Jobi

1 2 3 4 5 6 7 8 9 10 11 12 13 14 15 16 17 18 19 20 21 22 23 24 25 26 27 28 29 30 31 32 33 34 35 36 37 38 39 40 41 42

Kapitull 40

1 Zoti vazhdoi t'i përgjigjet Jobit dhe tha:
2 "Ai që kundërshton të Plotfuqishmin, a dëshiron vallë ta korrigjojë? Ai që qorton Perëndinë, t'i përgjigjet kësaj pyetjeje".
3 Atëherë Jobi iu përgjigj Zotit dhe i tha:
4 "Ja, jam shpirtvogël, çfarë mund të të përgjigjem? E vë dorën mbi gojën time.
5 Kam folur një herë, por nuk do të flas më; po, dy herë, por nuk do të shtoj asgjë".
6 Atëherë Zoti iu përgjigj Jobit në mes të furtunës dhe i tha:
7 "Çohu, ngjishe brezin si një trim; unë do të të pyes dhe ti do të më përgjigjesh.
8 A dëshiron pikërisht të anulosh gjykimin tim, të më dënosh mua për të justifikuar vetveten?
9 A ke ti një krah si ai i Perëndisë dhe a mund të të gjëmojë zëri sa zëri i tij?
10 Stolisu, pra, me madhështi dhe madhëri, vishu me lavdi dhe me shkëlqim.
11 Jepu rrugë tërbimeve të zemërimit tënd; shiko tërë mendjemëdhenjtë dhe uli,
12 shiko tërë kryelartët dhe poshtëroji, dhe shtypi njerëzit e këqij kudo që të ndodhen.
13 Varrosi të tërë në pluhur, mbylli në vende të fshehta.
14 Atëherë edhe unë do të lëvdoj, sepse dora jote e djathtë të ka siguruar fitore.
15 Shiko behemothin që e kam bërë njëlloj si ti; ai ha barin si kau.
16 Ja, forca e tij qëndron në ijet dhe fuqia e tij në muskujt e barkut të tij.
17 E lëkund bishtin e tij si një kedër; nervat e kofshëve të tij janë të thurura mirë.
18 Kockat e tij janë si tuba prej bronzi; kockat e tij janë si shufra hekuri.
19 Ai është e para nga veprat e Perëndisë; vetëm ai që e bëri mund t'i afrohet atij me shpatën e tij.
20 Ndonëse malet prodhojnë ushqim për të, dhe aty tërë kafshët e fushave dëfrehen,
21 ai shtrihet nën bimët e lotusit, në vende të fshehura në kallamishte dhe në moçale.
22 Bimët e lotusit e mbulojnë me hijen e tyre, shelgjet e përroit e rrethojnë.
23 Lumi mund të dalë nga shtrati i tij, por ai nuk ka frikë; është i sigurt nga vetja e tij, edhe sikur Jordani të sulej kundër gojës së tij.
24 Kush, pra, mund ta zërë nga sytë apo t'i shpojë flegrat e hundës me gremça?