II Peter
Kapitull 2
1 Por ka pasur edhe profetë të rremë midis popullit, ashtu si do të ketë midis jush mësues të rremë, të cilët do të fusin fshehurazi herezi shkatërruese dhe, duke mohuar Zotërinë që i bleu ata, do të tërheqin mbi vete një shkatërrim të shpejtë.
2 Dhe shumë vetë do të ndjekin doktrina shkatërruese të tyre dhe për shkak të tyre udha e së vërtetës do të shahet.
3 Dhe në lakminë e tyre do t’ju shfrytëzojnë me fjalë të shpifura, por ndëshkimi i tyre që moti nuk vonon dhe shkatërrimi i tyre nuk po dremit.
4 Sepse, në qoftë se Perëndia nuk i kurseu ëngjëjt që mëkatuan, por i hodhi në tartar të lidhur me pranga terri që të ruhen për gjyq;
5 dhe nuk kurseu botën e lashtë, por shpëtoi bashkë me shtatë të tjerë Noeun, predikues të drejtësisë, kur solli përmbytjen mbi botën e të pabesëve,
6 edhe dënoi me shkatërrim qytetet e Sodomës dhe të Gomorës, duke i bërë hi, dhe i bëri shëmbull për ata që në të ardhmen do të jetonin pabesisht,
7 dhe e liroi të drejtin Lot, që helmohej nga sjellja imorale e këtyre të çoroditurve
8 (sepse ky i drejtë banonte në mes tyre e mundonte për ditë shpirtin e tij të drejtë duke shikuar dhe duke dëgjuar veprat e tyre të poshtra),
9 Zoti di t’i shpëtojë nga tundimi të perëndishmit dhe t’i ruajë të padrejtët që të ndëshkohen ditën e gjyqit,
10 sidomos ata që shkojnë pas mishit në lakminë e fëlliqësisë dhe e përbuzin pushtetin. Ata janë të paturpshëm, arrogant dhe nuk druajnë të blasfemojnë dinjitetet;
11 ndërsa engjëjt, që janë më të lartë për nga forca e nga fuqia, nuk sjellin kundër atyre gjykime fyese përpara Zotit.
12 Por këta, si shtazë pa mend, të lindura nga natyra që të kapen dhe të shkatërrohen, flasin keq për gjërat që nuk i dinë dhe do të asgjësohen në prishjen e tyre, duke marrë kështu shpërblimin e paudhësisë së tyre.
13 Ata e konsiderojnë kënaqësi ta çojnë ditën ndër qejfe; janë njolla dhe fëlliqësi, dhe lëshohen pas mashtrimeve të tyre, kur marrin pjesë në gostitë tuaja.
14 Sytë i kanë plot me kurorëshkelje dhe nuk pushojnë së mëkatuari; mashtrojnë shpirtrat e paqëndrueshëm, kanë zemër të stërvitur në lakmime, dhe janë bij mallkimi.
15 Ata, pasi e lanë udhën e drejtë, devijuan duke ndjekur udhën e Balaamit, birit të Beorit, i cili e deshi pagën e paudhësisë,
16 por u qortua për shkeljen e tij: një kafshë barre pa gojë, duke folur me zë njeriu, e ndaloi marrëzinë e profetit.
17 Këta janë burime pa ujë, re që shtyhen nga furtuna, të cilëve u rezervohet errësira e territ përjetë.
18 Sepse duke mbajtur ligjërata jashtë mase të fryra dhe të kota bëjnë për vete, me anë të pasioneve të mishit dhe të paturpësisë, ata që me të vërtetë kishin shpëtuar nga ata që jetojnë në gabim;
19 ndërsa u premtojnë atyre liri, ata vetë janë skllevër të prishjes, sepse një bëhet skllav i atij që e mundi.
20 Sepse ata që shpëtuan nga ndyrësitë e botës me anë të njohjes së Zotit dhe Shpëtimtarit Jezu Krisht, nëse përsëri ngatërrohen nga këto dhe munden, gjendja e tyre e fundit është më e keqe se e para.
21 Sepse do të qe më mirë për ta të mos e kishin njohur udhën e drejtësisë, se sa, pasi e njohën, t’ia kthejnë shpinën urdhërimit të shenjtë që u qe dhënë.
22 Por atyre u ndodhi ç’ka thotë një fjalë e urtë e vërtetë: “Qeni u kthye në të vjellat e veta,” dhe “dosa e larë u kthye të zhgërryhet në llucë.”