur’ani ka ardhur që të vërtetojë (konfirmojë) dhe të garantojë Librat e Para! E pra, kjo ideja e konfirmimit apo vërtetimit të Librave që kanë ardhur përpara Kur’anit është diçka që shpesh herë harrohet ose vihet më-një-anë, duke i vënë theks mësimeve apo thënieve të tjera të tij. Fatkeqësisht, shumë muslimanë besojnë që Kur’ani erdhi për ta zëvendësuar ose korrigjuar Biblën, pasi ajo është e korruptuar. Por e vërteta është që ky argument nuk mësohet drejt-për-së-drejti në Kur’an, por përkundrasi është një polemikë e shekujve të më vonshëm. Dhe nëse do lexonim komentuesit e hershëm të Kur’anit, do të ishim në gjendje që të shihnim që e vërteta është ndryshe.

Sidoqoftë, nëse do të lexonim me kujdes do të shihnim që Kur’ani përmban shumë vargje të cilat flasin në lidhje me Kur’anin si vërtetues apo konfirmues i Librave të Para të cilat u ishin dhënë hebrenjve dhe të krishterëve përpara ardhjes së Kur’anit. P.sh.: Surja El-Bekare 2:41 thotë,” Dhe besonie atë, që e shpalla (Kur’anin), që vërteton atë që e keni ju…” Gjithashtu thuhet, “E kur u erdhi atyre prej Allahut libri (Kur’ani) që është vërtetues i atij, që e kishin pranë…” El-Bekare 2:89. “Dhe kur atyre u thuhet: “Besoni atë që e shpalli Allahu”, ata thonë: “Ne besojnë atë pas tij, edhe pse është vërtetues i atij, që e kanë ata…” El-Bekare 2:91. “Dhe kur u erdhi atyre ndonjë i dërguar prej Allahut, vërtetues i asaj që e kishin ata…” El-Bekare 2:101. “E para tij ishte libri i Musait, e edhe ky është libër që vërteton (librin e Musait), është në gjuhën arabe…” El-Ahkaf 46:12. “Edhe ky Kur’an)është libër që e zbritëm; është i bekuar, vërtetues i të mëparshmes…” El-En’Amë 6:92. “Ne edhe ty (Muhammed) ta zbritëm librin (Kur’anin) e vërtetë që është vërtetues i librave të mëparshme dhe garantues i tyre.

Siç e thamë edhe pak më sipër, shumë muslimanë pretendojnë që Kur’ani erdhi që të zëvendësonte Librat e Shenjtë të Judenjve dhe të të Krishterëve (Dhjatën e Vjetër dhe atë të Re). Kjo sepse sipas tyre ato u korruptuan, ndryshuan, shtrembëruan, dolën jashtë kohe, humbën, etj. Por, Kur’ani vetë nuk e pohon diçka të atillë. Përkundrasi i vetmi korruptim apo shtrembërim që i’u është bërë Shkrimeve sipas Kur’anit, është ai i fjalëve sipas Biblës ose thjeshtë me gojë, por jo në të shkruar. Përkundrasi, në vend të polemikave të sotshme, Kur’ani vetë pohon që u dërgua për të vërtetuar apo konfirmuar zbulesat e mëparshme. Prandaj, duhet pranuar që nëse diçka është për tu vërtetuar, atëhere ajo diçka  është tepër e rëndësishme, sidomos nëse Perëndia është Ai që i vërteton ato! Pra Kur’ani nuk erdhi që ti korrektonte, zëvendësonte, anullonte, modifikonte, etj., por që ti vërtetonte ose konfirmonte Shkrimet e mëparshme. Ky fakt në vetvete duhet që të jetë një arsye për vetë muslimanët që të ndalojnë argumentat e tyre për ndryshimin e Shkrimeve. Dhe nga ana tjetër, ky fakt duhet që të jetë i mjaftueshëm për të krishterët që të mos ti pranojnë mësimet e Kur’anit, përshkak se siç do të shohim edhe më poshtë, ato bien në kundërshtim me mësimet e vërteta biblike!

Aspekti apo arsyet e dyta që duam të konsiderojmë këtu janë ato të ashtu-quajturat profeci për Muhamedin. Sipas mësimeve të Islamit në Kur’an, Bibla duhet që të përmbajë profeci në lidhje me Muhamedin. Këto pretendime mbështeten kryesisht në dy vargje Kur’anore që thonë: “Dhe, kur Isa (Jezusi), bir i Merjemes (Marisë) tha: “O beni israilë, unë jam i dërguar i Allahut te ju, jam vërtetues i Tevratit (Dhjatës së Vjetër) që ishte para meje dhe jam përgëzues për një të dërguar që do të vijë pas meje, emri i të cilit është Ahmed!” Es-Saff 61:6. Si dhe “Ata që pranojnë të dërguarin (Muhammedin), Pejgamberin arab, (që nuk shkruan as nuk lexon), të cilin e gjejnë të cilësuar (të përshkruar me virtytet e tij), te ata Tevrat dhe në Inxhill (Dhjata e Re), e që i urdhëron ata për çdo të mirë dhe i ndalon nga çdo e keqe,…” El-A’Rafë 7:157.

Megjithëse ne nuk kemi kohën e nevojshme që ti shqyrtojmë më në thellësi këto pretendime në këtë artikull, e vërteta është që këto argumenta, me një studim të kujdesshëm dhe kontekstual të pasazheve të supozuara biblike, do të na tregonin pa dyshim që Bibla nuk përmban asnjë profeci të qartë apo direkte për Muhamedin. Kjo mungesë faktesh i bën shumë muslimanë që të përpiqen e ta shpjegojnë mungesën e profecive duke ia venë fajin Biblës dhe të Krishterëve, dhe si rezultat duke i akuzuar ata për ndryshime dhe gjëra të tjera të atilla. Kjo është edhe një nga arsyet pse ata e akuzojnë Biblën për korruptime. Kjo arsye e dytë në vetvete është më tepër një faktor kundërshtimi dhe polemike për muslimanët, por nga ana tjetër, për të krishterët e kujdesshëm dhe studimtarë, ky pretendim i pavërtetuar, përbën një arsye tjetër për mos pranimin e Kur’anit dhe Islamit në përgjithësi!

Arsyet që kanë të bëjnë me mësimet Biblike dhe eksklusivitentin e Krishterimit

Së pari duhet të sqarojmë që Bibla nuk i përmend muslimanët apo Islamin për faktin e thjeshtë që Islami i pati fillimet e veta rreth 600 vjet pas kohës së Jezusit dhe dishepujve të Tij. Por siç e thamë edhe pak më sipër Kurani pretendon që Bibla përmban profeci në lidhje me Muhamedin. Kjo mbetet akoma për tu provuar në mënyrë përfundimtare dhe të pakundërshtueshme, gjë që nuk është bërë dot. Për më tepër biblikisht nuk ka asnjë arsye pse, dhe si rezultat të gjitha të ashtu-quajturat profeci janë provuar ndryshe (pra të pavërteta)! Sidoqoftë, tani përsa i përket arsyeve biblike përsa i përket mos pranimit të Islamit, megjithëse ato janë të shumta dhe nga më të ndryshmet, ato më të rëndësishmet janë tre. Këto arsye kanë të bëjnë a) me natyrën dhe karakterin e Perëndisë, b) me personin e Jezus Krishtit, dhe c) me mesazhin e karakterin ekskluziv të Krishterimit.

Kur’ani është tepër i qartë në mësimet e veta në lidhje me “njësinë e Allahut”, dhe pa kundërshtim Bibla bën të njëjtin pohim nëpërmjet mësimeve të saj nëpërmjet shumë pasazheve biblike. P.sh. tek Ligji i Përtërirë 6:5 gjejmë fjalët: “Dëgjo, o Izrael, Zoti, Perëndia ynë, është një i vetëm.” Gjithashtu, vetë Jezusi tha, “Dëgjo, o Izrael: Zoti, Perëndia ynë, është i vetmi Zot.” Këto dhe shumë pasazhe të tjera të ndryshme e tregojnë me qartësi faktin që Bibla na mëson që Perëndia është “Një”. Njëkohësisht është po vetë Bibla e cila na mëson në lidhje me faktin që ky Perëndia i vetëm ekziston në tre-persona të veçantë. Atin, Birin, dhe Frymë e Shenjtë! Disa persona e kritikojnë këtë doktrinë pasi meqënëse u duket tepër i vështirë për tu kuptuar, ose sipas tyre ai është i pallogjikshëm. Por koncepti dhe doktrina e Trinisë, megjithëse është emëruar kështu nga teologët, në të vërtetë nuk është një shpikje e tyre. Pasi ky koncept na është zbuluar, pra na është dhënë nga vetë Perëndia nëpërmjet Fjalës së Tij. Dhe si rezultat kur të krishterët flasin për Perëndinë, ata e kuptojnë dhe e shohin atë si “Një Trini”. Dhe është ky mësim dhe koncept shumë i rëndësishëm biblik, të cilin Kur’ani dhe mësimet e Islamit në përgjithësi nuk janë të gatshëm që ta pranojnë. Por kjo nuk është një alternativë që mund ta zgjedhin edhe të Krishterët, për faktin e thjeshtë që ajo bie në kundërshtim me Fjalën e Perëndisë. Pasi çështja nuk ka të bëj thjesht me perceptimin tonë të Perëndisë. Por mbi të gjitha, me mënyrën se si Ai na e ka zbuluar vetveten nëpërmjet Fjalës së Tij Biblës, dhe detyra jonë është që ti besojmë asaj.

Arsyeja apo aspekti i dytë themelor për të cilin të krishterët nuk mund ta pranojnë Islamin, Kur’anin dhe Muhamedin, ka të bëj me mësimet kundërshtuese të Kur’anit në lidhje me personin e Jezu Krishtit. Bibla na mëson që Jezusi ka dy natyra: atë hyjnore dhe atë njerzore! Që të dy këto natyra i përkasin një personi dhe ato nuk përbëjnë nga një gjysëm të Jezusit, por përkundrasi ato e bëjnë atë 100% Perëndi dhe 100% njeri. Tani megjithëse ky koncept (ashtu si edhe koncepti i Trinisë) është i vështirë për tu kuptuar plotësisht, ai gjithësesi është një shprehje korrekte e mësimeve biblike. Prandaj si rezultat është tepër e rëndësishme për të krishterët që të mos të lejojnë kompromise në natyrën dhe karakterin e vërtetë të Jezusit. Por Islami e kundërshtojnë, ose më mirë, e mohon këtë koncept biblik, dhe ai e koncepton Jezusin thjesht si një profet dhe njeri i veçantë i dërguar nga Perëndia. Biles, pranimi i Hyjnisë së Jezusit është blasfemi për muslimanët.

Gjithashtu, Bibla na mëson që Jezusi u kryqëzua dhe vdiq mbi një kryq, por Kur’ani e kundërshton këtë fakt, dhe si rezultat ai e kundërshton edhe faktin që Jezusi u ngrit nga të vdekurit (pra ringjalljen e cila është një nga themelet më të rëndësishme të Krishterimit). Si rezultat mund të themi që megjithëse Islami ka shumë respekt për Jezusin, fakti që ai nuk e njoh apo që nuk e pranon natyrën e Tij hyjnore, si dhe kryqëzimin e Tij, e bën atë që të bjeri në kundërshtim direkt me mësimet biblike. Dhe si rezultat e bëjnë të pamundur për ne si të krishterë që ta pranojnë Islamin dhe mësimet e tij në lidhje me personin e Jezusit.

Një arsye tjetër, e cila është një shprehje e eksklusivitetit të Krishterimit, ka të bëjë me mësimet biblike për shpëtimin. Bibla na mëson që njerëzimi është i ndarë nga Perëndia përshkak të natyrës tonë mëkatare e cila na shtyn që të bëjmë gjëra të cilat janë të pa pranueshme përpara Perëndisë. Kjo natyrë e jona, e bën të pamundur për ne që ti bindemi urdhëresave të Perëndisë sado që ne të përpiqemi, dhe si rezultat askush nuk mund të thotë që ai apo ajo është pa mëkat. Dhe janë pikërisht mëkatet tona të cilat na ndajnë nga Perëndia dhe për të cilat secili prej nesh do të gjykohet një ditë.

Por Bibla na mëson që Perëndia ka siguruar një rrugë për shpëtimin tonë. Dhe Bibla na mëson që meqenëse ne nuk mund ti afroheshim dot Perëndisë përshkak të mëkateve tona, Perëndia vetë u afrua me ne duke ardhur në mesin tonë nëpërmjet Jezus Krishtit. Ky është mesazhi që Krishterimi shpall: Jezus Krishti është Perëndia me ne, dhe kushdo që beson në të për faljen e mëkateve nuk do të humbasi por do të ketë jetë të përjetshme me Perëndinë. Çdo fe tjetër është një përpjekje për t’iu afruar Perëndisë dhe për ta kënaqur atë nëpërmjet përpjekjeve tona për t’ju bindur urdhëresave të Tij, por Krishterimi shpall lajmin e mirë të shpëtimit të Perëndisë. Pasi kur ne nuk ishim në gjendje që ti afroheshim Perëndisë, Ai vetë përshkak të dashurisë së Tij, erdhi tek ne për të na shpëtuar dhe siguroi një rrugë shpëtimi nëpërmjet Jezusit.

Krishterimi është ekskluziv kur ai shpall se “nuk ka shpëtim në asnjë tjetër, sepse nuk ka asnjë emër tjetër nën qiell që i’u është dhënë njerëzve me anë të të cilit duhet të shpëtohemi” (Veprat e Apostujve 4:12). Krishterimi është ekskluziv në faktin që ai shpall që nuk ka asnjë rrugë shpëtimi tjetër për njerëzimin përveç nëpërmjet Jezus Krishtit. Dhe kjo bindje biblike është e pa kompromentueshme dhe ajo është një nga arsyet e tjera themelore për të cilat të Krishterët nuk mund ta pranojnë Islamin si fenë e vërtetë!

Përfundimi (qëndrimi i duhur)

Si përfundi është e rëndësishme që të sqarojmë, që megjithëse të krishterët nuk mund ta pranojnë Islamin si fenë e vërtetë, nga ana tjetër ata janë të detyruar që ti duan dhe ti respektojnë besimtarët muslimanët. Pra, dashuria dhe respekti duhet që të jenë vazhdimisht aspektet themelore të mardhënies tonë me çdo besimtar musliman. Dhe duhet që të jetë po kjo dashuri ajo e cila duhet të na motivojë që t’ju tregojmë në lidhje me të vërtetën dhe shpëtimin e Perëndisë. Sepse Perëndia nuk do që askush prej tyre të humbasi, por që të ketë jetën e përjetshme! Dhe nëse ne nuk u dëshmojmë, atëhere kush do t’ju dëshmojë? Dhe nëse nuk u dëshmojmë tani, atëhere kur?

Autor: Elvis Plaku


Lexo gjithashtu:

Ndaje:
>
Scroll to Top