Besueshmeria e Bibles

· · 10 min lexim · Apologjia

Besueshmeria e Bibles

A mund të besohet Bibla?

A është fjala e Perëndisë? Shumë njerëz e vënë në dyshim vërtetësinë e Biblës. Në këtë artikull do të trajtojmë disa pyetje që i lindin shpesh njeriut dhe që janë të rëndësishme, sepse tregojnë kredibilitetin e Biblës në ditët tona.

A ka arritur e saktë deri në ditët tona?

A kanë thënë të vërtetën ata që e kanë shkruar?

A ka fakte arkeologjike dhe historike jashtë Biblës që e mbështesin atë?

1. A ka arritur Bibla e saktë deri në ditët tona? Cilat janë provat që tregojnë se një dokument i vjetër nuk ka ndryshuar?

Për të vlerësuar besueshmërinë e dorëshkrimit të një vepre letrare apo historike të lashtësisë, historianët kanë parasysh dy gjëra: 1) numrin e kopjeve të veprës dhe 2) largësinë kohore midis kohës së dorëshkrimit origjinal dhe dorëshkrimit më të vjetër të gjetur. P.sh., “Historia” e Tukididit (460-400 para Krishtit) ka arritur vetëm në tetë dorëshkrime që datojnë rreth vitit 900 pas Krishtit, pra, rreth 1300 vjet pasi është shkruar vepra. Aristoteli e ka shkruar “Poetikën” rreth vitit 343 para Krishtit, ndërsa kopja më e hershme që kemi daton në vitin 1100 pas Krishtit, rreth 1400 vjet më vonë, dhe është vetëm në pesë kopje. Cezari e ka shkruar historinë e luftrave në Gali në mes të viteve 58 dhe 50 para Krishtit, ndërsa besueshmëria e dorëshkrimeve mbetet në dhjetë kopje, të cilat datojnë 1000 vjet pas vdekjes së tij.

Kur vihet në dyshim besueshmëria e dorëshkrimeve të Dhiatës se Re, bollëku i materialit që kemi pothuaj i turpëron dokumentet e lartpërmendura. Pas zbulimit të dorëshkrimit të hershëm të shkruar në papirus, i cili lidh kohën e Krishtit dhe shek. II, doli në dritë dhe një shumicë dorëshkrimesh të tjera. Sot ekzistojnë mbi 20,000 kopje dorëshkrimesh të Dhiatës së Re. Sa për krahasim, dorëshkrimi që vjen i dyti pas Biblës është ai i Iliadës me 643 dorëshkrime.

Tani për sa i përket Dhiatës së Vjetër. Në vitin 1949, pranë Detit të Vdekur, ca barinj zbuluan disa shpella. Në to kishte qypa të mëdhenj prej balte me pergamenë brenda. Këta pergamenë ishin dorëshkrime të vjetra të librave të Dhiatës së Vjetër. Historianët mendojnë se këta pergamenë i takojnë një kohe rreth 100 vjet para Krishtit. Këto ishin qindra kopje të Dhiatës së Vjetër, të cilat ishin fshehur në këto shpella nga një grup skribësh izraelitë (skribët kanë qenë studiues dhe mësues të Biblës). Këto dorëshkrime morën emrin “Pergamenët e Detit të Vdekur”. Kur u krahasuan me Dhiatën e Vjetër që kemi në ditët tona, u pa që ndryshimet ishin minimale dhe nuk kishte ndryshime fjalësh që do të prishnin apo ndryshonin kuptimin e fjalive.

Duke pasur parasysh numrin e madh të dorëshkrimeve dhe vjetërsinë e tyre, mund të themi se Bibla është dokumenti më i besueshëm i lashtësisë dhe ka ardhur në ditët tona e pandryshuar, ashtu siç e kanë shkruar profetët.

Tani që e dimë se Bibla na ka ardhur e pandryshuar, duhet të bëjmë një tjetër pyetje themelore:

2. A kanë thënë të vërtetën ata që kanë shkruar Biblën?

Dëshmia e apostujve, të cilët shkruan Dhiatën e Re është e besueshme, sepse ata ishin vetë dëshmitarë okularë të gjërave që bëri dhe tha Jezusi. Gjithashtu, prej atyre dymbëdhjetë njerëzve, njëmbëdhjetë vdiqën si martirë, duke predikuar ringjalljen e Krishtit dhe se Ai ishte Biri i Perëndisë. Për këtë shkak ata u torturuan, u rrahën me kamzhik dhe më në fund vdiqën në mënyrat më barbare:

Pjetri – i kryqëzuar

Andrea – i kryqëzuar

Mateu – i vrarë me shpatë

Gjoni – me vdekje natyrore

Jakobi, i biri i Alfeut – i kryqëzuar

Filipi – i kryqëzuar

Simoni – i kryqëzuar

Tadeu – i vrarë me shigjetë

Jakobi, vëllai i Jezuit – i vrarë me gurë

Thomai – i goditur me heshtë

Bartolomeu – i kryqëzuar

Jakobi, i biri i Zebedeut – i vrarë me shpatë

Po qe se nuk do të kishin qenë 100% të sigurt për ato që kishin parë, për kryqëzimin dhe për ringjalljen e Jezu Krishtit, ata nuk do të dilnin nëpër botë për t’u treguar njerëzve këto gjëra. Ata ishin gati dhe e dhanë jetën e tyre për dëshminë që tregonin. Dhe më e rëndësishmja është se ata nuk e dhanë jetën për një ideal, për një diçka që do të ndodhte në të ardhmen, sikurse mund të bëjnë shumë vetë, por për një fakt, për një ngjarje që kishte ndodhur në jetën e tyre. Askush nuk do ta jepte jetën për një gjë që e di se është gënjeshtër. Mënyra se si vdiqën është vula e përgjakur e sinqeritetit të dëshmisë së tyre.

Por çfarë thonë burimet e tjera në lidhje me atë që pohon Bibla?

3. A ka fakte arkeologjike dhe historike jashtë Biblës që e mbështesin atë?

Zoti Uilliam Remzi konsiderohet si njëri ndër arkeologët më të mëdhenj që ka jetuar ndonjëherë. Ai besonte se libri “Veprat e Apostujve” është shkruar në mesin e shek. II pas Krishtit e jo në shek. I, siç tregon vetë libri. Pasi studioi kritikën moderne për këtë libër, u bind se kjo vepër nuk ishte një raport bindës për faktet e asaj kohe (viti 50 pas Krishtit) dhe, për këtë shkak, nuk meritonte të konsiderohej si vepër historike. Kështu, pra, në hulumtimin e tij për Azinë e Vogël, Remzi nuk i kushtoi kujdesin e duhur Dhiatës së Re. Megjithatë, ky hulumtim e detyroi të shqyrtojë shkrimet e Lukës. Pasi i shqyrtoi me hollësi detajet historike dhe qëndrimin e tij ndaj librit “Veprat e Apostujve”, filloi të ndryshonte. Ai qe i detyruar të arrinte në përfundimin se Luka është historian i klasit të parë.… “Ky autor duhet të radhitet me historianët më të mëdhenj” – tha ai. Për shkak të përpikmërisë në çdo hollësi, sado e vogël, Remzi pranon përfundimisht se “Veprat e Apostujve” nuk mund të jetë shkruar në shek. II, por është shkruar në mesin e shek. I.

Përmendja e ekzekutimit të Jezusit në “Analet” e historianit romak Tacitit (XV, 44), shkruar rreth vitit 110 pas Krishtit, ia vlen të shënohet. Në informacionin?? rreth persekutimit të të krishterëve në kohën e perandorit Neron, persekutim që filloi pas djegies së Romës (në vitin 64 pas Krishtit), thuhet se Perandori, për të larguar dyshimet nga vetja, ua hodhi fajin të ashtuquajturve të krishterë, të cilët urreheshin në popull. Në shpjegimin që jep Taciti thotë: “Emri ka rrjedhur nga Krishti, të cilin e kishte ekzekutuar prokurori Ponc Pilat në mbretërimin e Tiberit.” Bestytnia shumë e dëmshme përkohësisht e mbajtur fshehur të cilën Jezui e kishte ngritur në Jude dhe shumë shpejt u përhap deri në Romë. Taciti nuk flet për Jezus, por për Krishtin (që do të thotë “Mesia”, por që ndër të krishterët jashtë Palestinës është përdorur si emër për Jezusin). Pasazhi sjell prova për një fund të turpshëm (kryqëzimin) të Jezusit si themeluesi i një lëvizjeje fetare dhe na tregon opinionin shoqëror për këtë lëvizje në Romë. Një kërkesë e guvernatorit të Azisë së Vogël, Plini I Riu, në letrën e tij dërguar perandorit Trajan (v.46 pas Krishtit) rreth mënyrës se si duhet të veprojë në lidhje me të krishterët (Letra 10, f.96) vjen nga e njëjta periudhë. Të krishterët përshkruhen përsëri si ndjekës të një bestytnie të vërtetë, të cilët i këndojnë himne Krishtit “si një perëndie”. Nuk thuhet asgjë për jetën e tij në tokë dhe informacioni faktik në letër pa dyshim që buron nga të krishterët.

Jozefi, historiani çifut i oborrit të Dominicianit, ka gdhendur historinë e popullit të tij dhe ngjarjet e luftës çifuto-romake (66-70),vetëm rastësisht përmend vrasjen me gurë në vitin 62 pas të   “Jakobi , vëllai i Jezusit, i ashtuquajturi Krisht…”(  )Ai më qëllim ë përdor emrin Jezus të parin (sepse si çifut ai e di që Krisht përkthehet Mesia, por ai e shton emrin e dutë që ishte i njohur në Romë megjithëse pak me nënvlerësim të shoqëruar me shprehjen “i ashtuquajturi Krisht”. (Marrë nga Enciklopedia Britanike; artikulli Jezus, nënartikulli Burimet jo të krishtera.)

Bibla ka ardhur deri në ditët tona e sigurt dhe e pandryshuar. Dëshmia e apostujve, e jetës dhe e vdekjes së tyre, dëshmia e dorëshkrimeve të vjetra, dëshmia e historisë dhe e arkeologjisë tregojnë se ne mund t’i besojmë Biblës. Siç shohim dhe nga faktet e mësipërme Zoti e ka ruajtur Fjalën e Tij që të mos ndryshohet, që ne të mund ta njohim Atë. Jezusi thotë: “Qielli dhe toka do të kalojnë por fjalët e mia nuk do të kalojnë” (Mateu 24:35). Zoti nuk do të lejojë që Fjala e Tij të shtrembërohet. Mesazhi i Tij i drejtësisë, i dashurisë dhe i faljes nëpërmjet vdekjes së Jezu Krishtit në kryq përcillet brez pas brezi, që njerëzit të njohin gjykimin që po vjen dhe shpëtimin për ata që strehohen në sakrificën e Jezu Krishtit.

Sqarim: Çfarë është Dhiata e Vjetër dhe Dhiata e Re?

Shpeshherë ka një ngatërresë me termat “Dhiata e Re” dhe “Dhiata e Vjetër”. Nganjëherë njerëzit mendojnë se bëhet fjalë për Biblën e re dhe të vjetër, d.m.th. se ka qenë një Bibël dhe më vonë njerëzit kanë shkruar një të re, e kanë “rinovuar” të vjetrën?!! Në fakt nuk ekziston një Bibël e vjetër dhe një e re. Dhiata e Vjetër dhe Dhiata e Re janë dy pjesët e Biblës. Librat e profetëve që kanë jetuar para Jezu Krishtit, si Moisiu, Davidi etj. futen në Dhiatën e Vjetër, ndërsa librat e profetëve që kanë qenë bashkë me  Jezu Krishtin ose, siç quhen ndryshe, apostujt, si Gjoni, Mateu, Pjetri, etj. grupohen në Dhjatën e Re. Të dyja bashkë, Dhiata e Re dhe Dhiata e Vjetër përbëjnë Biblën. Fjala “dhiatë” vjen nga greqishtja e vjetër, që do të thotë “besëlidhje”. Me anë të vdekjes së Krishtit në kryq, Zoti bëri një besëlidhje të re me njerëzit.

Shënim: Ky artikull është ofruar nga Faqja “Jam Dakord”.


Lexo gjithashtu:

Ndaje:
>
Scroll to Top