Ezekiel

1 2 3 4 5 6 7 8 9 10 11 12 13 14 15 16 17 18 19 20 21 22 23 24 25 26 27 28 29 30 31 32 33 34 35 36 37 38 39 40 41 42 43 44 45 46 47 48

Kapitull 36

1 "Ti bir njeriu, profetizo u maleve të Izraelit dhe u thuaj: O male të Izraelit, dëgjoni fjalët e Zotit.
2 Kështu thotë Zoti, Zoti: Duke qenë se armiku ka thënë për ju: "Ah, ah! Kodrat e përjetshme janë bërë prona jonë", profetizo dhe thuaj:
3 Kështu thotë Zoti, Zoti: Po, duke qenë se kanë dashur t'ju shkretojnë dhe t'ju gllabërojnë nga çdo anë që të bëheni një zotërim i mbetjes së kombeve dhe duke qenë se keni qenë objekt i bisedave të gjuhëve të këqia dhe i shpifjeve të njerëzisë",
4 prandaj, o male të Izraelit, dëgjoni fjalën e Zotit, të Zotit. Kështu thotë Zoti, Zoti, maleve dhe qafave, përroskave dhe luginave, vendeve të shkatërruara dhe të shkretuara dhe qyteteve të braktisura që janë bërë pre dhe objekt përçmimi nga kombet që ndodhen rreth e qark.
5 Prandaj kështu thotë Zoti, Zoti: "Po, në zjarrin e xhelozisë sime unë flas kundër kusurit të kombeve dhe kundër tërë Edomit që e kanë shtënë në dorë vendim tim me gjithë gëzimin e zemrës dhe përçmimin e shpirtit, për ta përzënë si një pre.
6 Prandaj profetizo tokës së Izraelit, u thuaj maleve dhe kodrave, përroskave dhe luginave: Kështu thotë Zoti, Zoti: Ja, unë fola në xhelozinë time dhe në tërbinin tim, sepse ju keni sjellë turpin e kombeve".
7 Prandaj kështu thotë Zoti, Zoti: "Unë ngrita dorën për betim; kombet që më rrethojnë do të sjellin edhe ata turpin e tyre.
8 Por ju, o male të Izraelit, do të keni degët tuaja dhe do të mbani frytet tuaja për popullin tim të Izraelit; po, ai është duke u kthyer.
9 Sepse ja, unë jam për ju, do të kthehem nga ju dhe ju do të punoheni dhe do të mbilleni.
10 Do t'i shumoj mbi ju njerëzit, tërë shtëpinë e Izraelit; qytetet do të banohen dhe gërmadhat do të rindërtohen.
11 Do të shumoj mbi ju njerëzit dhe kafshët; do të shumohen dhe do të jenë pjellorë. Do të bëj që të banoheni si në kohrat e kaluara, dhe do t'ju bëj më tepër të mira se sa në fillimet tuaja; atëherë do të pranoni që unë jam Zoti.
12 Po, do të bëj të ecin mbi ju njerëz, popullin tim të Izraelit; ata do t'ju zotërojnë dhe ju do të jeni trashëgimia e tyre dhe nuk do t'u hiqni më bijtë e tyre".
13 Kështu thotë Zoti, Zoti: "Duke qenë se ju thonë: "Je një vend që ka gëlltitur njerëz dhe që ke privuar kombin tënd nga bijtë",
14 prandaj nuk do të gëlltitësh më njerëz dhe nuk do ta privosh kombin tënd nga bijtë", thotë Zoti, Zoti.
15 "Do ta bëj që të mos dëgjosh më talljet e kombeve dhe ti nuk do të mbash më turpin e popujve dhe nuk do ta bësh kombin tënd të rrëzohet", thotë Zoti, Zoti.
16 Fjala e Zotit m'u drejtua përsëri, duke thënë:
17 "Bir njeriu, kur ata të shtëpisë së Izraelit banonin në vendin e tyre, e ndotnin me sjelljen e tyre dhe me veprimet e tyre; sjellja e tyre para meje ishte si papastërtia e gruas gjatë ciklit të saj muajor.
18 Prandaj hodha mbi ta zemërimin tim për gjakun që kishin derdhur mbi vendin dhe për idhujt me të cilët e kishin ndotur.
19 Kështu i shpërndava ndër kombet dhe shkuan në të gjitha drejtimet nëpër tërë vendet; i gjykova sipas sjelljes së tyre dhe veprimeve të tyre.
20 Me të arritur te kombet ku kishin shkuar, e përdhosën emrin tim të shënjtë, sepse për ata thuhej: "Këta janë populli i Zotit, por megjithatë u është dashur të dalin nga vendi i tij".
21 Kështu pata kujdes për emrin tim të shenjtë që shtëpia e Izraelit kishte përdhosur midis kombeve ku kishte shkuar.
22 Prandaj i thuaj shtëpisë së Izraelit: Kështu thotë Zoti, Zoti: Unë veproj kështu jo për shkakun tuaj, o shtëpi e Izraelit, por për hir të emrit tim të shenjtë që ju keni përdhosur midis kombeve ku keni shkuar.
23 Unë do ta shenjtëroj emrin tim të madh, të përdhosur midis kombeve, që ju e keni përdhosur në mes të tyre. Kombet do të pranojnë që unë jam Zoti", thotë Zoti, Zoti, "kur të shenjtërohem tek ju, para syve të tyre.
24 Do t'ju marr nga kombet, do t'ju grumbulloj nga tërë vendet dhe do t'ju çoj përsëri në vendin tuaj.
25 Do të lëshoj pastaj ujë të pastër mbi ju dhe do të jeni të pastër; do t'ju pastroj nga të gjitha ndyrësirat tuaja dhe nga të gjithë idhujt tuaj.
26 Do t'ju jap një zemër të re dhe do të shtie brenda jush një shpirt të ri; do të heq nga mishi juaj zemrën prej guri dhe do t'ju jap zemër prej mishi.
27 Do të vë brenda jush Shpirtin tim dhe do të bëj që ju të ecni sipas statuteve të mia, dhe ju do të respektoni dhe do të zbatoni në praktikë dekretet e mia.
28 Do të banoni në vendin që u dhashë etërve tuaj; ju do të jeni populli im dhe unë do të jem Perëndia juaj.
29 Do t'ju çliroj nga të gjitha ndyrësirat tuaja; do të thërres grurin, do të bëj që të ketë me bollëk dhe nuk do dërgoj më urinë kundër jush.
30 Do të shumoj frytin e drurëve dhe prodhimin e arave, me qëllim që të mos pësoni më turpin e urisë midis kombeve.
31 Atëherë do të kujtoni rrugët tuaja të këqia dhe veprimet tuaja që nuk ishin të mira dhe do të bëheni të neveritshëm për vetë sytë tuaj, për paudhësitë tuaja dhe për veprimet tuaja të neveritshme.
32 Nuk është për hatrin tuaj që unë veproj", thotë Zoti, Zoti, "dijeni mirë këtë. Turp të keni dhe qofshi të hutuar për shkak të rrugëve tuaja, o shtëpi e Izraelit".
33 Kështu thotë Zoti Zoti: "Ditën kur unë do t'ju pastroj nga të gjitha paudhësitë tuaja, do t'ju bëj të banoni në qytete, dhe gërmadhat do të rindërtohen.
34 Toka e shkretuar do të punohet, në vend që të jetë një shkreti në sytë e të gjithë kalimtarëve.
35 Dhe do të thonë: "Kjo tokë që ishte e shkretuar është bërë si kopshti i Edenit, dhe qytetet e shkatërruara, të shkretuara dhe të rrënuara tani janë të fortifikuara dhe të banuara".
36 Atëherë kombet që do të kenë mbetur rreth e qark jush do të pranojnë që unë, Zoti, kam rindërtuar vendet e shkatërruara dhe kam mbjellë tokën që ishte shkretuar. Unë, Zoti fola dhe do ta kryej".
37 Kështu thotë Zoti, Zoti: "Do të jem sërisht i lutur nga shtëpia e Izraelit ta kryej këtë për ta: Unë do t'i shumoj njerëzit e tyre si një kope.
38 Si një kope dhënsh të shenjtëruara, si kopeja e Jeruzalemit në festat e tij solemne, kështu qytetet e shkatërruara do të mbushen me kope njerëzish. Atëherë do të pranojnë që unë jam Zoti".