FILIPIANEVE

1 2 3 4

Kapitull 3

1 Së fundi, o vëllezërit e mi, gëzohuni në Zotin; për mua nuk është e rëndë t’ju shkruaj të njëjtat gjëra, po për ju është siguri.
2 Ruhuni nga qentë, ruhuni nga punëtorët e këqij, ruhuni nga të prerët.
3 Sepse rrethprerja e vërtetë jemi ne, që i shërbejmë Perëndisë në Frymë dhe që mburremi në Krishtin Jezus pa besuar në mish,
4 megjithëse unë kam përse të besoj edhe në mishin; nëse ndonjë mendon se ka përse të besojë, unë kam akoma më shumë:
5 u rrethpreva të tetën ditë, jam nga kombi i Izraelit, nga fisi i Beniaminit, Hebre nga Hebrenj, dhe sipas ligjit farise,
6 sa për zellin, përndjekës i kishës; për sa i përket drejtësisë, që është në ligj, i pa qortueshëm.
7 Por gjërat që më ishin fitim, i konsiderova, për shkak të Krishtit, humbje.
8 Dhe me të vërtetë i konsideroj të gjitha këto një humbje në krahasim me vlerën e lartë të njohjes së Jezu Krishtit, Zotit tim, për shkak të të cilit i humba të gjitha këto dhe i konsideroj si pleh, që unë të fitoj Krishtin,
9 dhe që të gjendem në të, duke pasur jo drejtësinë time që është nga ligji, por atë që është nga besimi në Krishtin: drejtësia që është nga Perëndia, me anë të besimit,
10 që të njoh atë dhe fuqinë e ringjalljes së tij dhe pjesëmarrjen në mundimet e tij, duke u bërë vetë i ngjashëm me të në vdekjen e tij,
11 që në ndonjë mënyrë të mund t’ia arrij ringjalljes prej së vdekurish.
12 Jo se unë tashmë e fitova çmimin ose jam bërë i përsosur, por po vazhdoj të rend për ta zënë, sepse edhe unë u zura nga Jezu Krishti.
13 Vëllezër, sa për vete, nuk mendoj se e kam zënë, por bëj këtë: duke harruar ato që kam lënë pas dhe duke u prirur drejt atyre që kam përpara,
14 po rend drejt synimit, drejt çmimit të thirrjes së lartme të Perëndisë në Krishtin Jezus.
15 Pra, të gjithë ne që jemi të përsosur, le të kemi këto mendime; dhe në qoftë se ju mendoni ndryshe për ndonjë gjë, Perëndia do t’jua zbulojë edhe këtë.
16 Por në pikën ku kemi arritur, le të ecim sipas së njëjtës rregull me të njejtën mendje.
17 Bëhuni imituesit e mi, vëllezër, dhe vëreni ata që ecin kështu, sipas shëmbullin që keni në ne.
18 Sepse shumë nga ata, për të cilët ju kam folur shpesh, edhe tani po jua them duke qarë, ecin si armiq të kryqit të Krishtit,
19 dhe fundi i tyre është humbje, perëndia i tyre është barku dhe lavdia e tyre është në turp të tyre; ata mendojnë vetëm për gjërat tokësorë.
20 Sepse qytetëria jonë është në qiejt, prej nga edhe presim Shpëtimtarin, Zotin Jezu Krisht,
21 i cili do ta transformojë trupin tonë të përunjur, që të bëhet i ngjashëm me trupin e tij të lavdishëm, sipas fuqisë së tij që t’i nënshtrojë ndaj vetes të gjitha gjërat.