Ligji i Përtërirë
Kapitull 21
1 "Në rast se në vendin që Zoti, Perëndia yt, është duke të dhënë, gjindet një i vrarë, i shtrirë në një fushë, dhe nuk dihet se kush e ka vrarë,
2 pleqtë dhe gjykatësit e tu do të dalin dhe do të masin largësinë midis të vrarit dhe qyteteve që ndodhen rreth e rrotull.
3 Pastaj pleqtë e qytetit më të afërt me të vrarin do të marrin një mëshqerrë që nuk ka punuar akoma dhe as nuk është mbrehur.
4 Pleqtë e atij qyteti do ta zbresin mëshqerrën pranë një rrjedhe uji, në një vend as të lëruar as të mbjellë, dhe aty afër rrjedhës së ujit do t'ia thyejnë qafën mëshqerrës.
5 Pastaj do të afrohen priftërinjtë, bij të Levit, sepse Zoti, Perëndia yt, i ka zgjedhur për të shërbyer dhe për të dhënë bekimin në emër të Zotit, dhe fjala e tyre duhet të zgjidhë çdo mosmarrëveshje dhe çdo dëmtim trupor.
6 Atëherë tërë pleqtë e qytetit, që është më afër me të vrarin, do të lajnë duart mbi mëshqerrën së cilës i është thyer qafa pranë rrjedhës së ujit;
7 dhe, duke marrë fjalën, do të thonë: "Duart tona nuk e kanë derdhur këtë gjak, as sytë tona s'e kanë parë.
8 O Zot, fale popullin tënd Izrael që ti ke çliruar, dhe mos i ngarko fajin e gjakut të pafajshëm popullit tënd Izrael". Dhe ai gjak do t'u falet atyre.
9 Kështu ti do të heqësh nga vetja jote fajin e gjakut të pafajshëm, duke bërë atë që është e drejtë në sytë e Zotit.
10 Kur të shkosh në luftë kundër armiqve të tu dhe Zoti, Perëndia yt, të t'i japë në dorë dhe ti t'i zësh robër,
11 në rast se sheh midis robërve një grua të pashme dhe të pëlqen aq sa të duash ta bësh bashkëshorten tënde,
12 do ta çosh në shtëpinë tënde, dhe ajo do të rruajë kokën dhe do të presë thonjtë,
13 do të heqë rrobat e robinjës, do të banojë në shtëpinë tënde dhe do të mbajë zi një muaj të tërë për të atin dhe për të ëmën, pastaj ti do të hysh te ajo dhe do të jesh bashkëshorti i saj dhe ajo do të jetë bashkëshortja jote.
14 Në qoftë se më vonë nuk të pëlqen më, do ta lësh të shkojë ku të dojë, por nuk mund ta shesësh për para as ta trajtosh si skllave, sepse ti e ke poshtëruar.
15 Në qoftë se një burrë ka dy gra, dhe njerën e dashuron dhe tjetrën e urren, dhe si e dashuruara ashtu dhe ajo e urryera i kanë lindur fëmijë, në rast se i parëlinduri është fëmija e gruas së urryer,
16 ditën që u lë me testament pasurinë që zotëron bijve, nuk mund t'i shënojë të drejtën e paralindjes djalit të gruas që dashuron duke e preferuar nga djali i gruas që urren që është i parëlinduri;
17 por do të njohë si të parëlindur djalin e gruas së urryer, duke i dhënë një pjesë të dyfishtë të të gjitha atyre që zotëron; sepse ai është prodhimi i parë i fuqisë së tij dhe atij i përket e drejta e paralindjes.
18 Në qoftë se një burrë ka një fëmijë kokëfortë dhe rebel që nuk i bindet as zërit të babait, as atij të nënës dhe me gjithëse e kanë ndëshkuar, nuk u bindet atyre,
19 i ati dhe e ëma do ta marrin dhe do ta çojnë te pleqtë e qytetit të tij, në portën e vendit ku banon,
20 dhe do t'u thonë pleqve të qytetit: "Ky biri ynë është kokëfortë dhe rebel; nuk do t'i bindet zërit tonë; është grykës dhe pijanec".
21 Atëherë tërë banorët e qytetit të tij do ta vrasin me gurë dhe ai ka për të vdekur; kështu do të shrrënjosësh të keqen nga mesi yt, tërë Izraeli do ta mësojë dhe do të ketë frikë.
22 Në rast se dikush ka kryer një krim që meriton vdekjen dhe ka pësuar vdekjen, dhe ti e ke varur në një dru,
23 kufoma e tij nuk do të rrijë tërë natën mbi pemën, por do ta varrosësh po atë ditë; sepse ai që rri varur është i mallkuar nga Perëndia, dhe ti nuk do ta ndotësh tokën që Zoti, Perëndia yt, të jep si trashëgimi".