Fundi i botes nga pikepamja biblike – Euard Lekgjika

· · 3 min lexim · Studime biblike

Fundi i botës – nga pikëpamja biblike Nga Eduard Lekgjika Fundi i botës është një nga temat më intriguese të të gjitha kohërave. Nëse kërkon në internet për filma me të tillë temë kërkimi do rezultojë në një listë të gjatë. Ndër më të njohurit (që nga më i fundit) janë: “2012”, “The Day After Tomorrow”, “Armagedon”, “Independence Day” etj. Të gjithë filma me buxhet të madh dhe miliona dollarë fitime nga shitjet. Në shumë prej këtyre filmave, katastrofa natyrore apo edhe njerëzore i kanosen tokës, por si gjithmonë, në fund, disa heronj shpëtojnë. Gjithashtu, mbi fundin e botës nuk kanë munguar profecitë nga “profetë” të ndryshëm. Shumë ndoshta u kujtohet profecia e Nostradamusit mbi fundin e parashikuar të botës në vitin 2000, vit i cili erdhi e na la shëndenë, dhe jeta në tokë vazhdoi siç kishte vazhduar dhe më parë. Po ashtu edhe filmi i fundit “2012”, bazohet mbi një profeci të fiseve Maja të Amerikës së Jugut se viti 2012 do të jetë viti i shkatërrimit të botës. Për disa të tjerë nuk do të ketë një fund bote, pasi bota është tashmë duke përjetuar fundin për shkak të luftërave, sëmundjeve dhe kataklizmave të ndryshme. Gjithsesi njerëzit janë të intriguar dhe disi të trazuar nga ideja se gjatë jetës së tyre mund të përjetojnë fundin e botës. Fundi i botës ishte temë interesi dhe në kohën e Jezuit. Kur u pyet nga dishepujt e tij se “kur do të ndodhin të gjitha këto?” (Mateu 24), Jezui përgjigjet se fundi i kohërave nuk është për t’u ditur nga njerëzit, por do të ishte diçka e papritur. Prandaj edhe ju jini gati, sepse Biri i njeriut do të vijë në atë orë kur ju nuk e mendoni (Mt. 24:44). Bibla na thotë se kjo botë do të ketë një fund. Për shkak të mëkatit të Adamit bota nuk është në gjendjen e përsosur që u krijua. Njeriu që qe kulmi i krijesës së Zotit (ai u krijua në imazhin e Tij) është i ndarë nga Perëndia dhe pre e vdekjes. Në Jezu Krishtin, Perëndia ofron për njeriun pajtimin dhe faljen e mëkatit, si dhe jetën e amshuar. Më me rëndësi, pra për ne dhe miqtë tanë që diskutojmë për këtë temë, nuk është se kur do të ndodhë fundi i botës, por në ç’gjendje jemi ne në lidhje me Zotin, i cili vjen për të gjykuar këtë botë dhe për të vënë drejtësinë mbi mëkatin. Shpresa jonë është tek premtimi se Perëndia (si i Gjithëfuqishëm dhe Zot i universit, i cili ka çdo gjë në kontroll), nuk na lë nën dënimin e mëkatit, por në dashurinë e tij na shenjtëron. …Perëndia i bën të drejtë, përmes besimit në Jezu Krishtin, të gjithë ata që besojnë në të (Rom. 3:22). .


Lexo gjithashtu:

Ndaje:
>
Scroll to Top