SHPALLJA E “DEKLARATËS SË PAVARËSISË”
Nga: Robert J. Tamasy
A e keni vënë re se fëmijët e rritur mezi presin që të dalin më vete e të fitojnë pavarësi nga prindët? Të miturit, natyrisht janë plotësisht të varur, por kur ata arrijnë një moshë të caktuar, zakonisht jo më shumë se dy vjec, në mënyrë instiktive fillojnë të shfaqin shenjat e para të “deklaratës së pavarësisë”.
Kur përpiqesh t’a ndihmosh një të mitur për t’i veshur këpucët, ai nuk të le, por të thotë: “I vesh vetë!” Mundohesh që t’i fusësh në gojë një fëmije kafshatën e fundit të ushqimit, por ai këmbëngul: “E ha vetë!”. Vërtet prindërit duan që fëmijët të bëhen të pavarur në jetën e tyre, por jo ama që në moshën dy tre vjeçare.
Impulsi për t’u mbështetur në forcat tona mbetet i fortë gjatë gjithë jetës. Shumë njerëz ëndërrojnë që të kenë pavarësi financiare. Të tjerë aspirojnë që t’i ngjajnë heroit të poezisë së William Ernest Henley me titull “Invictus” ( Nga latinishtja: I pamposhtur), botuar më 1888, ku ky hero deklaron: “Jam zot i fatit tim: jam kapiten i shpirtit tim.”
Është e admirueshme që të duash të jesh zot i fatit tënd dhe të marrësh përgjegjësi për pasojat e veprimeve të tua në jetë. Megjithatë, pavarësia e plotë ka edhe anën e saj të errët.
Në Testamentin e Vjetër të Biblës mësojmë për Uziahun, i cili ishte mbreti i Judës për 52 vjet rresht. Aty thuhet: “Ai bëri atë që është e drejtë në sytë e Zotit… dhe përderisa e kërkoi Zotin, Perëndia e begatoi” (2 Kronikat 26:4-5). Për një kohë të gjatë Uziahu e pranoi hapur se begatia e tij varej nga Perëndia.
Por erdhi një ditë dhe Uziahut iu rrit mendja. Edhe kur u kritikua për rebelim, ai nuk pranoi as të jepte llogari e as të korrigjohej.. “…Fama e tij u përhap sepse u ndihmua në mënyrë të mrekullueshme derisa u bë i fuqishëm. Por, mbasi u bë i fuqishëm, zemra e tij u bë krenare aq sa u korruptua dhe ai mëkatoi kundër Zotit …” (2 Kronikat 26:15-21). Uziahu mjaftohej me veten, nuk kishte nevojë për njeri, madje as për Perëndinë.
Ky mbret ka jetuar mijra vjet më parë, por natyra njerëzore nuk ka ndryshuar shumë qysh atëhere. Në hapat e para të biznesit ose të karierës profesionale shumë prej nesh e shohin të largët suksesin. I drejtohemi të tjerëve, madje edhe Perëndisë, që të na ndihmojë të gjejmë stabilitet sidomos në rastet kur na mbyt stresi dhe presioni i punëve. Mirëpo, sapo arrihet një farë suksesi, shtohet rreziku që kjo ndjesi e varësie të zhduket. Duke rënë në grackën e vetkënaqësisë, menjëherë themi, “Jam bërë zot i vetes time,”.
Ashtu siç e mësoi Mbreti Uziah, ky qëndrim të çon në shkatërrim. Duke qenë mosmirënjohës ndaj ndihmës që të jepet për ngjitjen e “shkallëve të suksesit” dhe duke u bërë mëndjemadh, nuk bën gjë tjetër vecse ekspozon dobësitë e tua para konkurrentëve dhe kundërshtarëve të tu. Bibla na tregon se si t’a shmangim këtë fatkeqësi: Njihe Perëndinë si burim të mençurisë dhe suksesit. “Mos e largo goje këtë Libër të Ligjit, medito mbi të ditë e natë duke u kujdesur të veprosh simbas gjithçkaje që është shkruar në të. Atëhhere do të jesh i begatë e i suksesshëm” (Jozueu 1:8).
Mirëprite kritikën, përpiqu të korrigjohesh. “Mjerimi dhe turpi do të bien mbi atë që nuk pranon korrgjimin, por ai që i ve vesh qortimit do të nderohet” (Fjalë të Urta 13:18).
Reflektim dhe Diskutim
- Ku e ke vënë re instiktin natyral për pavarësi te fëmijët?
- A pajtohesh me mendimin se pavarësia absolute ka anët e saj negative? Pse, ose pse jo?
- Cfarë mendon në lidhje më historinë e Uziahut? Lexo edhe pjesën tjetër të kapitullit 26 te 2 Kronikat dhe mundohu të shpjegosh gjykimin tënd mbi atë se si i ndodh këtij mbreti për shkak të vetëkënaqësisë së tepruar. A do të pranoje se edhe ti vetë ke rrezik të ndihesh zot absolut i vetes tënde? Në rast se po, cfarë duhet të bësh që të ruash drejpeshimin e duhur midis pavarësisë dhe varësisë, qoftë kjo varësi nga Perëndia, nga kolegët e punës apo nga familjarët? Fjalë të Urta 1:7, 1:20-33, 6:20-23, 13:10, 13-14; 2 Timoteut 3:16-17