A ka Zot?

· · 19 min lexim · Apologjia

A ka Zot?

Shkruar nga Marilyn Adamson

A nuk do të donit që veç njëherë dikush t’ju tregonte me fakte për ekzistencën e Zotit? Pa mundje krahu, pa thënie si “Vetem duhet të besosh.” Ja, pra, një përpjekje për t’ju ofruar haptazi disa nga arsyet që sugjerojnë se Zoti ekziston.

Por, së pari, duhet të keni parasysh një gjë. Nëse dikush mohon edhe mundësinë e ekzistencës së Zotit, atëherë çdo lloj fakti mund të humbasë me anë të racionalizimit apo shpjegimeve. Është njëlloj sikur një njeri të mos ketë dëshirë të besojë se njeriu ka ecur në hënë. Asnjë lloj informacioni nuk mund t’ia ndryshojë mendimin këtij personi. Regjistrimet satelitore të astronautëve duke ecur në hënë, intervistat me astronautët, gurët nga hëna… të gjitha këto fakte nuk do të kishin vlerë, sepse ky person tashmë e ka ndarë mendjen se njeriu nuk mund të shkoj dot në hënë.

Kur vjen puna tek mundësia e ekzistencës së Zotit, Bibla thotë se ka njerëz që kanë parë fakte të mjaftueshme, por ata e kanë shtypur të vërtetën rreth Zotit.(1) Nga ana tjetër, për ata që duan ta njohin Zotit, nëse Ai është atje, Bibla thotë: “Do të më kërkoni dhe do të më gjeni sepse do të më kërkoni me gjithë zemër. Unë do të bëj që ju të më gjeni.”(2)

Para se të shihni faktet që kanë të bëjnë me ekzistencën e Zotit, pyete një herë veten: “Nëse Zoti ekziston, a do të kisha dëshirë që unë ta njihja Atë?”

Ja disa nga arsyet që mbështesin ekzistencën e Zotit…

1. Gjatë gjithë historisë, në të gjitha kulturat e botës, njerëzit kanë besuar se ka një Zot.

A mund të thotë dikush me një farë vetë-besimi se të gjithë këta njerëz e kanë patur gabim? Miliarda njerëz, që përfaqësojnë rryma të ndryshme sociologjike, intelektuale, emocionale, arsimore, etj., të gjithë arritën në të njëjtin përfundim se ekziston një Krijues, një Zot për t’u adhuruar.

“Kërkimet antropoligjike sot kanë treguar se edhe tek njerëzit më të lashtë dhe më primitivë ka patur një besim universal tek Zoti. Edhe në legjendat dhe historitë më të hershme të popujve në të gjithë botën, koncepti i parë ishte për një Zot, që ishte Krijuesi. Madje edhe në shoqëritë që tashmë besojnë në më shumë se një perëndi duket se ka qenë njëherë në ndërgjegjen e tyre një Zot i lartë i vetëm.”(3)

2. Kompleksiteti i planetit tonë tregon për një Krijues të ndërgjegjshëm, i cili jo vetëm që krijoi universin tonë, por edhe e mban atë sot. Për të treguar krijimin e Zotit mund të jepen shembuj pa fund. Megjithatë, po ju japim disa prej tyre:

Toka… madhësia e saj është e përkryer. Madhësia e Tokës dhe forca e saj e rëndesës përmban një shtresë të hollë të përbërë më së shumti nga azoti dhe oksigjeni, që shtrihet rreth vetem 80 km mbi sipërfaqen e Tokës. Nëse Toka do të ishte më e vogël, atmosfera do të ishte e pamundur, ashtu si në planetin Mërkur. Nëse Toka do të ishte më e madhe, atmosfera e saj do të përmbante hidrogjen të lirë si Jupiteri..(4)  Toka është i vetmi planet i paijisur me një atmosferë të përzierjes së duhur të gazrave për të mbështetur jetën e bimëve, kafshëve dhe njeriut.

Toka ndodhet në largësinë e duhur nga dielli. Kini parasysh luhatjet e temperaturës që ndeshim, pak a shumë nga –10 deri në 50°C. Nëse Toka do të ishte shumë më larg nga dielli, të gjithë do të ngrinim. Po ashtu, nëse do të ishte më afër, do të digjeshim të gjithë. Madje edhe një ndryshim fraksional i pozicionit të Tokës drejt diellit do ta bënte jetën në Tokë të pamundur. Toka e ruan këtë largësi nga dielli, ndërkohë që ajo rrotullohet rreth tij me një shpejtësi prej afro 108 mijë km/orë. Ajo rrotullohet edhe në boshtin e saj, duke lejuar që e gjithë siperfaqja e saj të ngrohet dhe freskohet çdo ditë.

Edhe hëna ka madhësinë e përkryer dhe largësinë e duhur nga Toka për tërheqjen e saj gravitacionale. Hëna krijon baticat dhe zbaticat e oqeanit, të cilat kanë rëndësinë e tyre, në mënyrë të tillë që ujërat e oqeaneve të mos rrinë kot dhe në të njëjtën kohë i pengon oqeanët tanë gjigandë të mos vërshojnë mbi kontinentet.(5)

Uji… pa ngjyrë, pa erë, pa shije, dhe megjithatë asnjë gjallesë nuk mund të mbijetojë dot pa të. Bimët, kafshët dhe qëniet njerëzore përbëhen më së shumti nga uji (rreth 2/3 e trupit të njeriut është ujë). Shihni pse karakteristikat e ujit janë unikalisht të përshtatura për jetën:

Uji ka një pikë të veçantë të lartë avullimi dhe ngrirjeje. Uji na bën të mundur të jetojmë në një ambient ku temperaturat ndryshojnë shpesh, ndërkohë që ai e mban trupin tonë në një temperaturë të qëndrueshme prej 36°C.

Uji është një tretës universal. Merrni një gotë të mbushur plot me ujë, i hidhni një lugë sheqer, dhe shihni se nuk derdhet aspak ujë nga gota. Uji thjesht e tret sheqerin. Kjo karakteristikë e ujit nënkupton se mijëra kimikate, minerale dhe lëndë ushqyese mund të mbarten në të gjithë trupin tonë dhe në enët më të vogla të gjakut.(6)

Uji është kimikisht inert. Pa ndikuar në përbërjen e substancave që transporton, uji mundëson që ushqimi, ilaçet dhe mineralet të thithen dhe të përdoren nga trupi i njeriut.

Uji ka një presion të veçantë sipërfaqeje. Kjo është arsyeja që uji mund të shkojë sipër në drejtim të kundërt me gravitetin, duke çuar ujë jetë-dhënës dhe lëndë ushqyese edhe në majën e pemës më të lartë.

Uji ngrin nga lart  dhe pluskon në thellësi, kështu që peshqit të kenë mundësi të jetojnë në dimër.

97% e ujit të Tokës gjendet në oqeane. Por në Tokën tonë gjendet një sistem i krijuar me kujdes, që heq kripën nga uji dhe e shpërndan atë ujë rreth e qark globit. Avullimi merr ujin e oqeanit, duke lënë kripën, dhe formon retë, të cilat zhvendosen lehtësisht nga era për të shpërndarë ujin mbi tokë për vegjetim, për kafshët dhe njerëzit. Është një sistem pastrimi dhe furnizimi që mbështet jetën në këtë planet, një sistem i ujit të ricikluar dhe ripërdorur.(7)

Truri i njeriut… përpunon njëkohësisht një sasi mahnitëse informacioni. Truri juaj merr të gjitha ngjyrat dhe objektet që shihni, temperaturën rreth jush, presionin e këmbëve tuaja mbi dysheme, tingujt rreth jush, thatësinë e gojës tuaj, madje edhe tekstin e këtij materiali në dorën tuaj. Truri juaj regjistron përgjigjet emocionale, mendimet dhe kujtimet. Në të njëjtën kohë, truri juaj kujdeset për funksionët bazë të trupit tënd si frymëmarrje, lëvizja e qepallëve dhe lëvizja e muskujve në duart tuaja.

Truri i njeriut përpunon më shumë se një milionë mesazhe në sekondë.(8) Truri juaj vlerëson rëndësinë e këtyre të dhënave, duke filtruar dhe larguar ato që janë relativisht të parëndësishme. Ky funksion kontrolli ju lejon të përqëndroheni dhe të veproni me efektshmëri në botën tuaj. Për një tru që trajton më shumë se një milionë pjesëza informacioni çdo sekondë, ndërkohë që vlerëson rëndësinë e tyre dhe që ju mundëson të veproni me informacionin më të rëndësishëm… a mund të themi se thjesht rastësi e solli një organ kaq të jashtëzakonshëm?

Kur NASA lëshon misionet e saj kozmike, presupozohet se nuk ishte majmuni ai që i bëri planet, por disa mendje inteligjente dhe plot njohuri. Si shpjegohet ekzistenca e trurit njerëzor? Vetëm një mendje më inteligjente dhe me më shumë njohuri sesa njerëzimi mund të krijonte trurin njerëzor.

3. Thjesht “rastësi” nuk është shpjegim i mjaftueshëm. Imagjinoni sikur shihni Malin Rushmore, në të cilin janë gdhendur portretet e Uashingtonit, Xherfersonit, Linkolnit dhe Ruzveltit. A do ta besonit ndonjëherë se ato u krijuan rastësisht? Po të kesh parasysh kohën që ka kaluar, erërat, shirat, dhe rastin, është ende e vërshtirë për të besuar se diçka e tillë, e lidhur me historinë, të jetë formuar rastësisht në shpat të malit. Logjika na thotë se ato figura janë planifikuar dhe gdhendur me mjeshtëri nga njerëzit.

Ky artikull vetëm sa prek disa aspekte mahnitëse të botës sonë: pozicionin e Tokës ndaj diellit, disa karakteristika të ujit dhe një organ në trupin e njeriut. A mund të krijohej ndonjëra prej tyre rastësisht?

Astronimi i shquar Sër Frederik Hojli tregoi se është matematikisht absurde që amino acidet të bashkohen rastësishtë në një qelizë njerëzore. Ky astronom ilustroi dobësinë e “rastësisë” me analogjinë e që vijon: “Sa janë shanset që një tornado të fryjë në një oborr me mbeturina ku gjenden të gjitha pjesët e një avioni Boing 747, t’i montojë ato aksidentalisht duke krijuar një aeroplan dhe ta bëjë atë gati për fluturim? Mundësitë janë aq të vogla sa që nuk mund të merren parasysh edhe sikur tornadoja të frujë në aq shumë vende mbeturinash sa të mbushte gjithë universin!”(9)

Kur njeriu merr parasysh të gjitha kompleksitetet e jetës tonë dhe të universit, është e arsyeshme që një Krijues inteligjent dhe i dashur na ka dhënë gjitha që na nevojitet në jetë. Bibla e përshkruan Zotin si autorin dhe mbajtësin e jetës.

4. Sensi i lindur i njerëzimit mbi të keqen dhe të mirën nuk mund të shpjegohet biologjikisht. Brenda nesh, të çfarëdo kulture, lindin ndjenjat universale të së mirës dhe të keqes. Edhe një hajdut shqetësohet dhe nxehet kur dikush e vjedh. Kur dikush rrëmben një fëmijë nga një familje dhe e përdhunon atë, lind zemërimi dhe një urrejtje që të bën ta vlerësosh këtë veprim si të dënueshëm, pavarësisht nga kultura. Ku e gjetëm këtë sens të së keqes? Si e shpjegojmë ligjin universal në ndërgjegjen e njerëzve se të vrasësh për qejf është e gabuar?

Dhe në fusha të tilla si kuraja, sakrifikimi i jetës për një çështje, dashuria, detyra dhe dhembshuria, nga erdhën këto? Nëse njerëzit janë thjesht produkt i evolucionit fizik, “mbijetesa e më të fortit” përse sakrifikojmë për njëri-tjetrin? Nga e morëm këtë sens të së mirës dhe së keqes? Ndërgjegja jonë mund të përshkruhet më së miri nga një Krijues i dashur, që mendon për vendimet dhe harmoninë e njerëzimit.

5. Zoti jo vetëm që e ka shfaqur veten e Tij në atë që mund të vërehet në natyrë dhe një jetën njerëzore, por ai e ka shfaqur veten e Tij më saktësisht në Bibël. Mendimet, personaliteti dhe qëndrimet e Zotit mund të bëhen të njohura vetëm nëse Zoti dëshiron t’i shfaqë ato. Gjithçka tjetër do të ishte spekullim i njeriut. Ne do të ishim të humbur nëse Zoti nuk do të donte që të njihej. Por Zoti do që ne ta njohim Atë dhe na ka treguar në Bibël gjithçka që na duhet për të ditur mbi karakterin e Tij dhe si të lidhemi me të. Kjo e bën besueshmërinë e Biblës një çështje të rëndësishme që duhet marrë në konsideratë.

Zbulimet arkeologjike vazhdojnë të konfirmojnë dhe jo të hedhin poshtë saktësinë e Biblës. Për shembull, një zbulim arkeologjik në veri të Izraelit në gusht të vitit 1993 konfirmoi ekzistencën e Mbretit David, autorin shumë prej Psalmeve në Bibël.(10) Dorëshkrimet e Detit të Vdekur dhe zbulime të tjera arkeologjike vazhdojnë të vërtetojnë saktësinë historike të Biblës.

Bibla u shkrua për një periudhë 1500 vjeçare nga 40 autorë të ndryshëm, në vende të ndryshme dhe në kontinente të ndara. Ajo u shkruajt në tre gjuhë të ndryshme dhe mbulon çështje me tematikë të shumëllojshme në kohë të ndryshme të historisë.(11) Megjithatë, në mesazhin e saj ka një qëndrueshmëri të jashtëzakonshme. Në të gjithë Biblën jepet shfaqet i njëjti mesazh:

Zoti krijoi botën ku jetojmë ne dhe na krijoi ne posaçërisht për të patur një marrëdhënie me Të.

Ai na do shumë.

Ai është i shenjtë, prandaj nuk mund të ketë marrëdhënie me njerëz mëkatarë.

Zoti na dha një rrugë për faljen e mëkateve tona.

Ai na kërkon që të pranojmë faljen e Tij dhe të kemi një marrëdhënie me Të që do të zgjasë përjetësisht.

Së bashku me këtë shkrim qëndror, Bibla na zbulon posaçërisht karakterin e Zotit. Psalmi 145 është një përmbledhje tipike e personalitetit, mendimeve dhe ndjenjave të Zotit ndaj nesh. Nëse doni ta njihni Zotin, ja ku e keni.

6. Ndryshe nga zbulimet e tjera të Zotit, Jezu Krishti është pamja më specifike dhe më e pastër e Zotit. Përse Jezusi? I hidhni një vështrim besimeve fetare kryesore në botë dhe do të shihni se Buda, Muhamedi, Konfuci dhe Moisiu të gjithë e identifikuan veten e tyre si mësuesë apo profetë. Asnjë prej tyre nuk pretendoi se ishte i njëjtë me Zotin. Çuditërisht, Jezusi po. Kjo është ajo që e ndan Jezusin veç nga të gjithë të tjerët. Ai tha se Zoti ekziston dhe se ju po e shihni Atë. Edhe pse fliste për Atin e Tij në qiell, nuk ishte nga pozicioni i ndarjes, por nga një bashkim shumë i ngushtë, unik për gjithë njerëzimin. Jezusi tha se kushdo që e kishte parë Atë, kishtë parë Atin, kushdo që besonte tek Ai, besonte tek Ati.

Ai tha: “Unë jam drita e botës; kush më ndjek nuk do të ecë në errësirë, por do të ketë dritën e jetës.”(12) Ai pohoi se kishte karakteristika që i përkasin vetëm Zotit: mundësia për të falur njerëzit për mëkatet e tyre, t’i çlirojë ata nga zakonet e mëkatit, t’u japë njerëzve një jetë me bollëk dhe t’u japë atyre jetën e përjetshme në parajsë. Ndryshe nga mësuesit e tjerë që i fokusonin njerëzit në fjalët e tyre, Jezusi i drejtoi ata tek vetja e tij. Ai nuk tha: “Ndiqni fjalët e mia dhe do të gjeni të vërtetën.” Ai tha: “”Unë jam rruga, e vërteta dhe jeta; askush nuk vjen tek Ati përveçse nëpërmjet meje.” (13)

Çfarë provash dha Jezusi për të vërtetuar se ishte hyjnor? Ai bëri atë që njerëzit nuk mund ta bëjnë dot. Ai shëroi njerëz … të verbër, sakatë, shurdhë. Madje ringjalli edhe disa njerëz nga të vderkurit. Ai kishte fuqi hynore … krijoi bukë prej asgjëje, mjaft për të ushquar mijra njerëz. Ai kishte fuqi mbi natyrën  …eci mbi ujin e liqenit, komandoi një stuhi të furishme për të pushuar për disa miq të tij. Njerëzit e ndiqnin Jezusin ngado, sepse Ai vazhdimisht i përmbushte nevojat e tyre duke bërë mrekullira. Ai tha se nëse nuk doni të besoni ato që ju them, të paktën besoni tek mua në bazë të mrekullive që po shihni.(14)

Çfarë shfaqi Jezusi në lidhje me personalitetin e Zotit? Po për mendimet, shpresat dhe ndjenjat e Zotit ndaj njerëzimit? Jezi Krishti tregoi se Zoti është i butë, i dashur, i ndërgjegjshëm për të metat dhe egoizmin tonë, dhe megjithatë Ai dëshiron një marrëdhënie me ne. Jezusi tregoi se edhe pse Zoti na sheh ne si mëkatarë, që meritojmë ndëshkimin e Tij, mbretëronte dashuria e Tij për ne dhe Zoti erdhi me një plan tjetër. Zoti dha Birin e Tij për të marrë ndëshkimin për mëkatet tona. Dhe Jezusi e pranoi me dëshirë këtë plan.

Jezusi u torturua me një kamzhik me 9 të dala të mprehta. Një ‘kurorë’ me gjemba 5-centimetërsh ia shtypën në kokë. Pastaj e kryqëzuan duke i gozhduar këmbët dhe duart në kryqin e drunjtë. Po të kemi parasysh mrekullitë e Tij të tjera, nuk janë gozhdat që e mbajtën atë në kryq; por dashuria e Tij për ne. Jezusi vdiq në vendin tonë kështu që ne të mund të faleshim. Nga të gjitha fetë që njihen nga njerëzimi, vetëm nëpërmjet Jezusit do të shihni se si Perëndia arrin tek njerëzimi duke dhënë një rrugë për të ndërtuar një marrëdhënie me Të. Jezusi provoi se kishte një zemër hyjnore dashurie, duke plotësuar nevojat tona, duke na tërhequr tek Ai. Në sajë të vdekjes së Jezusit ne mund të falemi, të pranuar plotësisht nga Zoti dhe të bekuar me dashurinë e Tij. Zoti thotë: “Të kam dashur me një dashuri të përjetshme; prandaj po të tërheq me dashamirësi.”(15) Ky është Zoti në veprim.

Prova më vendimtare se Jezusi është i barabartë me Zotin ishte mrekullia që i është studiuar më imtësisht Jezusit – ringjallja e Tij nga vdekja. Jezusi tha se tre ditë pas varrimit të Tij Ai do të kthehej në jetë. Në ditën e tretë pas kryqëzimit të Tij, guri i rëndë prej gati dy tonësh i vendosur para hyrjes së varrit të Tij u lëviz.(16) Rojet, ushtarë romakë të stërvitur më së miri, panë një dritë verbuese dhe një engjëll. Varri ishte nuk kishtë asgjë, përveç copës me të cilën ishte mbështjellur më parë trupi i Jezusit. Për vite me radhë janë bërë analiza ligjore, historike dhe logjike për ringjalljen e Jezusit dhe përfundimi më i arsyeshëm akoma është se Jezusi u ringjall prej së vdekurit.

Nëse doni të dini për ekzistencën e Zotit, hulumtoni mbi Jezu Krishtin. Bibla thotë: “Perëndia e deshi aq botën sa dha Birin e Tij të vetëmlindurin, që, kushdo që beson në të, të mos humbasë, por të ketë jetë të përjetshme.”(17)

A doni të nisni një marrëdhënie me Zotin dhe të dini se Ai ju ka pranuar juve?

Ky është një vendimi që ju përket vetëm ju, dhe askush nuk ju detyron në këtë vendim. Por nëse doni që Zoti t’ju falë mëkatet dhe ju të krijoni një marrëdhënie me Të, që tani mund t’i kërkoni Zotit t’ju falë dhe të vijë në jetën tuaj. Jezusi tha: “Ja, unë qëndroj te dera dhe trokas; nëse dikush dëgjon zërin tim dhe të hapë derën, unë do të hyj tek ai.” (18) Nëse keni dëshirë ta bëni këtë, por nuk dini se si t’i drejtoheni Perëndisë, ndofta kjo mund t’ju ndihmojë:

“Jezus, faleminderit që vdiqe për mëkatet e mia. Ti e njeh jetën time dhe e di se kam nevojë për falje. Të kërkoj të më falësh që tani dhe të hysh në jetën time. Faleminderit që Ti dëshiron një marrëdhënie me mua. Amen.”

Zoti e sheh marrëdhënien tuaj me Të si të përhershme. Duke iu referuar të gjithë atyre që besojnë në Të, Jezusi tha: “Delet e mia dëgjojnë zërin tim, unë i njoh dhe ato më ndjekin; dhe unë u jap atyre jetën e përjetshme dhe nuk do të humbasin kurrë, e askush nuk do t’i rrëmbejë nga dora ime.”(19)

Literatura

(1) Romakët 1:19-21

(2) Jeremia 29:13-14

(3) Paul E. Little, Mësoni Përse Besoni (Victor Books), fq. 22 (botimi anglisht)

(4) R.E.D. Clark, Krijimi (Londër: Tyndale Press, 1946), fq. 20 (botimi anglisht)

(5) Mrekullitë e Krijimit të Perëndisë, Moody Institute of Science (Çikago, Illinois)

(6) Po aty.

(7) Po aty.

(8) Po aty.

(9) Paul E. Little, Mësoni Përse Besoni (Victor Books), fq. 24 (botimi anglisht)

(10) Thomas McCall, Guri i Shtëpisë së Davidit, Letra e Levittit (Misionet Zola Levitt), Shtator 1993

(11) Josh McDowell, Fakte që Kërkojnë Gjykim (San Bendardino, CA: Here’s Life Publisher, 1979) fq. 16 (botimi anglisht)

(12) Gjoni 8:12

(13) Gjoni 14:6

(14) Gjoni 14:11

(15) Jeremia 31:3

(16) Josh McDowell, Më Shumë se Zdrukthtar, (Wheaton, Illinois: Tyndale House, 1977) fq. 90-91 (botimi anglisht)

(17) Gjoni 3:16

(18) Zbulesa 3:20

(19) Gjoni 10:27-28

Shënim: Ky artikull është ofruar nga Faqja “Jam Dakord”.


Lexo gjithashtu:

Ndaje:
>
Scroll to Top