Ungjilli dhe përndjekja J.W. Taker (J. W. Tucker) ishte një misionar i Asamblesë së Perëndisë në kombin që tani quhet Republika Demokratike e Kongos. Revolucioni Simba nisi kur Takeri kishte 11 vjet në Kongo. Simba është një fjalë në gjuhën Swahili dhe ka kuptimin “luan”. Anëtarët e këtij grupi ishin kundër të huajve dhe kundër misionarëve dhe e quajtën veten “luanët”, sepse ishin të egër. Ata e kapën Takerin në shtëpinë e tij, ia lidhën duart prapa dhe e çuan në sheshin qendror. Aty i thyen një shishe xhami në fytyrë. Kur ai u rrëzua përdhe, ata kërcyen mbi trupin e tij, derisa ai nuk lëvizi më. Pastaj e hodhën në lumin Bomokandi që kalonte aty pranë. Trupin e hëngrën krokodilët. Bota u trondit nga kjo ngjarje. Dukej si një tragjedi e pashoqe. Si mund të ndodhte kjo? A nuk ishte ai në vullnetin e Perëndisë? Në atë çast ishte e lehtë të vije në dyshim urtësinë e Perëndisë. Por Ai e kishte një qëllim. Lumi Bomokandi rrjedh përmes tokës së fisit Mangbetu. Në këtë fis është zakon që foshnjave të vogla ua lidhin kokën për t’ua zgjatur atë. Për ata, kokat e zgjatura janë shumë të bukura. Deri në atë kohë, ata nuk e kishin pranuar kurrë ungjillin. Populli mangbetu i kishte rezistuar punës misionare. Mes tyre nuk kishte asnjë kishë. Aty kishin punuar misionarë shumë të mirë si *C. T. Stad (Studd), por nuk kishin arritur të nisnin diçka që të vazhdonte. Qeveria dëshironte paqe. Ata dërguan një polic afrikan për të qetësuar fisin mangbetu. Polici ishte një burrë trupmadh dhe i fuqishëm. Të gjithë e quanin *Brigadieri, një emër që i vihej një kryegjenerali (gjeneral brigadeshënim i përkthyesit) në ushtrinë britanike. Pak para se të vdiste, J. Ë. Taker e kishte udhëhequr Brigadierin tek Krishti. Polici nuk kishte predikuar kurrë dhe nuk kishte marrë ndonjë mësim fetar. Por ai e dinte se atë e kishte shpëtuar Jezusi. Mes popullit mangbetu, Brigadieri mësoi zakonet e tyre. Një nga thëniet e tyre ishte: “Ne do të dëgjojmë gjithmonë fjalët e atij personi, gjaku i të cilit është derdhur në lumin tonë”. Meqë gjaku i Takerit ishte në lumin e tyre, Brigadieri ndau ungjillin e Takerit me kryetarin e fisit. Lajmi i mirë u përhap nëpër fis. Sot, janë rreth 40 kisha të Asamblesë së Perëndisë në popullin mangbetu. Në këtë mënyrë, Perëndia veproi përmes përndjekjes për të udhëhequr shumë njerëz drejt Shpëtimtarit.