Ezekiel

1 2 3 4 5 6 7 8 9 10 11 12 13 14 15 16 17 18 19 20 21 22 23 24 25 26 27 28 29 30 31 32 33 34 35 36 37 38 39 40 41 42 43 44 45 46 47 48

Kapitull 22

1 Fjala e Zotit m'u drejtua, duke thënë:
2 "Tani, bir njeriu, nuk do të gjykosh ti, nuk do ta gjykosh qytetin gjakatar? Bëji, pra, të njohura të gjitha veprimet e tij të neveritshme.
3 Pastaj thuaj: Kështu thotë Zoti, Zoti: Qyteti derdh gjak në mes të tij për të sjellë kohën e tij; përveç kësaj bën idhuj kundër vetvetes për t'u ndotur.
4 Për gjakun që ke derdhur je bërë fajtor dhe je ndotur për idhujt që ke sajuar. Ke afruar ditët e tua dhe ke arritur në fund të viteve të tua; prandaj do të të bëj turpin e kombeve dhe objekt talljeje për të gjitha vendet.
5 Ata që janë afër dhe ata që janë larg teje do të tallen me ty o i molepsur për lavdi dhe plot çrregullim.
6 Ja princat e Izraelit: secili ka përdorur pushtetin e tij për të derdhur gjak te ti.
7 Te ti përçmohet ati dhe nëna, në mes teje shtypet i huaji, te ti keqtrajtohet jetimi dhe e veja.
8 Ti ke përçmar gjërat e mia të shtrënjta dhe ke përdhour të shtunat e mia.
9 Te ti ka njerëz që shpifin për të derdhur gjak, te ti ka njerëz që hanë mbi male, në mes teje ka njerëz që kryejnë kobe.
10 Te ti zbulohet lakuriqësia e atit, te ti poshtërohet gruaja gjatë papastërtisë së saj.
11 Dikush kryen një veprim të neveritshëm me gruan e të afërmit të tij, dikush tjetër ndot me incest nusen e të birit, një tjetër akoma poshtëron motrën e tij, bijën e atit të tij.
12 Te ti pranohen dhurata për të derdhur gjak; ti kërkon kamatë të lartë, ti ke realizuar fitime nga i afërti dhe më ke harruar mua", thotë Zoti, Zoti.
13 "Por ja, unë rrah duart për fitimin e pandershëm që ke nxjerrë dhe për gjakun e derdhur që është në mes teje.
14 A do të mund të qëndrojë zemra jote ose a do të mund të qëndrojnë të forta duart e tua në ditët kur unë do të veproj kundër teje? Unë, Zoti, fola dhe do ta kryej.
15 Unë do të të shpërndaj midis kombeve, do të të shkapërdaj midis vendeve dhe do të eleminoj papastërtinë tënde prej teje.
16 Ti do të përdhosësh vetveten në sytë e kombeve dhe do të pranosh që unë jam Zoti".
17 Fjala e Zotit m'u drejtua, duke thënë:
18 "Bir njeriu, shtëpia e Izraelit është bërë për mua tërë skorje: janë të gjithë bronz, kallaj, hekur dhe plumb në mes të një furre; janë bërë skorje argjëndi".
19 Prandaj kështu thotë Zoti, Zoti: "Duke qenë se të gjithë ju jeni bërë skorje të shumta, ja, unë do t'ju mbledh në mes të Jeruzalemit.
20 Ashtu si mblidhet argjëndi, bronzi, hekuri, plumbi dhe kallaji në mes të furrës dhe mbi ta i fryjnë zjarrit për t'i shkrirë, kështu në zemërimin tim dhe në tërbimin tim do t'ju mbledh, do t'ju fus atje dhe do t'ju shkrij.
21 Do t'ju mbledh dhe do të fryj mbi ju me zjarrin e zemërimit tim dhe ju do të shkriheni në mes të tij.
22 Ashtu si shkrihet argjendi në mes të furrës, kështu dhe ju do të shkriheni në mes të qytetit; dhe do të pranoni që unë, Zoti, kam derdhur mbi ju tërbimin tim".
23 Fjala e Zotit m'u drejtua përsëri, duke thënë:
24 "Bir njeriu, i thuaj Jeruzalemit: Ti je një tokë që nuk është pastruar ose lagur nga shiu në një ditë indinjate.
25 Komploti i profetëve të tij në mes të tij është si një luan që ulërin dhe shqyen gjahun, ata i gllabërojnë njerëzit, përvetësojnë thesaret dhe gjërat e çmueshme, shtojnë të vejat në mes të tij.
26 Priftërinjtë e tij shkelin ligjin tim dhe përdhosin gjërat e mia të shenjta, nuk bëjnë dallim midis asaj që është e shenjtë dhe jo e shenjtë, nuk e bëjnë të njohur ndryshimin ndërmjet të papastrës dhe të pastrës dhe i largojnë sytë nga të shtunat e mia, prandaj jam përdhosur në mes tyre.
27 Krerët e tij në mes të tij janë si ujqër që shqyejnë gjahun për të derdhur gjak, për të shkatërruar shpirtëra, për të realizuar një fitim jo të drejtë.
28 Profetët e tij suvatojnë për ata me llaç që nuk mban, duke pasur vegime të rreme dhe duke shqiptuar shortari të gënjeshtërta për ta, dhe thonë: "Kështu thotë Zoti, Zoti", ndërsa Zoti nuk ka folur.
29 Populli i vendit ushtron shtypjen, kryen grabitje, keqtrajton të varfërin dhe nevojtarin, shtyp të huajin duke marrë nëpër këmbë drejtësinë.
30 Unë kërkova midis tyre një burrë që të ndërtonte një mur dhe t'i dilte për zot vendit, që unë të mos e shkatërroja, por nuk e gjeta.
31 Prandaj do të derdh mbi ta indinjatën time, do t'i konsumoj me zjarrin e zemërimit tim dhe do të bëj që të bjerë mbi kryet e tyre sjellja e tyre", thotë Zoti, Zoti.