Levitiku
Kapitull 10
1 Pastaj Nadabi dhe Abihu, bij të Aaronit, morrën secili temjanicën e vet, i vunë brenda zjarr, vendosën mbi të temjanin dhe ofruan para Zotit një zjarr të palejueshëm, që ai nuk ua kishte urdhëruar.
2 Atëherë një zjarr doli nga prania e Zotit dhe i përpiu ata; dhe ata vdiqën përpara Zotit.
3 Prandaj Moisiu i tha Aaronit: "Kjo është ajo për të cilën foli Zoti, duke thënë: "Unë do të jem shenjtëruar nga ata që më afrohen mua dhe do të jem përlavdëruar përpara tërë popullit"". Dhe Aaroni heshti.
4 Pastaj Moisiu thirri Mishaelin dhe Eltsafanin, bij të Uzielit, ungj i Aaronit, dhe u tha atyre: "Afrohuni dhe largoni vëllezërit tuaj nga pjesa e përparme e shenjtërores, jashtë kampit".
5 Kështu ata u afruan dhe i larguan ata të veshur me tunikat e tyre, jashtë kampit, siç kishte thënë Moisiu.
6 Pastaj Moisiu u tha Aaronit, Eleazarit dhe Ithamarit, bij të tij: "Mos e zbuloni kokën tuaj dhe mos i grisni rrobat tuaja që të mos vdisni, dhe që Zoti të mos zëmërohet kundër tërë asamblesë; por vëllezërit tuaj, e tërë shtëpia e Izraelit, të mbajnë zi për zjarrin që ka ndezur Zoti.
7 Mos u largoni nga hyrja e çadrës së mbledhjes që të mos vdisni, sepse vaji i vajosjes së Zotit është mbi ju". Dhe ata bënë ashtu si kishte thënë Moisiu.
8 Zoti i foli akoma Aaronit, duke thënë:
9 "Mos pini verë as pije dehëse as ti as bijtë e tu, kur do të hyni në çadrën e mbledhjes, që të mos vdisni; do të jetë një ligj i përjetshëm për të gjithë brezat tuaj,
10 me qëllim që të mundni të dalloni midis të shenjtit dhe profanit, midis të papastrit dhe të pastrit,
11 dhe të mundni t'u mësoni bijve të Izraelit të gjitha ligjet, që Zoti u ka dhënë atyre me anë të Moisiut".
12 Pastaj Moisiu i tha Aaronit, dhe Eleazarit dhe Ithamarit, bijve që i kishin mbetur Aaronit: "Merrni blatimin e ushqimit që tepron nga flijimet e bëra me zjarr për Zotin dhe hajeni pa maja pranë altarit, sepse është gjë shumë e shenjtë.
13 Do ta hani në vend të shenjtë, sepse është pjesa që të përket ty dhe bijve të tu nga flijimet e bëra me zjarr për Zotin, sepse kështu më ishte urdhëruar.
14 Gjoksin dhe kofshën e ofertës së tundur do t'i hani ti dhe bijtë e tu dhe bijat e tua bashkë me ty, në një vend të pastër, sepse janë pjesa që të përket ty dhe bijve të tu, dhe që ju është dhënë juve nga flijimet e falenderimit të bijve të Izraelit.
15 Bashkë me ofertat e dhjamit të bëra me zjarr, do të çohen kofsha e ofertës së lartë dhe gjoksi i ofertës së tundur para Zotit; edhe kjo të përket ty dhe bijve të tu, si një statut i përhershëm, si ka urdhëruar Zoti".
16 Pastaj Moisiu hetoi me kujdes për cjapin e flijimit për mëkatin; dhe ja, ishte djegur; prandaj u zemërua kundër Eleazarit dhe kundër Ithamarit, bijtë e Aaronit që kishin mbetur, duke thënë:
17 "Pse nuk e hëngrët flijimin për mëkatin në vend të shenjtë, sepse është gjë shumë e shenjtë, dhe Zoti ua ka dhënë me qëllim që të sillni padrejtësinë e asamblesë, që të bëni shlyerjen për ta përpara Zotit?
18 Dhe ja, gjaku i flisë nuk u çua brenda vendit të shenjtë; ju duhet ta kishit ngrënë në vend të shenjtë, si kisha urdhëruar".
19 Aaroni i tha pastaj Moisiut: "Ja, sot ata më kanë ofruar flijimin e tyre për mëkatin dhe olokaustin e tyre përpara Zotit, dhe më kanë ndodhur gjëra të tilla; po të kisha ngrënë sot viktimën e flijimit për mëkatin, a do t'i pëlqente kjo syve të Zotit?".
20 Kur Moisiu i dëgjoi këto, mbeti i kënaqur.