PROBLEMI I TË QËNIT PA PROBLEME
Nga: Robert J. Tamasy
Sa shumë do të deshe që të kishe një javë pa probleme ose pa sfida të rëndësishme? Ose të paktën një ditë të vetme? S’ka ditë që të zgjohemi në mëngjes dhe të mos na dalë ndonjë problem. Mund të zgjohemi jo mirë me shëndet . Duke shkuar për në punë fillon shiu, por ti kujtohesh që e ke lënë çadrën në shtëpi. Fillon punën me mendimin që e ke vënë atë përpara dhe gjithçka do t’a përfundosh para afatit kur, papritur, merr vesh se një koleg nuk e ka mbaruar pjesën e tij, pa të cilën ti nuk e përfundon dot tënden.
Duket sikur disa prej ditëve janë krijuar enkas për të afirmuar të ashtuquajturin “Ligj të Mërfit”: “Gjithçka që mund të shkojë keq, keq do të shkojë.” Po pse ndodh kështu? Pse nuk mund të kemi luksin e shijimit të një dite pa probleme?
Ka një përgjigje të thjeshtë: Ne jemi njerëz dhe gabimet janë pjesë e “programit” të njerëzve. Problemet janë të pashmangshëm në botën e shpërfytyruar dhe të paparashikueshme në të cilën jetojmë. Por, ndoshta ka edhe një arësye më të madhe që shkaktohen probleme sepse, nganjëherë, ato janë pjesë e një proçesi të dobishëm.
Të marrim shembuj që na i ofron natyra: Në mënyrë instiktive larva krijon një mbështjellëse, por transformimi i saj në flutur bëhet duke u përballur me një “problem ” që lidhet me perpjekjet e saj për të dalë nga mbështjellsja. Druri më i mire, siç thonë druvarët, është ai që rritet në kushte të vështira atmosferike, të cilët përbëjnë “problemin” që duhet të përballojë druri për t’u zhvilluar, vërtet ngadalë, por i fortë e cilësor.
Në vendet ku punojmë, shumë prej nesh kanë zbuluar faktin e njohur se ne mësojmë më shumë nga dështimet se sa nga sukseset. Në cdo rast është më e lehtë të përcaktohen arësyet e dështimit se sa ato të suksesit: “Nuk u përpoqa sa duhet.” ” Më shpëtoi filan detaj.” “Nënvleftësova konkurrencën (ose e mbivlerësova atë duke mos e marketuar sa duhet produktin tim në treg).” Kurse, në rastet kur kemi korrur ndonjë sukses, nuk e gjejmë dot lehtë nëse na ka buzëqeshur fati, nëse, thjesht, jemi ndodhur në vendin e duhur në kohën e duhur apo ka pasur arësye të tjera që kanë qenë jashtë kontrollit tonë.
Megjithëse në procesin e përballimit të problemeve mund të ndihesh i përulur, madje i fyer, problemet ndihmojnë për të forcuar karakterin. Në Testamentin e Ri të Biblës, te Romakëve 12:3, lexojmë: “Mos e vlerësoni veten më shumë nga ç’duhet.” Kur përballemi me probleme, atëhere njohim edhe kufizimet tona. Ato na bëjnë të ndryshojmë mendimin që kemi patur në lidhje me aftësitë tona për vetveprim dhe vetëmjafueshmëri. Kur hasim në probleme shëndeti e financiare, kur japim e marrim pa dobi për të vendosur për dicka të rëndësishme ose kur përpiqemi të kryejmë detyra që janë mbi kapacitetin tonë, atëhere e kuptojmë se na duhet ndihmë. Vetëm nuk ia dalim dot. Prandaj, teksa ke përpara probleme të ndërlikuara, ki parasysh sa më poshtë:
Problemet duhen parë në mënyrë pozitive. Në vend që të ankohemi për problemet, ne duhet t’i pranojmë ato dhe të gjejmë se si mund t’i shfrytëzojmë në të mirën tonë. “…lumturohemi edhe në vuajtje sepse dimë që vuajtjet prodhojnë qëndrueshmëri, qëndrueshmëria, karakter; dhe karakteri, shpresë.” (Romakëve 5:3-4).
Problemet i japin vlerë punës në grup. Disa kuaj sëbashku tërheqin më shumë se një kalë i vetëm. Edhe për zgjidhjen e problemeve mund të bëjmë më shumë në grup se sa të vetëm.. “Një i vetëm mund të mposhtet, dy vetë mund të rezistojnë. Një litar tresh nuk këputej kollaj” (Predikuesit 4:12).
Problemet na orientojnë kah Perëndia. E kemi të lehtë, bëjmë gjithshçka kur nuk ka probleme, por kur ato nxjerrin kokën, atëhere i kuptojmë kufizimet tona. Pikërisht atëhere kujtohemi se duhet të kërkojmë ndihmën e Zotit. “Hiri im të mjafton sepse fuqia ime përsoset në dobësi” (2 Korintasve 12:9).
Reflektim dhe Diskutim
1. Si reagon kur papritmas të çfaqet ndonjë problem?
2. Kur ka qenë periudha më e gjatë në të cilën nuk ke pasur asnjë shqetësim ose problem? Si të duket ajo kohë?
3. A pajtohesh me mendimin se ne jemi në gjëndje t’i shohim problemet nën një këndvështrim pozitiv dhe t’i konsiderojmë se janë për të mirën tonë? Pse, ose pse jo?
4. A e ke kuptuar se nëpërmjet problemeve afrohesh më shumë me Perëndinë? Shpjegoje përgjigjen.
SHËNIM: Në qoftë se e ke Biblën dhe do të deshe të lexoje pasazhe të tjerë në lidhje me këtë temë, referoju vargjeve si më poshtë: Fjalë të Urta 13:24, 16:18, 18:12; 2 Korintasve 12:7-10; Hebrejve12:4-13; Jakobi 1:2-4