Kantiku i Kantikëve
Kapitull 1
1 Kantiku i kantikëve që është i Salomonit.
2 Më puth me të puthurat e gojës së vet! Sepse dashuria jote është më e mirë se vera.
3 Nga aroma e vajrave të tua të këndshme emri yt është një vaj i parfumuar i derdhur; prandaj të duan vajzat.
4 Tërhiqmë te ti! Ne do të rendim pas teje! Mbreti më çoi në dhomat e tij. Ne do të kënaqemi dhe do të gëzohemi te ti; ne do ta kujtojmë dashurinë tënde më shumë se verën. Kanë të drejtë që të duan.
5 Unë jam e zezë por e bukur, o bija të Jeruzalemit, si çadrat e Kedarit, si perdet e Salomonit.
6 Mos shikoni se jam e zezë, sepse dielli më ka nxirë. Bijtë e nënes sime janë zemëruar me mua; më kanë caktuar të ruaj vreshtat, por vreshtin tim nuk e kam ruajtur.
7 Thuamë, o ti që të dashuron zemra ime, ku e kullot kopenë dhe ku e lë të pushojë në mesditë. Pse vallë duhet të jem si një grua e mbuluar me vel pranë kopeve të shokëve të tu?
8 Në rast se ti nuk e di, o më e bukura e grave, ndiq gjurmët e kopesë dhe kulloti kecat e tua pranë çadrave të barinjve.
9 Mikesha ime, ti më ngjan si pela ime midis qerreve të Faraonit.
10 Faqet e tua janë të bukura me ornamente, dhe qafa jote me gjerdane margaritaresh.
11 Ne do të bëjmë për ty gjerdane të arta me tokëza prej argjendi.
12 Ndërsa mbreti është ulur në tryezë, livanda ime përhap aromën e saj.
13 Kënaqësia ime është një qeskë e vogël mirre; ajo do të pushojë tërë natën midis gjive të mia.
14 Kënaqësia ime është për mua një tufë lulesh alkane në vreshtat e En-gedit.
15 Ti je e bukur, mikja ime, ja, je e bukur! Sytë e tu janë si ato të pëllumbeshave.
16 Sa i bukur je, i dashuri im, madje dhe i dashurueshëm! Për më tepër shtrati ynë është blerosh.
17 Trarët e shtëpive tona janë prej kedri dhe tavanet tona prej qiparisi.