Mana e së hënës – 2011-03-14

· · 5 min lexim · Mana e së henës

SFIDA E TË RUAJTURIT TË QARTËSISË

Nga: Jim Mathis

Më pati bërë shumë përshtypje një pjesë komike, e cila kishte në qendër të saj një personazh që e kishte të vështirë të përqëndrohej në kryerjen e një detyre të caktuar. Duke hasur në dështime të njëpasnjëshme, ai nuk pushonte së ankuari se e kishte të pamundur të përqëndrohej mjaftueshëm.

Duket se është bërë përgjithësisht i vështirë përqëndrimi për një kohë të gjatë në një gjë të vetme. Shoqëria moderne po na e shkurton pareshtur kohën mesatare të përqëndrimit. Po t’i shikojmë me kujdes programet televizive dhe filmat, vemë re se sa shpejt lëvizin gjërat dhe se sa në mënyrë dinamike shpalosen dramat. Një reklamë televizive tipike jep mesazhe të shumta brenda pak sekondash. Preokupimi i reklama-bërësve është ky: Nëse nuk arrijmë të tërheqim menjëherë vëmëndjen e publikut, ai do ta drejtojë atë diku tjetër.

Sot ka shumë gjëra që konkurrojnë me njëra tjetrën për të thithur energjinë tonë mendore. Me internetin, mesazhet elekronike etj, është e habitëshme se si arrijmë të përqëndrohemi. Megjithatë një gjë është e qartë. Shumica e njerëzve që kanë bërë zbulimet e mëdha kanë qenë nga ata që kishin aftësinë të përqëndroheshin në një gjë të vetme derisa të arrinin qëllimin e tyre.

Sot, të arrish të kryesh disa detyra njëherësh, konsiderohet një aftësi tepër e veçantë. Në të vërtetë, të kryesh shumë detyra njëherësh do të thotë të mos i kushtosh asnjerës prej tyre njëqind për qind të kohës dhe energjive. Shumë aksidente – duke ngarë makinën , duke punuar me makineri të ndryshme ose edhe duke u kujdesur për fëmijën – ndodhin kur njerëzve iu shkëputet vëmendja ose kur përpiqen të bëjnë disa gjëra njëherësh. Por edhe kur nuk ndodh ndonjë fatkeqësi, vetë fakti që vëmendja shpërqëndrohet në shumë drejtime, të çon në punëra me rezultate të dobëta.

Pak vjet më parë vendosa që ta ngushtoj horizontin tim profesional. Më përpara e quaja veten fotograf, shkrimtar dhe muzikant. Duken shumë ndaj m’u desh të hiqja dorë nga përpjekjet për t’u “profesionalizuar” si kopështar, si lojtar golfi, si peshkatar ose si karpentier. Meqenë se brenda një dite kohën e kam të kufizuar, vendosa të përqëndrohesha në ato gjëra që i bëj më mirë duke njohur dhe ndjekur kështu thirrjen e Perëndisë.

Që atëhere e kam gjetur mënyrën që personi im dhe ajo ç’ka unë bëj të ndërveprojnë harmonishëm për të më mbajtur drejt objektivave themelorë të jetës. Në fund të fundit, edhe ne, ashtu si kamerat e thjeshta fotografike, nuk kemi “auto fokus” që të na i qartësojë gjërat automatikisht.

Egziston një parim i fortë shpirtëror që thekson dëshirën për të mbajtur një kurs të qartë, pavarësisht shmangieve që na nxjerr përpara jeta. Në Testamentin e Ri të Biblës na thuhet, “Dhe çdo gjë që bëni, me fjalë a me vepër, t’i bëni në emër të Zotit Jezus…. Dhe çdo gjë që bëni, ta bëni me dëshirë të mirë, si për Zotin…. Sepse ju i shërbeni Krishtit, Zotit” (Kolosjanëve 3:17, 23).

Po të shohim veprën krijuese të Zotit, ajo që bie në sy është se Ai nuk ka bërë asgjë gjysmake. Çdo gjë e bën në mënyrë të përkryer. Ne duhet të përpiqemi të bëjmë si Ai. Në biznes, në martesë, në rritjen e fëmijëve e kudo duhet të kemi fokusim të qartë duke u kujdesur që gjithçka që bëjmë brenda një kohe të caktuar, ta bëjmë me vëmendje dhe përkushtim të plotë.

Reflektim dhe Diskutim

1. Ç’mendon në lidhje me “multi-tasking,” kryerja e disa detyrave njëherësh? Disa mburren se e bëjnë një gjë të tillë dhe iu duket vetja më efektivë dhe më efikasë se të tjerët. A je njëri prej tyre? Shpjegoje përgjigjen.

2. Cilat janë gjërat që ta tërheqin më shumë vëmendjen. A mendon se mund të gjesh ekuilibrin e duhur midis tyre? Pse, ose pse jo?

3. Çfarë mendon për vendimin që ka marrë autori I këtij shkrimi për ta ngushtuar fokusin e tij në profesion dhe në jetë. A të ka ndodhur ty një gjë e tillë ose, a mendon se kjo është dicka e dobishme edhe për ty?

4. Çfarë nënkupton për ty pasazhi i Biblës , “Dhe çdo gjë që bëni, ta bëni me deshirë të mirë, si për Zotin…”? Si do ta zbatoje atë në praktikë?

Fjalë të Urta 12:11, 12:24, 18:9, 19:2, 21:5, 24:27; 1 Thesalonikasve 4:11; Titusi 3:1


Lexo gjithashtu:

Ndaje:
>
Scroll to Top