Isaia
Kapitull 29
1 Mjerë Arieli, Arieli, qytet ku fushoi Davidi! I shtoni vit vitit, festat le të plotësojnë ciklin e tyre.
2 Pastaj do ta hedh Arielin në ankth; do të ketë ankim dhe rënkime dhe për mua do të jetë si një Ariel.
3 Unë do të fushoj kundër teje rreth e qark, do të të rrethoj me një ledh dhe do të ngre bastione kundër teje.
4 Do të ulesh, do të flasësh nga toka dhe fjala jote do të dalë e mbytur nga pluhuri; zëri yt do të ngjitet nga toka si ai i një mediumi dhe fjala jote do të pëshpëritë nga pluhuri.
5 Turma e armiqve të tu do të jetë si pluhur i hollë dhe turma e të fuqishmëve si byk i shpërndarë; dhe kjo ka për të ndodhur papritmas, në një çast.
6 Ti do të vizitohesh nga Zoti i ushtrive me gjëmime, tërmete dhe zhurma të mëdha, me shakullima dhe flakë zjarri përvëlues.
7 Moria e të gjitha kombeve që luftojnë kundër Arielit, e të gjitha atyre që e luftojnë atë dhe fortesën e tij dhe e shtrëngojnë rreth e qark do të jetë si një ëndërr, si një vegim nate.
8 Ka për të ndodhur ashtu si kur një i uritur që ëndërron të hajë, por kur zgjohet e ka stomakun bosh, apo si kur një i etur ëndërron të pijë, por kur zgjohet është i lodhur dhe e ka grykën të tharë; kështu ka për të ndodhur me morinë e të gjitha kombeve që luftojnë kundër malit të Sionit.
9 Ndaluni dhe habituni. Braktisjuni qejfeve dhe pastaj shikoni rreth e rrotull të trembur. Këta janë të dehur, por jo nga vera; u merren këmbët, por jo për pasojë të pijeve dehëse.
10 Në fakt Zoti ka shpërndarë mbi ju një frymë topitjeje; ka mbyllur sytë tuaja, profetët, ka mbuluar me vel krerët tuaj, shikuesit.
11 Çdo vegim profetik është bërë për ju si fjalët e një libri të vulosur që i jepet dikujt që di të lexojë; duke i thënë: "Të lutem, lexoje, këtë!", por ai përgjigjet: "Nuk mundem, sepse është i vulosur!".
12 Ose si një libër që i jepet dikujt që nuk di të lexojë, duke i thënë: "Të lutem, lexoje këtë!", por ai përgjigjet: "Nuk di të lexoj".
13 Prandaj Zoti thotë: "Me qenë se ky popull më afrohet mua vetëm me gojën dhe më nderon me buzët e tij, ndërsa zemra e tij më rri larg dhe frika e tij ndaj meje është vetëm një urdhërim i mësuar nga njerëzit,
14 prandaj, ja, unë do të vazhdoj të bëj mrekulli në mes të këtij populli, po, mrekulli dhe çudi: dituria e njerëzve të tij të urtë do të shuhet dhe zgjuarësia e të mënçurve të tij do të zhduket".
15 Mjerë ata që shkojnë në vende të thella për t'ia fshehur Zotit planet e tyre, që i bëjnë veprat e tyre në terr dhe thonë: "Kush na sheh? Kush na njeh?"
16 I keni përmbysur plotësisht gjërat. A mund të konsiderohet poçari i barabartë me argjilën? A mundet vepra t'i thotë atij që e ka bërë: "Nuk më ka bërë ai"?, ose gjëja e formuar t'i thotë atij që e ka formuar: "Nuk ka zgjuarësi"?
17 Brenda një kohe shumë të shkurtër dhe Libani do të shndërrohet në një pemishte, dhe pemishtja do të konsiderohet si një pyll.
18 Të shurdhët do të kuptojnë atë ditë fjalët e librit dhe, të çliruar nga errësira dhe terri, sytë e të verbërve kanë për të parë.
19 Të përulurit do të mund të gëzojnë akoma te Zoti dhe të varfërit e njerëzimit do të ngazëllohen tek i Shenjti i Izraelit.
20 Sepse tirani do të jetë zhdukur, tallësi do të jetë shkatërruar, dhe do të jenë shfarosur tërë ata që kurdisin paudhësi,
21 që dënojnë një njeri për një fjalë, që i kurdisin kurthe atij që gjykon te porta, që prishin të drejtën e të drejtit për asgjë.
22 Prandaj kështu i thotë shtëpisë së Jakobit Zoti që shpengoi Abrahamin: "Tani e tutje Jakobi nuk do të turpërohet më dhe fytyra e tij nuk do të zverdhet më;
23 por kur do të shohë bijtë e tij, veprën e duarve të mia në mes të tij, ata do të shenjtërojnë emrin tim, do të shenjtërojnë të Shenjtin e Jakobit dhe do të kenë frikë nga Perëndia i Izraelit.
24 Ata që kanë frymë të përdalë do të arrijnë të kenë gjykim dhe murmuruesit do të mësojnë doktrinën e shëndoshë".