2 i Mbretërve - II Kings
Kapitull 24
1 Gjatë mbretërimit të tij erdhi Nebukadnetsari, mbret i Babilonisë, dhe Jehojakimi u bë shërbëtor i tij për tre vjet; pastaj ngriti krye kundër tij.
2 Atëherë Zoti dërgoi kundër tij banda Kaldeasish, Sirësh, Moabitësh dhe Amonitësh; i dërgoi kundër Judës për ta shkatërruar, sipas fjalës që Zoti kishte shqiptuar me anë të shërbëtorëve të tij, profetëve.
3 Kjo ndodhi në Judë vetëm me urdhër të Zotit, që donte ta largonte nga prania e tij për shkak të mëkateve të Manasit, për të gjitha ato që kishte bërë,
4 por edhe për shkak të gjakut të pafajshëm të derdhur prej tij, sepse ai e kishte mbushur Jeruzalemin me gjak të pafajshëm. Për këtë arësye Zoti nuk deshi ta falë.
5 Pjesa tjetër e bëmave të Jehojakimit dhe tërë atë që bëri a nuk janë të shkruara në librin e Kronikave të mbretërve të Judës?
6 Kështu Jehojakimin e zuri gjumi me etërit e tij dhe në vend të tij mbretëroi i biri, Jehojakini.
7 Por mbreti i Egjiptit nuk doli më nga vendi i tij, sepse e mbreti i Babilonisë kishte shtënë në dorë tërë ato që ishin pronë e mbretit të Egjiptit, nga përroi i Egjiptit deri në lumin Eufrat.
8 Jehojakini ishte tetëmbëdhjetë vjeç kur filloi të mbretërojë, dhe mbretëroi tre muaj në Jeruzalem. E ëma quhej Nehushta, ishte bija e Elnathanit nga Jeruzalemi.
9 Ai bëri atë që është e keqe në sytë e Zotit, në të gjitha, ashtu si kishte vepruar ati i tij.
10 Në atë kohë shërbëtorët e Nebukadnetsarit, mbretit të Babilonisë, u vërsulën kundër Jeruzalemit dhe qyteti mbeti i rrethuar.
11 Nebukadnetsari, mbret i Babilonisë, arriti para qytetit ndërsa shërbëtorët e tij po e rrethonin.
12 Atëherë Jehojakini, mbret i Judës, i doli përpara mbretit të Babilonisë bashkë me nënën e tij, me shërbëtorët, me krerët dhe me eunikët e tij. Kështu mbreti i Babilonisë e bëri rob vitin e tetë të mbretrimit të tij.
13 Pastaj, ashtu siç e kishte thënë Zoti, mori që andej tërë thesaret e shtëpisë të Zotit dhe thesaret e pallatit mbretëror, i bëri copë-copë të gjitha veglat prej ari që Salomoni, mbret i Izraelit, kishte bërë për tempullin e Zotit.
14 Internoi pastaj tërë Jeruzalemin, tërë krerët, tërë njerëzit trima, gjithsej dhjetë mijë robër, si dhe të gjithë artizanët dhe farkëtarët; mbetën vetëm njerëzit më të varfër të vendit.
15 Kështu ai internoi Jehojakinin në Babiloni; çoi gjithashtu në robëri nga Jeruzalemi në Babiloni nënën e mbretit, bashkëshortet e tija, eunukët e tij dhe fisnikët e vendit,
16 gjithë njerëzit e aftë që ishin shtatë mijë veta, artizanët dhe farkëtarët, një mijë veta, tërë njerëzit trima dhe të aftë për luftë. Mbreti i Babilonisë i internoi në Babiloni.
17 Në vendin e Jehojakinit, mbreti i Babilonisë, bëri mbret Mataniahun, ungjin e tij, të cilit i ndërroi emrin në Sedekia.
18 Sedekia ishte njëzet e një vjeç kur filloi të mbretërojë dhe e mbajti fronin në Jeruzalem njëmbëdhjetë vjet. E ëma quhej Hamutal, ishte bija e Jeremia nga Libnahu.
19 Ai bëri atë që është e keqe në sytë e Zotit, në të gjitha, ashtu si kishte vepruar Jehojakimi.
20 Kjo ndodhi në Jeruzalem dhe në Judë për shkak të zemërimit të Zotit, i cili në fund i dëboi nga prania e tij. Më vonë Sedekia ngriti krye kundër mbretit të Babilonisë.