Numrat
Kapitull 22
1 Pastaj bijtë e Izraelit u nisën dhe ngritën kampin e tyre në fushat e Moabit, matanë Jordanit, në bregun e kundërt të Jerikos.
2 Por Balaku, bir i Tsiporit, pa të gjitha ato që Izraeli u kishte bërë Amorejve;
3 dhe Moabi pati një frikë të madhe nga ky popull, që ishte kaq i madh; Moabin e zuri një frikë e madhe për shkak të bijve të Izraelit.
4 Kështu Moabi u tha pleqve të Madianit: "Tani kjo turmë do të gllabërojë gjithçka që kemi rreth nesh, ashtu si kau përlan barin e fushave". Balaku, bir i Tsiporit, ishte në atë kohë mbreti i Moabit.
5 Ai i dërgoi lajmëtarë Balaamit, birit të Beorit, në Pethori që është pranë Lumit, në vendin e bijve të popullit të tij, për ta thirrur dhe për t'i thënë: "Ja, një popull ka dalë nga Egjipti; ai mbulon faqen e dheut dhe është vendosur përballë meje.
6 Eja, pra, të lutem, dhe mallkoje për mua këtë popull, sepse është tepër i fuqishëm për mua; ndofta do t'ia dal ta mund dhe ta dëboj nga vendi im; sepse unë e di mirë që ai që ti bekon është i bekuar dhe ai që ti mallkon është i mallkuar".
7 Atëherë pleqtë e Moabit dhe pleqtë e Madianit u nisën duke mbajtur në dorë shpërblimin e shortarit dhe, kur arritën te Balaami, i treguan fjalët e Balakut.
8 Por Balaami u tha atyre: "Kalojeni natën këtu dhe do t'ju njoftoj përgjigjen që Zoti do të më japë". Kështu princët e Moabit mbetën me Balaamin.
9 Atëherë Perëndia i shkoi Balaamit dhe i tha: "Ç'janë këta njerëz që janë me ty?".
10 Dhe Balaami iu përgjegj Perëndisë: "Balaku, bir i Tsiporit, mbret i Moabit, më ka çuar fjalë:
11 "Ja, populli që ka dalë nga Egjipti mbulon faqen e dheut; prandaj eja dhe mallkoje për mua; ndofta do t'ia dal ta mund dhe ta dëboj"".
12 Dhe Perëndia i tha Balaamit: "Ti nuk do të shkosh me ta, nuk do ta mallkosh atë popull, se është një popull i bekuar".
13 Kështu Balaami u ngrit në mëngjes dhe u tha princërve të Balakut: "Kthehuni në vendin tuaj, sepse Zoti nuk më dha leje të vij me ju".
14 Pas kësaj princët e Moabit u ngritën, u kthyen te Balaku dhe thanë: "Balaami nuk pranoi të vijë me ne".
15 Atëherë Balaku dërgoi përsëri disa princa, në një numër më të madh dhe më të rëndësishëm në krahasim me të parët.
16 Ata erdhën te Balaami dhe i thanë: "Kështu thotë Balaku, bir i Tsiporit: "Asgjë nuk duhet të të ndalë të vish tek unë,
17 sepse unë do të të mbush me nderime dhe do të bëj të gjitha ato që do të më thuash ti; eja, pra, të lutem, dhe mallkoje këtë popull për mua"".
18 Por Balaami u përgjegj dhe u tha shërbëtorëve të Balakut: "Edhe sikur Balaku të më jepte shtëpinë e tij të mbushur me argjend dhe me ar, nuk mund të shkel urdhrin e Zotit, Perëndisë tim, për të kryer veprime të vogla apo të mëdha.
19 Prandaj, ju lutem, rrini këtu këtë natë, në mënyrë që të mësoj çfarë do të më thotë tjetër Zoti".
20 Dhe Perëndia i shkoi atë natë Balaamit dhe i tha: "Në rast se këta njerëz kanë ardhur të të thërresin, çohu dhe shko me ta; por do të bësh vetëm ato gjëra që unë do të të them".
21 Kështu Balaami u çua në mëngjes, shaloi gomaricën e tij dhe shkoi bashkë me princat e Moabit.
22 Por zemërimi i Perëndisë u ndez sepse ai ishte nisur; dhe Engjëlli i Zotit i doli rrugës si armik kundër tij. Ai i kishte hipur gomaricës së tij dhe kishte me vete dy shërbëtorë.
23 Gomarica pa Engjëllin e Zotit që rrinte në rrugë me shpatën e tij të zhveshur në dorë, doli nga rruga dhe hyri nëpër ara. Atëherë Balaami e rrahu gomaricën për ta kthyer përsëri në rrugë.
24 Por Engjëlli i Zotit u ndal në një shteg të ngushtë midis vreshtave, ku kishte një mur nga një anë dhe një mur nga ana tjetër.
25 Kur gomarica pa Engjëllin e Zotit, u shtrëngua pas murit dhe e shtypi këmbën e Balaamit pas murit; kështu Balaami e rrahu përsëri.
26 Atëherë Engjëlli i Zotit shkoi tutje dhe u ndal në një vend të ngushtë, ku nuk mund të lëvizje as djathtas as majtas.
27 Gomarica pa Engjëllin e Zotit dhe u shtri nën Balaamin; zemërimi i Balaamit u shtua dhe ai rrahu gomaricën me bastunin e tij.
28 Atëherë Zoti ia çeli gojën gomaricës që i tha Balaamit: "Çfarë të kam bërë që më rreh në këtë mënyrë tri herë me radhë?".
29 Dhe Balaami iu përgjegj gomaricës: "Pse je tallur me mua; sikur të kisha një shpatë në dorë, tani do të të vrisja".
30 Gomarica i tha Balaamit: "A nuk jam vallë gomarica me të cilën ke udhëtuar gjithnjë deri më sot? Mos vallë jam mësuar të sillem kështu me ty?". Ai u përgjegj: "Jo".
31 Atëherë Zoti ia hapi sytë Balaamit dhe ai pa Engjëllin e Zotit që rrinte në rrugë me shpatën e tij të zhveshur në dorë. Dhe Balaami u përkul dhe ra përmbys me fytyrën për tokë.
32 Engjëlli i Zotit i tha: "Pse e rrahe plot tri herë gomaricën tënde? Ja, unë kam dalë si armiku yt, sepse rruga që ndjek ti nuk pajtohet me vullnetin tim;
33 gomarica më pa dhe më ka evituar plot tri herë; në rast se nuk do të më kishte evituar, me siguri do të të kisha vrarë duke e lënë atë të gjallë".
34 Atëherë Balaami i tha Engjëllit të Zotit: "Unë kam bërë mëkat, sepse nuk e dija që ti rrije në rrugë kundër meje; prandaj tani, në se ajo që po bëj nuk të pëlqen, atëherë unë do të kthehem prapa".
35 Por Engjëlli i Zotit i tha Balaamit: "Shko, pra, me këta njerëz; por do të thuash vetëm ato gjëra që do të të them unë". Kështu Balaami shkoi me princat e Balakut.
36 Kur Balaku dëgjoi që Balaami po vinte, shkoi ta takojë në qytetin e Moabit që ndodhet në kufirin e shënuar nga Arnoni, në skajin e fundit të territorit të tij.
37 Kështu Balaku i tha Balaamit: "A nuk të kisha dërguar të të thërrisja me urgjencë? Pse nuk erdhe tek unë? A nuk jam vallë në gjendje të të nderoj?".
38 Balaami iu përgjegj Balakut: "Ja, erdha te ti; por tani a mund të them diçka? Fjalën që Perëndia do të më vërë në gojën time, atë do të them unë".
39 Balaami shkoi bashkë me Balakun dhe arritën në Kirjath-Hutsoth.
40 Pastaj Balaku flijoi qe dhe dele dhe u dërgoi disa prej tyre Balaamit dhe prijësve që ishin me të.
41 Në mëngjes Balaku mori Balaamin dhe u ngjit në Bamoth Baal, dhe këtej ai pa pjesën skajore të popullit.