Numrat

1 2 3 4 5 6 7 8 9 10 11 12 13 14 15 16 17 18 19 20 21 22 23 24 25 26 27 28 29 30 31 32 33 34 35 36

Kapitull 23

1 Pastaj Balaami i tha Balakut: "Më ndërto këtu shtatë altarë dhe më përgatit këtu shtatë dema dhe shtatë desh".
2 Balaku bëri ashtu siç i kishte thënë Balaami, pastaj Balaku dhe Balaami ofruan një dem të vogël dhe një dash mbi secilin altar.
3 Pastaj Balaami i tha Balakut: "Qëndro pranë olokaustit tënd dhe unë do të shkoj; ndofta Zoti do të vijë të takohet me mua; dhe atë që ka për të më treguar do të ta njoftoj". Kështu ai shkoi në një bregore të zhveshur.
4 Dhe Perëndia i doli përpara Balaamit, dhe Balaami i tha: "Unë kam përgatitur shtatë altarë dhe kam ofruar nga një dem të vogël dhe nga një dash për çdo altar".
5 Atëherë Zoti i vuri një mesazh në gojë Balaamit dhe i tha: "Kthehu te Balaku dhe foli kështu".
6 U kthye tek ai, dhe ja, ai qëndronte pranë olokaustit, ai dhe të gjithë prijësit e Moabit.
7 Atëherë Balaami shqiptoi orakullin e tij dhe tha: "Balaku, mbret i Moabit, më ka sjellë nga Arami, nga malet e Lindjes: "Eja, mallko për mua Jakobin, eja dhe padit Izraelin!".
8 Si mund të mallkoj atë që Zoti nuk e ka mallkuar? Si mund të padis atë që Zoti nuk e ka paditur?
9 Unë e shoh nga maja e shkëmbinjve dhe e sodis nga lartësitë; ja, është një popull që qëndron vetëm dhe nuk është përfshirë në gjirin e kombeve.
10 Kush mund të llogarisë pluhurin e Jakobit apo të numërojë çerekun e Izraelit? Vdeksha unë si njerëzit e drejtë dhe qoftë fundi im i njëllojtë me atë të tyren!".
11 Atëherë Balaku i tha Balaamit: "Ç'më bëre? Të mora që të mallkosh armiqtë e mi, kurse ti i bekove me të madhe".
12 Por ai u përgjigj dhe tha: "A nuk duhet të kujdesem unë të them me të shpejtë atë që Zoti më vë në gojë?".
13 Pastaj Balaku i tha: "Eja, pra, me mua në një vend tjetër, prej ku mund ta shikosh, megjithëse ke për të parë vetëm skajin e tij dhe nuk e ke për ta parë të tërë, dhe që andej do ta mallkosh për mua".
14 Kështu e çoi në kampin e Tsofimit, në majë të Pisgahut; aty ndërtoi shtatë altarë dhe ofroi një dem të vogël dhe një dash mbi çdo altar.
15 Balaami i tha pastaj Balakut: "Qëndro këtu pranë olokaustit tënd dhe unë do të shkoj të takohem me Zotin atje lart".
16 Dhe Zoti i doli përpara Balaamit, i vuri një mesazh në gojë dhe i tha: "Kthehu te Balaku dhe foli kështu".
17 Kështu u kthye tek ai, dhe ja, që ai rrinte pranë olokaustit të tij me prijësit e Moabit. Balaku i tha: "Çfarë ka thënë Zoti?".
18 Atëherë Balaami shqiptoi orakullin e tij dhe tha: "Çohu, Balak, dhe dëgjo! Rri veshngrehur, bir i Tsiporit!
19 Perëndia nuk është një njeri, që mund të gënjejë, as edhe bir njeriu që mund të pendohet. Kur ka thënë një gjë, nuk do ta bëjë? Ose kur ka shpallur një gjë, nuk do ta kryejë?
20 Ja, unë mora urdhrin që të bekoj; po, ai ka bekuar dhe unë nuk do ta heq bekimin e tij.
21 Ai nuk ka vërejtur paudhësi te Jakobi dhe nuk ka parë përdhosje tek Izraeli. Zoti, Perëndia i tij, është me të, dhe klithma e një mbreti është midis tyre.
22 Perëndia, që e nxori nga Egjipti, është për të si brirët e fuqishëm të buallit.
23 Nuk ka magji kundër Jakobit, nuk ka shortari kundër Izraelit. Tani duhet të themi ç'ka bërë Perëndia me Jakobin dhe Izraelin.
24 Ja, një popull do të ngrihet si një luaneshë dhe si një luan; dhe nuk do të mblidhet para se të ketë gëlltitur prenë dhe të ketë pirë gjakun e atyre që ka vrarë".
25 Atëherë Balaku i tha Balaamit: "Mos e mallko aspak, por as mos e beko".
26 Por Balaami iu përgjigj dhe i tha Balakut: "A nuk të kam thënë vallë që unë do të bëj tërë ato që do të thoshte Zoti?".
27 Pastaj Balaku i tha Balaamit: "Eja me mua, unë do të të çoj në një vend tjetër; ndofta do t'i pëlqejë Perëndisë që ti ta mallkosh për mua që andej".
28 Kështu Balaku e çoi Balaamin në majë të Peorit, që sundon shkretëtirën.
29 Dhe Balaami i tha Balakut: "Më ndërto këtu shtatë altarë dhe më përgatit këtu shtatë dema të vegjël dhe shtatë desh".
30 Dhe Balaku bëri ashtu siç i kishte thënë Balaami, dhe ofroi një dem të vogël dhe një dash mbi çdo altar.