Llojet Dhe Nivelet E Përkushtimit
Nga: Jim Mathis
Përkushtimi matet me nivele dhe ata ndryshojnë midis tyre. Analogjia ime e preferuar për të ilustruar ndryshimet bëhet me vezët dhe proshutën që përgatis në mëngjes. Për pulat që kanë bërë vezët mund të thuhet se ato janë “të përfshira” në këtë proçes, por për derrin, prej mishit të të cilit është prodhuar proshuta, nuk mjafton të thuhet se “është përfshirë”. Ai i është “përkushtuar” me gjithsej përgatitjes së mëngjesit tim!
Disa njerëz nuk janë në gjëndje të përkushtohen, kurse disa të tjerë e kanë të lehtë si përkushtimin ashtu edhe çpërkushtimin. Të tjerë akoma e kanë të ngadaltë këtë proces, por, në castin që përkushtohen, për ata nuk ka më kthim mbrapa. Në këtë grup e radhis veten time.
Vite më pare, bashkë me time shoqe bënim pjesë në një grup për studimin e Biblës. Takoheshim cdo të enjte mbrëma për shtatë vjet me radhë. Gjatë gjithë kësaj kohe mund të kemi munguar një ose dy herë për shkak se ishim me pushime. Grupi përbëhej prej gjashtë ciftesh, por rallë bëheshim më shumë se 12 vetë. Për mua ka qenë gjithmonë mister se si vallë disa e kishin të pamundur t’i përmbaheshin përkushtimit.
Arrita në përfundimin se njerëzit përkushtohen në mënyra të ndryshme. Disa i përkushtohen njerëzve të tjerë, kurse disa i përkushtohen ngjarjes. Për ne studimi i Biblës ishte i rëndësishëm, por mardhëniet njerëzore qenë primare. Kjo do të thotë se ne i ishim përkushtuar njerëzve, jo ngjarjes në vetvete. Nuk do ta kishim pasur të vështirë që t’i shmangeshim studimit, por ndjenim se nuk duhet t’i braktisnim kolegët, megjithëse disa prej tyre, me veprimet që bënin, tregonin se ne të dy nuk ishim edhe aq të rëndësishëm për ta.
I njëjti parim gjen zbatim edhe në mjedisin e biznesit. Ime shoqe dhe unë mund të përpiqemi që t’i përkushtohemi një aktiviteti, një produkti ose një shërbimi, por më shpesh ndjejmë se ne i përkushtohemi njerëzve të përfshirë në to. Kjo është arësyeja që kur ndodh të gjëndemi para ndonjë procedure apo projekti që nuk merr parasysh mardhëniet njerëzore, ne ndjehemi në siklet. Prandaj parapëlqejmë që të bëjmë biznes me njerëz që i duam dhe i respektojmë. Kompanitë më të suksesëshme e kuptojnë shumë mirë këtë. Ato së pari marrin në punë njerëzit që iu pëlqejnë dhe pastaj i trajnojnë këta njerëz. Nuk ndodh kurrë e kundërta.
Megjithatë disa kanë tendencën që t’i përkushtohen aktivitetit, veprimtarisë. Ja një testim i shpejtë: mendo sikur ti dhe një shoku yt planifikoni të bëni diçka sëbashku (të shkoni në kinema) dhe, për këtë, shokut tënd do t’i duhet që të anullojë një plan. Si do të veproje? Do vendosje të shkonje me ndonjë shok tjetër ose edhe vetëm apo do ta linje për një rast të dytë kur edhe shoku yt të ishte disponibël? Situatat janë të ndryshme, por secili nga ne i përket njërës prej këtyre dy kategorive të përkushtimit, ndaj aktivitetit në vetvete ose ndaj njerëzve.
Disa vjet më parë isha antar i bordit të një organizate jo fitimprurëse ku, me ndërgjegje të plotë, morëm një vendim për të qenë të përkushtuar jo ndaj veprimtarive, por ndaj njerëzve. Nuk jam në gjendje të them nëse arritëm ndonjë gjë të madhe, por mund të pohoj me plot gojën se ndiheshim shumë më të lumtur në mardhëniet me njerëzit.
Sidomos në periudha krize, njeriu e ka të nevojëshme të ndjejë dhe të kuptojë nivelin e përkushtimit të të tjerëve ndaj tij. Në Bibël thuhet: “Njeriu që ka shumë miq duhet të tregohet mik, por është një mik që është më i lidhur se një vëlla” (Fjalë të Urta 18:24).
Në shumicën e rasteve është e mjaftueshme të kesh miq me nivel përkushtimi si të atyre pulave që kontribuojnë për vezën tënde të mëngjesit, por nganjëherë lind nevoja të kesh dikë që vërtet të “bëhet theror” për ty.
Reflektim dhe Diskutim
- Si mund ta komentosh idenë e dy stileve të ndryshme të përkushtimit?
- Cili është stili yt?
- A të bezdis kur ke të bësh me njerëz që kanë nivel të ulët përkushtimi. A je zhgënjyer ndonjëherë prej njerëzve që nuk janë përkushtuar aq sa ty ose aq sa ke pritur prej tyre? Shpjegoji përgjigjet.
- Si mund ta zbërthesh kuptimin e vargut të mësipërm të cituar nga Fjalët e Urta? SHËNIM: Për më tepër në lidhje me këtë temë, mund t’i drejtoheni pasazheve të Biblës si më poshtë: 1 Samueli 19:1-7, 20:16-17; Fjalë të Urta 18:19, 27:10; Gjoni 2:23-25; Veprat e Apostujve 4:32-35